11.5 C
Tirana
E shtunë, 10 Maj, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Ndërron jetë pishtari i arsimit shqip, profesor Fehim Ramadani

    Ka ndërruar jetë ditën e sotme profesor Fehim Ramadani. Ai ka mbyllur sytë përgjithmonë në moshën 87-vjeçare.

    Ai ështe një nga pishtarët e arsimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut e veçanërisht në Kumanovë si dhe një nga figurat patriotike shqiptare.

    Pofesori, Fehim Ramadani lindi më 25 gusht të vitit 1936 në Sllupçan të Kumanovës, ku mbaroi dhe shkollën fillore.

    Shkollën e Mësuesisë, Profesor Ramadani e kreu në Shkup, ndërsa studimet diplomatike i vazhdoi në Shkup dhe Prishtinë në degën Gjuhë-Letërsi Shqipe të Fakultetit Filozofik.

    Ramadani filloi mësimdhënien në shkollën “Jeta e Re” në Sllupçan si një ndër mësuesit e parë të Gjuhës Shqipe dhe më pas për 8 vite me radhë ishte drejtor i kësaj shkolle.

    Gjatë kësaj periudhe bëri reforma drastike në Kumanovë duke iniciuar shkollimin masiv në Gjuhën Shqipe të brezave të rinj në përgjithësi, e të vajzave në veçanti.

    Profesor Ramadani ishte themelues i korit dhe orkestrës së parë të nxënësve në komunën e Likovës duke bërë kështu promovimin e vlerave artistike shqiptare në këtë rajon.

    Më vonë, ushtroi detyrën e profesorit të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në gjimnazin “Goce Dellcev” në Kumanovë.

    Gjatë gjithë jetës si arsimtar ai ishte simbol i rezistencës patriotike dhe organizimeve të shumta atdhedashëse. Për këtë motiv, ai u përndoq politikisht dhe u burgos disa herë nga pushteti i atëhershëm maqedon për t’u larguar nga puna si mësues përfundimisht në vitin 1981.

    Pavarësisht sfidave, Profesor Ramadani do të mbahet mend për profesionalizmin në punën e tij për përçimin e dijeve te shumë breza shqiptarësh në Maqedoninë e Veriut.

    Varrimi i Profesor Fehim Ramadanit bëhet nesër, me datë 15.06.2023 në varrezat e fshatit Opajë të Kumanovës.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit