23.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Shtator, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Ndalni në paçi Zot shfaqjen teatrale të “tetorit rozë”!

    Nga Denisa Daka*

    Të gjitha ju zonja me pushtet që prej ditësh keni ngjyrosur profilin tuaj me fjongo rozë, ndalni këtë shfaqje teatrale në kini Zot.

    Jeni të gjitha ju në fakt që prej 30 vitesh mbyllët syte e mëndjen, ndaj një sistemi shëndetësor që lëngon në kufijtë e të papërfytyrueshmes.

    Jeni po të gjitha ju zonja, me sqimë dhe elegante, që zgjidhni spitalet private jashtë vendit për të kuruar vehten a familjarët tuaj në raste analoge, pa patur as më të voglën ide për gijotinën migjeniane apo kalvarin e vuajtjeve me të cilat përballen një duzinë grash e vajzash këtu.

    A e dini ju të vyera zonja, se në spitale kudo ndodhen, mungojnë medikamente bazë për të suportuar këto sëmundje të rënda, në shumë raste aparaturat nuk punojnë, që jepen urdhra nga titullarë e shefa që për periudha të caktuara të mos kryhen ekzaminime pasi mungojnë lentet e jo vetëm, se shumë medikamente mungojnë e duhen blerë jashtë spitalit apo jashtë vendit me një kosto të papërballueshme për shumicën e pacientëve, apo që për ekzaminime specifike pacientët duhet medoemos t’i drejtohen klinikave private brenda a jashtë vendit për të zgjatur ditë e frymë orë pas ore?!

    A e dini sa është fatura finaciare që përballon një familje në këto raste?!

    A e dini që një duzinë pacientësh kërkojnë ndihmë financiare sistemit bankar a miqve, ndërsa faturat e majme rëndojnë mbi familjarët e tyre ndër vite??! Ndërkaq sejcila prej jush ushqen propagandën këtu, për arsye që dihen tashmë, duke pritur padurimthi tetorin rozë e jo vetëm.

    A e dini ju të zgjedhurat tona, që pagesa e kempit për çdonjërën që përballet me këtë përbindësh, është e pakonsiderueshme, fyese e poshtëruese në kufijtë e të papërfytyrueshmes.

    A dini ju se për të shpënë bukë në shtëpi tek të vegjëlit e tyre, shumë syresh refuzojnë kempin dhe i kthehen punës dhe pasi kimioterapia dërrmuese, i sakaton mëndjen e fizikun e brishtë, duke refuzuar sakaq ti tregojnë punëdhënësit për sëmundjen e rëndë me frikën e ankthin që fëmijët mund të mbeten pa bukë një ditë.

    Me fytyra të bardha si letër, me duar e gjymtyrë që u dridhen nga dhimbjet, plot dinjitet e krenari sakaq, sejcila refuzon në çdo rast mëshirën duke zgjedhur të bëjnë përpara, për gjithë kohën që u ka mbetur…!

    Shteti nuk duket askund e si me magji në shumë raste zhduken dhe “miqtë e dashur”, duke i treguar çdonjërës ndodhur në këto kushte, se të kalosh provën në kësi rastesh është një test i vështirë dhe në shumë raste i pamundur.

    Në të gjithë botën politikat e posaçme sociale e shëndetësore, i mundësojnë çdonjërës, përveç mjekimit falas e cilësor dhe një jetesë dinjitoze për shkak dhe të suportit financiar posaçërisht.

    E ndërkaq askush nuk është i imunizuar në këtë rrugëtim jetësor!

    Uroj që disa prej jush të reflektojnë e të heqin nga profili i tyre fjongot rozë, në shenjë revolte, për dhimbjen, trishtimin, pasigurinë apo mundësitë e munguara të mijërave grave e vajzave, për shkak të prapësive të këtij sistemi kryesisht, kosto e drejtpërdrejtë kjo në shëndetin e tyre.

    Mos harroni në mundshi që çdo mëngjes a mbrëmje një grua a vajzë e re largohet pa dëshirë nga kjo botë, e përveç boshllëkut të madh që le tek të dashurit e saj një duzinë prej tyte nuk arrin ti japin zë, revoltës, zemërimit a pamundësisë që ndeshin ditë pas dite.

    E duke skërmitur dhëmbët sakaq, nga dhimbja e zemërimi, çdonjëra kujdeset të vijojë punën pa u ankuar, duke mos neglihuar të paguajë dhe taksat, që sejcila prej jush të mos humbasë pagën e majme në fund të muajit.

    Uroj të gëzoni shëndet të mirë sejcila prej jush të nderuara zonja a të zgjedhurat tona kudo ndodheni, në rast të kundërt “tetori rozë”, do tu duket krejt mavi ju siguroj.

    Në mungesë të kontributit në favor të mijëra grave e vajzave ndodhur në këto kushte, na e kurseni hipokrizinë në mundshi…!

    *Autorja është avokate

     

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit