Gazetari Almer Toska ka akuzuar drejtpërdrejt Ballukun se ka përdorur miliona të përfituara nga korrupsioni në koncesionet rrugore për prapaskena politike me opozitën.
Veçanërisht në rastin Veliaj.
Gazetari pretendon se ka përmbajtje të disa komunikimeve të përgjuara, ku një deputet i Partisë Demokratike, i njohur për afërsinë me Berishën, ka pasur biseda me Evis Berberin. Në këto mesazhe, diskutohen çështje të organizimit dhe financave për protestat para Bashkisë.
Sipas raportimit, deputeti shpreh shqetësimin për mungesën e burimeve financiare, ndërsa Berberi sugjeron mënyra për t’u organizuar më mirë.
“Një deputet shumë i rëndësishëm i Partisë Demokratike, i afërt me Sali Berishën, komunikon në një grup WhatsApp-i me Evis Berberin. Deputeti i shkruan: ‘Na duhen lekë për molotovë’.
Berberi i përgjigjet: ‘Keni shumë pak njerëz, pse nuk organizoheni më mirë?’ dhe deputeti ia kthen: ‘Nuk kemi financa’. Kjo tregon se deri në çfarë niveli ka arritur blerja copë-copë e opozitës nga Belinda Balluku” – tha Toska.
Deklaratat u bënë gjatë një interviste në kanalin News 24.



