13.5 C
Tirana
E premte, 20 Shtator, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Ndërtimet pa leje dhe dy standardet e shtetit, ai për të vobektit dhe ai për pasanikët

    Konfiskimi i pallatit të ndërtuar pa leje në zonën e Farkës në Tiranë ngre një shqetësim të drejtë moral, jo mbi ligjshmërinë e zbatimit por mbi kohën e mënyrën e ndërhyrjes së shtetit.

    Ka vite që qytetarët janë arrestuar, gjobitur e deri dënuar me burg për ndërtime pa leje. Rastet janë nga më të rëndomtat. Voxnews.al po sjell tre të tilla, sa tragjike aq edhe komike.

    Rasti i parë është ai i familjes Negollari në Gërmenj të Kavajës. Sokol Negollari u arrestua se po ndërtonte pa leje shtëpinë e re pranverën e 2016-s. Ai u kap teksa kishte prishur banesën e vjetër dhe në të njëjtin truall po ngrinte shtëpinë e re.

    Ndaj tij u mor masa arrest me burg dhe u transferua në burgun e Rrogozhinës. Më 7 maj 2016, familjen e pllakos tragjedia, teksa bashkëshortja bën aksident me makinë në afërsi të Kavajës. Ajo udhëtonte me makinë për në burgun e Rrogozhinës së bashku me tre fëmijët e çiftit. Nga aksidenti gjetën vdekjen dy fëmijët 3 dhe 5 vjeç, ndërsa u plagos bashkëshortja dhe fëmija tjetër 13 muajsh.

    Të afërmit e familjes fajësuan shtetin për tragjedinë, duke e akuzuar se mbajtën me pa të drejtë gjatë në burg Sokol Negollarin për ndërtimin pa leje.

    Rasti tjetër është ai shtetasit P.B., në atë kohë 63 vjeç me banim në Fushë-Krujë. Në 2016, ky shtetas vendosi të zgjasë rrethimin me mur të shtëpisë private (avllinë), kur gjatë punimeve mbinë forcat e policisë dhe inspektorët e ndërtimit.

    Gjatë verifikimeve, inspektorët dhe policia vunë re se veç mungesës së lejes për avllinë, P.B. kishte ndërtuar pa leje edhe një dhomë përbri saj, që shërbente si magazinë për familjen. P.B. u shoqërua në polici dhe pas procedurave u gjobit me 1.8 mln lek të vjetra dhe detyrua që të prishte ndërtimin pa leje.

    Rasti i tretë është i shtetasit I.SH., 58 vjeç nga Peqini. Ai u ndalua herët në mëngjes në një nga ditët e para të vitit 2018 teksa ishte duke shkuar në punë me mjetin e tij motoçikletë, siç njihen rëndom në këto zona si “Papaq”.

    Në mjet kishte çantën me mistrinë (vegël që përdoret për hedhjen e llaçit gjatë suvatimit), metër, plumbëçen me fijen që përdoret për orientim gjatë ngritjes së murit dhe mjete të tjera që i shërbenin për punë.

    Punonjësit e policisë që e ndaluan, pasi verifikuan se mjeti ishte pa leje dhe njoftuan inspektorët e ndërtimit. Këta të fundit i kërkuan 58-vjeçarit që t’i shoqëronte te objekti ku po punonte në ndërtim, që dyshonin se ishte pa leje. Objekti nuk kishte leje dhe I.Sh. refuzoi. Ai u shoqërua në polici, ku i sekuestruan mjetin e punës bashkë me veglat, iu vendos një gjobë prej 1.6 mln lekësh të vjetra dhe u la për 21 ditë në burg.

    Ky është shteti në rrethe e zonat rurale, që në këto tre raste ka gjëmuar ndërtimet pa leje edhe përmes ‘nuhatjes së llaçit’, apo zhurmës së çekiçit që ngul një gozhdë. Por, po ky shtet pak kilometra nga qendra e Tiranës ku janë të përqëndruara të gjitha institucionet më të rëndësishme të vendit as sheh e as dëgjon një pallat të tërë që ndërtohet pa leje.

    Ky është paradoksi moral i konfiskimit të pallatit të Lul Morinës në zonën e Farkës, që u desh ta verifikonte vetë Belinda Balluku si pa leje dhe para kamerave, ministrja ‘t’i jepte në formë ultimatumi tre opsioni shkelësit të ligjit’, që ose ta blinte me çmimin e tregut dhe paratë t’i kalontë në buxhet, ose ta dhuronte, ose do të konfiskohej nga shteti.

    Këtë shqetësim ja kanë ngritur ndjekësit Edi Ramës në rrjetet sociale dhe Kryeministri u ka kthyer përgjigje duke thënë se për këtë qëllim është ngritur një hetim për shkelësit. Por, hetimi i parë që duhet kryer është se si ka mundësi shteti funksionon me çizmen e rëndë përballë të vobektëve, por bëhet shurdh, memec e qorr përballë ndërtuesve, edhe kur ata e shkelin ligjin mu në mes të Tiranës.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit