6.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    ‘Mprehja e sfurqeve e sopatave’: Gjykata Kushtetuese pyet Metën për deklaratat gjatë fushatës zgjedhore

    Përfaqësuesit e presidentit Ilir Meta paraqitën parashtrime vetëm për aspektin procedural të procesit hetimor parlamentar duke ngritur pretendime për mungesë të procesit të rregullt ligjor, ndërkohë që trupa gjykuese bëri pyetje për deklaratat publike të kreut të shtetit.

    Nga Edmond Hoxha

    Gjykata Kushtetuese vendosi të enjten të shtyjë sërish seancën publike për çështjen me objekt shqyrtimi, vendimin e Kuvendit për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta.

    Shtyrja erdhi pas kërkesës së përfaqësuesit të presidentit për 48 orë kohë, për të përgatitur përgjigjet për pyetjet që i drejtuan gjyqtarët dhe kërkuesit.

    Parashtrimet e përfaqësuesve të presidentit u fokusuan tek procedura e ndjekur nga Kuvendi për nisjen e hetimit parlamentar si dhe vendimmarrjen, duke i cilësuar ato të zhvilluara në kundërshtim me ligjin dhe në cënim të parimeve kushtetuese.

    Në vijim anëtarët e trupës së Gjykatës Kushtetuese i drejtuan rreth 70 pyetje presidencës. Këto pyetje lidheshin me qëndrimin e kësaj të fundit për aspektin procedural dhe thelbin e vendimit të Kuvendit për shkarkimin e Ilir Metës.

    Gjithashtu, u kërkuan shpjegime dhe qartësime lidhur me vërtetësinë dhe qëndrimin për deklaratat e presidentit për “mprehjen e sfurfqeve, kosoreve, sopatave…” dhe “prerje duarsh në rast të vjedhjes së votave”.

    Gjykata gjithashtu kërkoi shpjegime edhe për deklaratat e presidentit Ilir Meta kundër përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe ato ndaj anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

    Seanca e ditës se enjte ishte e dyta e mbajtur nga Gjykata Kushtetuese si pjesë e procesit me objekt shqyrtimin e kërkesës së Kuvendit për shkarkimin e Presidentit të Republikës.

    Gjatë seancës së parë të mbajtur të hënën, trupa rrëzoi një kërkesë të presidencës për dorëheqje, si të pabazuar në ligj.

    Parashtrimet për procedurën

    Legjislatura e kaluar e kontrolluar nga socialistët votoi më 9 qershor 2021 një raport që e gjeti Presidentin Ilir Meta fajtor për shkelje të rënda të kushtetutës. Nga 122 deputetë që gëzonin në atë kohë mandatin, 105 votuan pro shkarkimit të Metës, votim në të cilin kontribuuan edhe një numër i madh nga të ashtuquajturit deputetë të opozitës së re, ndërsa shtatë vota ishin kundër.

    Përfaqësuesi i presidentit, Bledar Dervishaj paraqiti të enjten një përmbledhje të parashtrimeve që sipas tij përbëheshin nga 140 faqe. Parashtrimet e presidencës trajtuan vetëm aspektin procedural të nismës së Kuvendit për shkarkimin e Metës, ndërkohë që nuk u mbajt qëndrim lidhur me përmbajtjen e vendimit, ku trajtohen shkaqet në të cilat bazohet konkluzioni për kryerje të shkeljeve të rënda nga kreu i shtetit.

    Dervishaj theksoi që në fillim se presidenti kishte të njëjtin qëndrim ndaj pretendimeve të Kuvendit. Ai deklaroi se Presidenti kishte mbajtur komunikim shkresor me të gjitha institucionet dhe përfaqësitë ndërkombëtare lidhur me procesin e hetimit paralamentar, që e cilësoi si një “nismë fiktive” të filluar pa pasur objekt.

    Sipas presidencës, në asnjë paragraf të drafteve të komisionit të ligjeve dhe atij hetimor, si dhe të vendimit të Kuvendit, nuk gjendet e artikuluar asnjë dispozitë e vetme e Kushtetutës për t’u ndërmarrë një hetim për shkeljet e pretenduara.

    Duke e konsideruar si një hakmarrje dhe qëllim të mazhorancës për të bllokuar presidentin në ushtrimin e detyrës së tij, Dervishaj e konsideroi vendimmarrjen e Kuvendit si produkt të shkeljeve të rënda procedurale.

    Përfaqësuesi i presidentit depozitoi si prova gjithë dokumentet shkresore që sipas tij u ishin dërguar institucioneve shtetërore, lidhur me shqetësimet dhe probleme të evidentuara gjatë fushatës zgjedhore, përfshi edhe ato të dërguara në adresë të autoriteteve ndërkombëtare.

    Dervishaj e cilësoi të paligjshëm gjithë procesin e hetimit të kryer ndaj presidentit Meta, duke pretenduar se ishte kryer në papajtueshmëri me kushtetutën si dhe nuk ishte ofruar e drejta për t’u mbrojtur.

    Sipas tij, në njoftimin e dërguar më 5 maj 2021, për mbledhjen që do të zhvillohej një ditë më vonë në komisionin e ligjeve pas kërkesës së deputetëve për hetimin e Metës, nuk përcaktohej nëse presidenti duhej të ishte i pranishëm dhe të jepte qëndrimin e tij. Dervishaj solli në vëmendje se presidenti ishte shprehur i gatshëm të dëgjohej më datë 10 maj dhe shtoi se më datë 6 maj ishte marrë vendim për ngritjen e komisionit hetimor, pa u marrë qëndrimi i Metës.

    “Kjo çon në mungesën e legjitimitetit të Komisionit”, deklaroi Dervishaj, si dhe ngriti pretendime për mungesën e afateve të komisionit hetimor për të ushtruar funksionin.

    Sipas përfaqësuesit të Metës, vetë deputeti Ulsi Manja kishte konstatuar mungesën e afatit kur kishte deklaruar publikisht se presidenti kishte sygjeruar datën 10 maj për tu dëgjuar, me qëllim që të skadonte afati.

    Dervishaj argumentoi se legjislacioni parashikon që katër muajt e fundit të çdo legjislature nuk mund të ngrihen komisione hetimore, që sipas tij për rrjedhojë, as nuk mund të ushtrohet funksion prej këtyre komisioneve.

    Precidenca pretendon se komisioni hetimor e ka kryer procedurën gjatë periudhës që ligji e ndalon dhe për pasojë duhet të deklarohet në papajtueshmëri me kushtetutën e gjithë procedura, nga momenti i dorëzimit për kërkesën e hetimit. Dervishaj aresytoi se Kuvendi kishte vepruar në kundërshtim me ligjin pasi kishte shqyrtuar vendimin e komisionit hetimor brenda një afati më të shkurtër nga ai i përcaktuar në ligj, si dhe e kishte shtuar në rendin e ditës në kundërshtim me rregulloren, pasi nuk ishte votuar me 3/5-at.

    “E gjithë kjo mori shkeljesh të rregullores çon në paligjshmërinë e procesit duke cënuar parimin e të drejtës. Mosdhënia e mundësisë për t’u dëjguar kur presidenti u kërkoi në mënyrë të drejtëpërdrejtë të dëgjohej është në cënim të procesit të rregult ligjor dhe të parimeve kushtetuese”, tha ai.

    Dervishaj cilësoi si element të fiktivitetit, edhe faktin se përfaqësuesi i Kuvendit, Erind Mërkuri ishte thirrur si ekspert nga komisioni hetimor. “Eksperti duhet të jetë i pavarur. Nuk mund të jetë dhe ekspert, edhe mbrojtës i të njëjtës palë”, theksoi Dervishaj, ndërsa e konsideroi pranimin e përfaqësimit nga ana e Mërkurit si dakordësi të tijën për “tu përdorur sipas oreksit të Kuvendit”.

    “KUvendi e filloi këtë farsë për të mbuluar maskaradën zgjedhore”, pohoi Dervishaj dhe e quajti kërkesën e Kuvendit për të dhëna rreth dekorimeve dhe dhënieve të nënshtetësisë shqiptare nga Presidenti, në cënim të balancës së pushteteve. Ai solli në vëmendje se vetë mazhoranca ishte tërhequr nga dy hetime paralamentare të mëparshme ndaj presidentit.

    Në përfundim, Dervishaj kërkoi që të deklarohet papajtueshmëria me kushtetutën e gjithë procedurës së hetimit dhe vendimmarrjes së kuvendit, si dhe të shfuqizohen të gjitha ato vendime që janë marrë prej komisioneve, deri në vendimin e Kuvendit për shkarkimin e presidentit.

    Pyetjet për deklaratat e Metës

    Po aq pyetje sa ju drejtuan Kuvendit, ju drejtuan prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese edhe Presidentit të Republikës – plot 70. Ajo që u theksua nga thuajse të gjithë anëtarët ishte fakti se nuk u trajtua përmbajtja e shkaqeve të vendimit të Kuvendit dhe u drejtuan pyetje për të qartësuar këtë qëndrim. Duke filluar nga relatori Përparim Kalo, ata kërkuan qartësim për pretendimt e ngritura lidhur me mosdhënien e të drejtës për tu dëgjuar, konkretisht me afatet dhe datat e përcaktuara.

    Po ashtu, u drejtua një pyetje lidhur me mundësitë ligjore për kundërshtimin e ngritjes së komisionit hetimor. Anëtari i trupës, Altin Binaj pyeti se përse nuk ishte ushtruar nga presidenti e drejta për tu dëgjuar në fazat e mëvonshme.

    Një prej çështjeve për të cilat u kërkua qartësim ishte dhe dispozita që parashikon shkarkimin e presidentit në rastet kur kryen “shkelje të rënda dhe krim”. Gjyqtarja Marsida Xhaferllari pyeti nëse lidhësa “dhe” i bënë të lidhura apo autonome këto pjesë të përcaktimit ligjor.

    Prej relatorit Përparim Kalo u soll në vëmendje fakti se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme edhe për vetë anëtarët e kësaj gjykate dhe pyeti lidhur me qëndrimet e presidentit ndaj anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, nëse kanë qenë në mbështetje të pavarësisë së institucioeneve kushtetuese.  Për këtë situatë u kërkua qartësim edhe prej disa anëtarëve të tjerë të trupës. Gjyqtarja Marsida Xhaferllari pyeti nëse kishte pasur ndonjë ankesë apo kallëzim për ndërhyrje në organet e pavarurura, të kryera prej këtyre të fundit.

    Në fokusin e pyetjeve u vendosën edhe deklarimet e presidentit gjatë fushatës zgjedhore të paraqitura në vendimin e Kuvendit si shkaqe për shkarkimin e tij.

    “Shprehjet ‘ti mprehin sfurqet, kosoret, spoatat dhe ça kanë ata,…’; ‘Kush vjedh një votë ti pritet dora…’,  çfarë qëllimi kanë pasur”, pyeti relatori Kalo dhe kërkoi mendimin e presidentit nëse duhej të konsiderohej vetëpërmbajtja. Edhe anëtari Binaj pyeti se përse kishte qenë nevoja e ndëshkimeve të tilla, kur legjislacioni ka parashikuar dënime me burgim dhe gjobë për krimet zgjedhore.

    “Evokimi i ndëshkimeve të tilla, a shkojnë me detyrimin e shtetit shqiptar që ka nënshkruar ‘konventën kundër torturës…’, në cilësinë e vendit anëtar të Organizatës së Kombeve të Bashkuara?”, pyeti Binaj dhe kërkoi qartësim nëse presidenti kishte detyrimin që gjatë artikulimeve publike të jetë më i përmbajtur.

    Në vijim Kalo u ndal edhe lidhur me deklaratat për ndërhyrjet e ndërkombëtarëve dhe pyeti nëse ishte kryer ndonjë denoncim në organet përkatëse.

    Po ashtu, u ngritën pytje lidhur mbi një platformë të krijuar për denoncimin e krimeve zgjedhore, nëse kishte pasur një praktikë të mëparshme nga ana e presidencës, si dhe nëse konsiderohej ose jo  mbivendosje ndaj institucioneve të tjera që kanë për detyrë të hetojnë.  Një prej pyetjeve kishte të bënte me praninë fizike të Presidentit Meta në ambjentet e zyrave të partisë Fryma e Re Demokratike, në përplasjen e kësaj të fundit me punonjësit e Bashkisë Tiranë.

    Nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në facebook, Presidenti Ilir Meta garantoi se do të jepte përgjigje për të gjitha pyetjet mbërmjen e të enjtes në emisionin “Frontline”, në televizionin News 24.

    Në përfundim të seancës, përfaqësuesi i presidentit, Bledar Dervishaj kërkoi 48 orë kohë për të përgatitur përgjigjet e pyetjeve dhe gjykata e shtyu seancën për më datë 7 shkurt, në orën 10:00.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit