20.5 C
Tirana
E premte, 11 Korrik, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Muli dhe të tjerët… (mos u çudisni pastaj pse Edi Rama do fitojë mandatin e katërt)

    Nga Bedri Islami

    Jam i një mendje me shumë kolegë të medias se, duke filluar që nga mesi i mandatit të dytë qeveritar, shefi i saj, Rama, ka gjithnjë e më tepër tiparet e drejtimit përmes një politike autoritare, duke shkuar më tej, në autokraci qeverisëse.

    Në Shqipëri është shembulli i dytë që një drejtues i lartë ka kaq shumë pushtet njëkohësisht, në të gjitha vitet e pluralizmit politik.

    Kaq shumë autokraci qeverisje ka pasur vetëm mandati i parë presidencial i Berishës, i cili, shkonte edhe më tej se sa autoritarizmi i Ramës. Berisha, vec të tjerave, kishte edhe sistemin e plotë të drejtësisë, të cilin e reformoi përmes gjyqtarëve të Plepave, kishte mbrojtjen, që e shkatërroi drejt hiçit, kishte Shërbimin Informativ Kombëtar, që e ktheu në pak kohë në një polici politike, duke i vënë kapakun e barbarisë në protestat e së majtës në maj 1996, por, edhe më tej se kaq, në caktimin e Gazidedes si gjeneral komandant, në eleminimin e protestave të banorëve të jugut të Shqipërisë.

    Sidoqoftë, mëkatet e një periudhe nuk përligjin dot gjynahet e një periudhe tjetër, dhe as autoritarizmi i një presidenti nuk përligj autokracinë e një kryeministri.

    Shumë vetë mendojnë se gjërat duhet lëvizur nga vendi, të ndryshojnë nga e mbara, të ketë një qeverisje më të përgjegjshme, më të shtrirë drejt demokracisë qeverisëse dhe më të kontrolluar edhe nga forca politike që e delegon këtë qeveri, por edhe nga opozita që e kontrollon.

    Mirë do të ishte.

    Po kush do e bëjë ndryshimin? Naiviteti politik që vetëm përmes figurës së Berishës mund të ndryshojë qeverisja e vendit ishte i justifikueshëm në një periudhë të caktuar, por, në të vërtetë nuk është fakt real.

    Me sa shihet, vetëm Berisha mund të ngjallë shpresë te “njerëzit e tij”. Të tjerët nuk janë askund dhe, duhet pranuar, më shumë synojnë të rregullojnë të ardhmen e tyre, se sa të lëvizin gjërat nga vendi.

    E majta, (të paktën quhet “e majta”) në pushtet ose jo mbetet gjithnjë forca politike më e organizuar, më e gatshme për të dhënë përgjigjen e saj në një çast vendimtar, si janë zgjedhjet, dhe, mbi të gjitha, për të kaluar ndasitë. Ata e dinë krejt mirë se, pas 10 viteve e më shumë qeverisje, vendi ka njohur zhvillime e stanjacione, e dinë edhe vetë se nuk është bërë ajo që është dashur.

    Por edhe kur janë të zemëruar, të inatosur, kur shfryejnë mllefet e tyre politike e sociale, mjafton një çast i paraqitjes së asaj që e quan veten forcë e së djathtës, për të qëndruar në pozicionin që kanë. “E djathta”, ashtu si është përçarë, me veprimet që merr, nganjëherë deri në idiotësi të pakund, është në të vërtetë gjenerimi i mendimit të asaj pjese që voton kundër saj.

    Në parlament u dha një shembull se si mund të qeverisë e djathta: qëndrimi i dy figurave drejtuese politike të Rithemelimit dhe të asaj pjese që nuk është as mish, as peshk, grupi Bardhi, ndaj një figure të opozitës, shkrimtares Flutura Açka.

    Jam i bindur se deputeti Flamur Noka është në sinqeritetin e tij në atë që shfaq. Ai është ai që është, besnik deri në fund ndaj Berishës. Kaq mundet. Nuk ka mendim. Mendimi i Flamur Nokës nuk është asgjë tjetër veçse bindja ndaj Berishës. Nuk ka ndryshuar asnjëherë dhe nuk do të ndryshojë.

