Nga Ylli Manjani
Ky urimi “Gëzuar vitin e ri” është hipokrizi. Nuk ka asgjë të vërtetë në të. Një fallsitet kolektiv që nuk vjen nga ndonjë emocion personal, individual. Të gjithë urojnë të gjithë si me qenë politikanë…
Në fakt ky është urim që vjen nga një dehje kolektive. Ngjan më tepër si një qokë statistikore sesa urime jep dhe sa merr, sesa një urim i sinqertë që buron nga një dëshirë e brendshme.
Është njësoj si shprehja “sa i mirë ishte ai që vdiq”. Pavarësisht se i vdekuri ka qenë në “qenbirqeni”, prapë bëhet i mirë.
Kështu është edhe ky urimi “gëzuar”. Kot fare. Pa asnjë sens apo emocion festiv të vërtetë.
Kur shoh mesazhe të tëra me “Gëzuar” në inbox apo sms, më duken të gjitha pështyma sharje. Në vend të “Gëzuar” më ngjan sikur thonë “mos u gëzofsh inshalla”, ose “plaç në vend”..
Disa prej miqve virtualë që s’lenë sharje pa më bërë në rrjete sociale, kur më urojnë “Gëzuar”, janë kulmi i kulmit madje.
Nejse, po kështu e mendoj këtë gjë. Festat publike në shoqërinë tonë janë thjesht ditë pushimi, ushqimi dhe zgërdehje trush në alkohool. Ndaj urimet kolektive e publike nuk janë të vërteta, por qoka bezdisëse.
Prandaj nuk uroj dynjanë, përveç miqve të mi të cilët i dua me zemër të jenë të gëzuar (jo të dehur), çdo ditë të vitit. Dhe nuk më pëlqejnë as të tjerët, të cilët nuk i uroj, të më urojnë.
Gëzoj apo jo është e gjitha puna ime dhe e familjes sime.
Ndaj na i kurseni mesazhet, u lutem.
Njat’jeta!



