Sara Gjordeni u përball me një situatë të sikletshme brenda “BBVA 3”, kur ish-i dashuri i saj, Endrik Beba, hyri si konkurrenti i ri në shtëpi. Që në videon prezantuese, Endriku rrëfeu se ka qenë i lidhur me një banore.
“Me një nga banorët kam pasur një histori, por po e lë me kaq”, tha muzikanti.
Sara, nga ana tjetër, në një bisedë me Albi Nakon, tha se ata kanë qenë të fejuar.
“Më duket e çuditshme që po shoh ish-in tim duke folur me Bardhin. Kam qenë e fejuar. Ai është zhgënjimi im i parë”, tregoi ajo.
Ndërkohë, në llogarinë e Instagram-it të Endrikut, është bërë një reagim ku shkruhet:
“Miq të dashur! Ndiejmë detyrë të theksojmë se midis Sara Gjordenit dhe Endrik Bebës nuk ka pasur ASNJË fejesë në horizont”.
Më tej, në postim shkruhet:
“Ishte një lidhje të rinjsh, disamujore, 9 vjet më parë. Endriku, siç e pranoi lidhjen me Sarën, siç pranoi martesën e parë, nga e cila ka një djalë; siç pranoi lidhjen e re nga e cila pret të bëhet baba sërish, mund ta kishte pranuar edhe fejesën nëse do të ekzistonte, por NUK ka ekzistuar”. “Urojmë të ketë mundësi ta sqarojë edhe vetë. Faleminderit!”, përmbyllet deklarata.
Nga aq sa kemi mundur të mësojmë, raporti mes Sarës dhe Endrikun ka qenë serioz, ku në dijeni ishin dhe familjet. Madje, në 2015, ai i dedikoji dhe një këngë, ku personazh në klip ishte pikërisht Sara.
Por, duket se ajo që dukej si një lidhje e shëndetshme që do të finalizohej shpejt në fejesë, u shndërrua në një lidhje toksike. Konflikti mes çiftit, ka përfshirë edhe familjarët, duke e shndërruar kështu në një ndarje shumë të vështirë.
Vetë modelja, ceku diçka në “Big Brother”, duke u shprehur se familja e saj ka vuajtur prej atij, por zgjodhi që mos të jepte detaje, duke përsëritur disa herë se gjithçka ka përfunduar tashmë. Ndarja e Sarës dhe Endrikut, ka përfshirë vetëm familjarët, e të dyja palëve, duke mbetur jashtë vëmendjes së publikut, që më herët nuk dinte për këtë lidhje, e më pas për ndarjen e vështirë që kanë pasur.
Por, teksa ende nuk janë zbardhur detaje të tjera nga kjo histori e dështuar mes tyre, në lojë është futur edhe partnerja e re e Endrikut.
“Që në momentin që hyre në jetën time ishe me mua në çdo hap ndaj sot është dita ime”, shkruan ndër të tjera ajo, ndërsa i shpreh mbështetje.
Në orët e para të tij në shtëpi, këngëtari ka zbuluar edhe si ka nisur historia e dashurisë mes tij dhe bashkëshortes. Këngëtari ka rrëfyer se si është njohur me bashkëshorten e tij në një varrim. Teksa po bisedonte me banoren tjetër të re që hyri mbrëmë në shtëpinë më të famshme në Shqipëri, Françeska Murati, Beba tregoi se pyetja e parë që partnerja i ka bërë ka qenë “ju jeni diplomat”.
“Me bashkëshorten jemi njohur në varrim. Jo thjeshtë ka qenë njohja dhe pastaj pas sa kohësh kemi pasur mundësinë të flisnim prapë me njëri-tjetrin. Madje, unë kam qenë i mërzitur… kam pasur koncert një natë më para dhe kam qenë gjysmë përgjumësh dhe pyetja e parë që më ka bërë Klea ka qenë “ju jeni diplomat”, e kam parë dhe i kam thënë o goce asgjë në lidhje me diplomatin, jam komplet e kundërta. Pastaj, jemi takuar më mbrapa.”
Por, pas ndarjes me Sarën, për Endrikun erdhi një tjetër ndarje, këtë herë me një fëmijë në mes. Pasi u bë baba, shumë shpejt vetë artisti la të kuptohej se me partneren e tij tashmë ishte ndarë. Gjatë një interviste dhënë kohë më parë Endriku zgjodhi të konfirmonte ndarjen, duke mos e përmendur nënën e fëmijës së tij. Kur u pyet lidhur me të birin, ai u shpreh se me të merret më së shumti nëna e tij.
“E ndjek dhe unë djalin, por më shumë merret nëna ime, e cila e merr në shkollë dhe mësuesit thonë që është shumë fëmijë i edukuar”, ka thënë këngëtari që mesa duket ka vendosur të kujdeset vetë për të voglin e tij.
E menjëherë pas lajmit për ndarjen mes tij dhe të dashurës, ai na prezantoi edhe partneren e re, duke lënë kështu pas 2 histori dashurie, të dështuara brenda shumë pak kohe.



