Myftiu i Shkodrës, Muhamed Sytari në një intervistë për emisionin “Review” me gazetaren Greta Topjana, foli në lidhje me ngjarjet kriminale që kanë tronditur kryeqendrën e veriut në ditët e fundit.
Në këtë kontekst, Myftiu hodhi një propozim të rëndësishëm për të reflektuar mbi rolin e fesë dhe edukimit shpirtëror në shoqëri, duke shprehur idenë për futjen e një lënde të edukatës fetare në shkolla, e cila do t’u mësojë fëmijëve për ekzistencën e Zotit.
“Prej vitesh kemi ngritur zërin, bashkë me fetë e tjera, pranë autoriteteve të vendit, që lënda e edukatës fetare, e mësimit të besimit, të jetë pjesë e kurrikulave të arsimit. T’u mësohet fëmijëve që ka Zot. Thirrja ime dhe mesazhi im është që njerëzit të kthehen nga Zoti” – u shpreh ai.
Duke respektuar karakterin laik të sistemit arsimor, Myftiu theksoi se fetë nuk janë në kundërshtim me dijen dhe shkencën, përkundrazi – ato e nderojnë dijen si një dhuratë hyjnore.
“Ne e respektojmë shkollën si laike, të gjithë e kemi bërë atë. Por dijen e kemi të shenjtë. Këtë dije na e ka shenjtaruar Ai Zot që ne nuk kemi kurajon ta lejojmë të hyjë në shkollat tona. Ai Zot na e ka dhënë jetën, Ai Zot e ka shenjtëruar dijen”, ka thënë Muhamed Sytari.