    Të jesh kundër Berishës për të do të thotë të jesh hasëm. Ai përfaqëson kategorinë e militantit të verbër besnik. Nëse, fjala vjen, do i thuhej Mulit se, burgun në vend të Berishës do e mbajë ai, nuk e di pse jam i bindur se do e mbante pa asnjë dyshim.

    Sëbashku me deputetin Noka , edhe përtej tij, njeriu kërcënues ishte deputeti Bardhi. Ndryshe nga kolegu i tij, ky i fundit është statura më e dallueshme e epitetit që nuk e bren ndergjegjja dhe as që është i shqetësuar për çfarë ndodh në këtë vend.

    Dy vite më parë, ky Bardh, si askush tjetër, ishte në kampin e Bashës dhe përgatiste mbrojtjen nga hordhitë e Berishës. Zonja Açka, një ndër shkrimtaret më të njohura në vend dhe dinjitoze në qëndrimet e saj, shumë më e besueshme në diskutimet parlamentare , se sa kolegët e saj, befas ndodhet nën kërcënimin e një deputeti koleg, që ishte i gatshëm t’ia nxirrte sytë.

    Çfarë ka ndodhur? Cila tragjedi po luhet? Bardhi nuk është i shqetësuar për këtë. Me të njëjtën frymë dhe pathos që sulmonte Berishën, më saktë “ babain e Zenit”, po me aq zjarr sulmon ish liderin e tij , Bashën.

    I dalë nga hiçi, befas bëhet ministër i drejtësisë nga Basha, figurë e dytë në partinë e tij, i gatshëm të shesë gjithçka, deri edhe shpirtin, ai është fryma që nuk ngjit në besimin e njerëzve, dhe, në të njëjtën kohë, shembulli që nuk i duhet besuar.

    Noka e di se për aq kohë sa të drejtojë Ritemelimin apo Foltoren, Berisha i tij, apo të afërm të familjes, ai do të jetë përherë në parlament. Bardhi nuk e di të ardhmen e tij.

    Ai ka qenë pjesë e lojës së Bashës me përzëniet nga parlamenti , apo nga partia e shumë figurave të njohura dhe ka përgatitur vendin e tij. Ai i di pas skenat, sepse ka qenë pjesë e tyre. Ai e di se Kushtetuta i lejon shefit të partisë të ndërtojë listat e tij preferenaciale. E di po ashtu se Berisha ka një kujtesë të jashtëzakonshme, dhe atë nuk e haron, nuk e fal.

    Bardhi është figura më përfaqësuese e atyre që janë të gatshëm të shesin gjithçka, deri edhe nderin për të qenë dikush. Ata e dinë se të vetëm nuk janë askush. Janë të humbur. Më tej se kaq, të përbuzur. E di se llogaria nuk është mbyllur. Se mëkatet e tij ndaj doktorit nuk janë shlyer. Nuk është i vetëm. Janë shumë të tillë. Ata që kanë patur guximin të kundërshtojnë qeverinë e tyre kur ishin në pushtet janë shumë të pakët. Janë minoranca e parlamentit, racë në zhdukje.

    Janë plot figura të tilla në opozitën e Foltores. Aty mund të jetë forca më e madhe opozitare, por edhe ku janë grumbulluar lumpenët e mendimit politik të së djathtës.

    Dy vite më parë, një tjetër deputet i opozitës, priste me hanxhar në duar dhe hunj kolegët e tij që sulmonin “ kështjellën” e partisë. I gatshëm të gjakoset. Tani është i gatshëm që, bashkë me ata që deshi të gjakosë, të përleshet me ata që i mbrojti. Salianji është një kopje e atyre që u futën në politikë përmes rrëmujës, mashtrimit, forcës dhe brutalitetit. Babale e politikës , ai e di se mund të qëndrosh në politikë vetëm nëse shtrihesh në një moment në këmbët e doktorit.

    Ajo që ndodhi në parlament , kërcënimi ndaj drejtueses së një komisioni të rëndësishëm, shkrimtares Flutura Açka është dëshmi e radhës se këtyre asgjë nuk mund të besohet. Mos u çudisni pastaj pse Edi Rama do fitojë mandatin e katërt.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit