“Falënderova Zotin edhe për kaq, 23 m2 ku jetoj në një ish-kabinë elektrike. S’mendova ndonjëherë se do të kem ndonjë shtëpi tjetër… Kjo është e pamundur. Kush u egërsua dhe fitoi? Kush u egërsua dhe nuk u shëmtua! O njerëz! Bëhuni të mirë! Mos përgojoni, mos paragjykoni!” – Violeta, ish-mësuese, tani në pension
Nga Viktor Malaj
E nderuar mësuese Violeta !
Pashë në TV emisionin kushtuar njerëzve të zakonshëm, ku ti ishe protagoniste e tij. Kërkoj ndjesë që të drejtohem në numrin njëjës, por jam i sigurt se për njerëz si ti, unë dhe ca të tjerë, nuk ka shumë rëndësi veta në të cilën i drejtohemi njëri-tjetrit, por mënyra si sillemi në familje, shoqëri dhe kundrejt të tjerëve.
Në të vërtetë, ti përfaqëson një kategori të tërë shoqërore që për dekada të tëra sakrifikuan një pjesë të madhe të jetës në shërbim të shoqërisë dhe, ashtu, në heshtje, pa përfituar asgjë dhe pa u ankuar, po i drejtohen fundit të “bulevardit”.
Ajo çfarë e bën të veçantë rastin tënd është personaliteti yt, natyra jote optimiste dhe tolerante. Të kesh punuar mbi katër dhjetëvjeçarë në fushën e arsimit, të kesh jetuar në një apartament të vogël, një dhomë e kuzhinë dikur, ta kesh humbur atë në Firmat “e famshme” Piramidale të kapitalizmit famëkeq shqiptar, dhe sot të jetosh në një ish-kabinë elektrike, pa u zemëruar, pa fajësuar askënd, pa mallkuar dhe pa marrë rolin e “protagonistëve” të shesheve zhurmëmëdha dhe punëkota të mbas 1990, kjo do të thotë të jesh fisnike, e duruar dhe shembull për ata që përpiqen të jetojnë me dinjitet në një botë ku dinjiteti matet me çfarë ke në xhepa dhe jo çfarë ke në kokë e në shpirt.
Ti na ke mësuar dikur se është nder të punosh për shoqërinë dhe detyrë t’i shërbesh atdheut, se vetëm me dije dhe kulturë, me përkushtim dhe sakrifica do të mundet që Atdheu ynë i bekuar të përparojë dhe zërë vendin e merituar në bashkësinë ndërkombëtare, se njeriu i thjeshtë, i përunjur dhe modest ndaj popullit që i përket duhet të jetë shembull shoqëror për t’u ndjekur etj.etj. Mirëpo këto ide dhe mësime tani kanë dalë nga moda.
Disa prej nxënësve të tu, prej atyre më “inteligjentëve” e kuptuan shpejt realitetin dhe u morën me dy veprimtari shoqërore shumë fitimprurëse: me biznes dhe politikë. Të dyja këto kategori shoqërore na thonë prej më shumë se tridhjetë vjet se po punojnë për ne, pra edhe për ty që jeton në një ish-kabinë elektrike të përshtatur “sipas kohës dhe nevojave”.
“Çuditërisht”, asnjërit prej ish-nxënësve të dikurshëm, të vetëpajisur me pushtet politik dhe ekonomik gjatë kësaj kohe të gjatë, nuk i ra ndërmend për ty dhe disa mijëra të tjerë si ti, edhe pse po rropaten, siç thonë, për të mirën “tonë”.
Disa prej ish-nxënësve më zevzekë, të padisiplinuar dhe dembelë të dijes, të mbetur në klasë apo të përjashtuar dikur nga shkolla si të padenjë, sot figurojnë si njerëz shumë të pasur, madje VIP-a, pra Persona Shumë të Rëndësishëm, pasi paratë e shumta që fituan nëpërmjet trafiqeve të paligjshme dhe korrupsionit i investuan në ndërtim apo masmedia ku na shesin moral natë e ditë.
Këta, ashtu si kategoria tjetër e ish-nxënësve, kanë sot vila madhështore dhe shtëpi në mal e bregdet, në qytet dhe fshat, kanë dhoma dhe banjë të veçanta për qen e mace dhe, “arsyeshëm”, pamja e “shtëpisë” tënde iu vret sytë, por aspak vetëdijen. Ata bëjnë pjesë në njerëzit “e suksesshëm” dhe të zottë, në grupin e njerëzve të “lindur” për të na udhëhequr dhe sunduar ne “të paaftëve” dhe “budallenjve”.
Nuk e di a e ke marrë vesh se “Shtëpia më e Famshme në Shqipëri” është një kompleks artificial banimi, ku mblidhen disa individë të shoqërisë shqiptare dhe, nën vëzhgimin e pandërprerë të kamerave televizive, manipulohen dhe eksperimentohen duke ua shitur shqiptarëve si “Big Brother”. Individët e grumbulluar në shtrungë na shiten si VIP-a, pra si modele të suksesshme dhe shembuj për t’u ndjekur nga shoqëria, veçanërisht nga brezi i ri.
Në emisionin televiziv kushtuar juve, vura re se në hapësirën e ngushtë dhe të pamjaftueshme të banimit, ju mbanit qindra libra dhe citonit Tolstoin, Sokratin, Balzakun etj. dhe flisnit me admirim për Vivaldin, Belinin etj. Po, a keni dëgjuar se këta individët VIP-a të “Shtëpisë më të Famshme në Shqipëri”, këta individë që duhet të na frymëzojnë sot, pohuan para një muaji se kishin mbi 15 vjet pa shfletuar një libër, dhe më “e mençura” prej tyre, e cila fitoi “konkursin” për dije brenda asaj “shtëpie” pohoi javën e kaluar se Skënderbeu kishte lindur në vitin 1956 (sipas saj, duhet të kishte qenë nxënësi yt), se Kosova kufizohej me Greqinë dhe se At Zef Pllumi kishte vdekur 27 vjeç?
A e shikon pra se ne, që i morëm seriozisht mësimet e tua dikur, që dinim, jo vetëm se Skënderbeu është Heroi ynë Kombëtar, por edhe datën e vendin e vdekjes dhe vitet e betejave kundër pushtuesve turq, aleancat dhe aleatët e tij etj. etj, që dinim ku binte Zelanda e Re dhe Kanadaja, nuk na hynë në punë këto dije dhe, ose jetojmë në zgrip, ose nëpër hapësira të pabanueshme si e juaja, ku këta VIP-at nuk do të linin as qentë dhe macet e tyre?
Ti thua se “S’mendova ndonjëherë se do të kem shtëpi tjetër… Kjo është e pamundur”. Po sikur t’iu ishe ngjitur këtyre partive politike, të kishe marrë pjesë në mitingje e protesta “për demokracinë”, a e di çfarë shtëpie do të kishe sot? A i shikon nxënësit e tu “jobesnikë” që u morën dhe po merren me politikë, se sa shtëpi kanë, që hyjnë në politikë apo në sistemin e drejtësisë me 70 m2 sipërfaqe banimi dhe dalin prej atje me vila e pallate dhe apartamente pa fund, apo me shuma marramendëse parash të cilat ua kishin “dhuruar” hallat, tezet apo xhaxhallarët?!
Ti thua se “Martesa për interes nuk jeton gjatë dhe asaj i mungon dashuria… Vitin tjetër bëj 60 vjet martesë me tim zot. Burri është njeri shumë i mirë”. A e merr me mend çfarë thonë sot shumë të rinj e, sidomos, të reja kur dëgjojnë pohimin tënd nervacytës, çfarë mendojnë ato që martesën e konsiderojnë “burgosje” dhe bashkëjetesën “shpëtim”, që të jetuarit me një bashkëshort/ bashkëshorte mbi 3-4 vjet iu duket bezdi dhe marrëzi, që martohen me burra mbi 20 vjet më të mëdhenj në moshë, të cilët, “rastësisht” kanë ndodhur me pasuri materiale e monetare marramendëse?! Sigurisht që fjalët e tua iu duken të një bote të vdekur apo që nuk ka ekzistuar kurrë.
Ti thua se “Falënderova Zotin edhe për kaq, 23 metra katror kabinë elektrike”, por, a e di ti se ne kemi biznesmenë dhe politikanë që betohen çdo ditë në Zotin, hiqen si besimtarë, shkojnë në kisha e xhamia sepse “ashtu ua do puna”, mallkojnë kohën kur ushtrimi i ritualeve fetare ishte i ndaluar, por, nga ana tjetër, nuk iu duken të mjaftueshme dhjetëra vila e apartamente dhe po aq llogari bankare me burime financiare të errëta?!
Pohoje se “Aristokratët nuk i kam qejf pasi janë fals… Fustanet e gjata ishin dikur në modë”, por vështirë se mund ta dish sa e madhe është “aristokracia” jonë sot, e cila, për një kohë të shkurtër dhe falë “aftësive” të saj të jashtëzakonshme, kaloi nga kasollet në vila, nga shpina e gomarit në makina luksoze e të shtrenjta, nga këpucët me thumba në ato që kushtojnë mijëra euro, nga fustanet e gjata në ato të shkurtra dhe, madje, fare pa fustane apo të brendshme, pasi iu sjellin bezdi dhe nuk iu japin mundësi të shfaqin hiret e tyre të përpunuara me silikon dhe mjaft të “shitëshme” në tregun mediatik dhe atë erotik.
Më bëri shumë përshtypje fakti se ju mbanit në “shtëpi” një listë të gjatë me emrat e njerëzve më të afërt dhe të njohur ku shënonit përbri edhe datëlindjet, për t’i uruar kur vjen ajo datë çdo vit. Mirëpo, a keni dëgjuar që një numër fatalisht i madh individësh shqiptarë sot nuk flasin me njerëzit e tyre më të afërt, grinden, zihen e vriten për ndarje pronash e, madje, shfaqen edhe në emisione komerciale e të pështira televizive si “Shihemi në gjyq”, duke fyer, akuzuar e goditur njëri-tjetrin?
A keni dëgjuar se disa njerëz të moshës tuaj i kanë fëmijët jashtë Shqipërisë apo brenda saj dhe, jo vetëm nuk marrin prej tyre asnjë ndihmë ekonomike, por as telefonata për të ditur shëndetin e njëri-tjetrit dhe, madje, disa kanë vdekur e qëndruar me ditë e javë të tëra në banesë derisa era e rëndë e dekompozimit i ka vënë në alarm fqinjët?!
Ajo që më bëri përshtypje të thellë nga intervista jote ishte pohimi se “Nuk mendoj për zënie, mendoj për zgjidhje… Kush u egërsua dhe fitoi? Kush u egërsua dhe nuk u shëmtua?”. Ky pohim më futi në përsiatje dhe dyshime. Ne kemi njerëz në Shqipëri që tash 32 vjet shfaqen vetëm të egërsuar dhe zihen me njëri-tjetrin kudo, në rrugë, sheshe, Parlament apo studio televizive.
Ata na thonë se po grinden për ne dhe se janë të egërsuar për shkak të gjendjes sonë, se po rropaten për të mirën tonë dhe, si rezultat i këtij “sinqeriteti” dhe stërmundimi, mezi kanë arritur të pasurojnë veten dhe fëmijët e tyre, por, “gabimisht” nuk kanë vënë re se ti dhe disa mijëra të tjerë jetojnë në zgrip, kanë pensione qesharake dhe përçmuese që s’iu mjaftojnë as për ilaçe, se stërmundohen nëpër zyra shtetërore apo gjykata pa dinjitet për të gjetur dhe fituar të drejtat e tyre e, megjithatë, mbi tri dekada nuk iu kanë mjaftuar për këtë qëllim.
A i ke vënë re si egërsohen e zihen me njëri-tjetrin dhe na ftojnë të bëhemi ushtarë të “revolucioneve” të tyre sa herë nuk kanë pushtet dhe iu pakësohen burimet dhe mundësitë e shtimit të pasurive, edhe ashtu të pafundme e të mahnitshme?! Nuk jam dakord me mendimin tuaj se ata, edhe pse të egërsuar, banalë, vandalë e të dhunshëm, janë shëmtuar.
Po të ishte kështu, atëherë nuk do të kishim tufa të mëdha njerëzish që i ndjekin nga mbrapa dhe janë gati “të flijohen” për prijësit e tyre të paskrupullt e të pangopur. Këtu njeriu pyet me drithërimë: ose egërsia, banaliteti e dhuna nuk të shëmtojnë, ose ne kemi, mjerisht, kaq shumë njerëz të shëmtuar moralisht që adhurojnë shëmtitë e idhujve të tyre pasi janë të ngjashëm me ta.
Për ta mbyllur, të falënderoj për këshillën tuaj: “O njerëz! Bëhuni të mirë, mos përgojoni e mos paragjykoni!”, por, më ndjeni se më duhet t’ju them me dëshpërim se të paktë do të jenë ata që do ta ndjekin këshillën tuaj, dhe të pamundur do ta kenë ata që kanë kaq gjatë që përgojojnë, paragjykojnë, fyejnë, shpifin e kërcënojnë dhe shfaqen përherë të egërsuar, tamam si qeni i tërbuar që paraqet rrezik, jo vetëm për fqinjët dhe kalimtarët, por edhe për të zotin e tij.
E nderuar mësuese Violeta!
Në emër të të gjithë atyre ish-nxënësve të tu dhe të brezit tënd të mësuesisë, të kërkoj ndjesë që nuk ditëm, nuk mundëm dhe, më së shumti, nuk deshëm të krijonim dhe ndërtonim një shoqëri më të drejtë e më të ndershme, një shoqëri më të virtytshme e cila çmon dijen, punën e moralin dhe përçmon mosdijen, vesin dhe padrejtësitë.