10.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Ndëshkueshmëria ndaj VIP-ave me pushtet, një histori e shkurtër nga 1991

    Nga Ylli Pata

    Agresiviteti i paneleve të darkës, jo sot, por prej disa vitesh po ndodh sepse një pjesë e mbështetësve të opozitës nuk duan, nuk e pranojnë, nuk e konsidorojnë, madje e kundërshtojnë një hetim ndaj Sali Berishës, Ilir Metës dhe të gjithë “lozhës” së tyre politike.

    E në fakt ky është thelbi i kundërshtimit të reformës në drejtësi që nga viti 2013, ku më shumë se zyrtarët apo drejtorët e korruptuar u sulmuan diplomatë si Donald Lu, Romana Vlahutin, apo Bernd Botschard, që edhe sot e kësaj dite janë njerëz me karrierë të rëndësishme në profesionin e vet.

    Po përse ndodhi në opinionin publik i gjithë ky sulm i egër ndaj disa ambasadorëve të rëndësishëm, madje shumë të rëndësishëm të SHBA e BE-së? Sipas argumenteve që kanë dhënë njerëzit që kanë sulmuar ata ishin, se si Lu, e si Vlahutin, paskan thënë se mund të hetohen si Sali Berisha e Ilir Meta. Po mirë, po ç’të keqe ka këtu? A ka që në 1991 që kërkohet nga Sali Berisha e Ilir Meta që të hetohet çdo kundërshtar i tyre? Po! Atëherë ç’të keqe ka të hetohet ish-Presidenti dhe ish-Kryeministri? Thjesht të hetohen hë për hë?

    Shqipëria është një vend që sapo ndryshoi sistemin në 1991, ka vulosur me një sistem drejtësie absurd mosndëshkueshmërinë e njerëzve të fuqishëm. Të fuqishëm bëhet fjalë për persona që kanë në dorë të ardhurat publike të shtetit.

    Pandëshkueshmëria ka nisur në shtetin e ri shqiptar që e drejtoi Sali Berisha me një akt të rëndë, i cili hapi të çarën e madhe dhe krijoi një përplasje civile në vend. Arrestimin e liderit të opozitës së Shqipërisë, për një akuzë që së paku ishte e diskutueshme. Fatos Nano është arrestuar në 30 korrik 1993 me akuzën e “vjedhjes indirekte me dashje”. Që do të thotë: Një firmë italiane që qeveria e vendit të saj e kishte kontraktuar të sillte ndihmat në Shqipëri, kishte blerë disa produkte nga një kompani private. E cila nga Prokuroria e vendit u hetua jo për korrupsion, por për rryshfet. Me një fjalë, kompania ka paguar para për të marrë tenderin. As kompania, e as qeveritarët që u hetuan nga Prokuroria e Italisë nuk u dënuan kurrë, por Sali Berisha mbajti në burg Fatos Nanon, në një process pa logjikë. Prokurorët që e drejtuan atë process as nuk kishin bërë asnjëherë një dosje të Oficerit të Policisë Gjyqësore, por sa mbaruan Universitetin erdhën në krye të Prokurorisë dhe përgatitën një fletërrufe skandaloze që çdo gjykatë e hidhte poshtë. Madje një gjyqtar me përvojë i apelit e rrëzoi akuzën ndaj Fatos Nanos, Por Berisha u hakmorr dhe e shkarkoi. Nejse historia e Fatos Nanos dihet se përveç pafajësisë që mori pas faljes nga Sali Berisha, ai ishte shpallur “I burgosur Politik” nga Amnesty International dhe Unioni Parlamentar Botëror.

    Gjatë qeverisjes së parë të PD-së nga 1992 deri në 1997 nuk kemi pasur asnjë zyrtar të lartë të ndëshkuar për korrupsion. Madje kemi pasur më shumë shkarkime të prokurorëve duke nisur nga Maks Haxhia Kryeprokuror i Republikës apo Zef Brozi, kryegjyqtar i Lartë i vendit, pikërisht kur këto të fundit kanë kundërshtuar kërkesat e Sali Berishës për të dënuar politikanë. Kryeprokurori Haxhia nuk pranoi të arrestonte Fatos Nanon e doli avokat. S’kishte fare logjikë ligjore, kurse Zef Brozi kundërshtoi një proces të sforcuar ndaj disa politikanëve periferik të OMONIA-s që Berisha e qepi trashë e me vonesë për të përfituar politikisht.

    Proceset e ashtuquajtura antikorrupsion, Berisha i montonte ndaj atyre që i konsideronte si kundërshtarë të vet. Siç ishte rasti i së ashtuquajturës “Çështje të Drurit të Arrës”, ku Prokurori që zëvendësoi Maks Haxhinë kërkoi heqjen e imunitetit të ministrit të Financave Genc Ruli dhe atij të Bujqësisë Rexhep Uka, por grupi parlamentar i PD-së e kundërshtoi Sali Berishën.

    Ajo votë ishte realisht e fundit votë autonome kundër vendimit arbitrar të njëshit. Pas asaj vote, Sali Berisha nisi një gjueti shtrigash ndaj Eduard Selamit që ishte kryetar i PD që e shkarkoi, Aleksandër Meksit që e kishte kryeministër, Dashamir Shehit, Zv.Kryeministër, e figura të tjera.

    Çdo veprim nga Prokuroria perceptohej nga Sali Berisha, i cili e drejtonte pasi emëronte dhe shkarkonte të gjithë prokurorët; nga i pari deri të i fundit.

    Kur Berisha iku nga pushteti në 1997, kemi një tentativë për të nisur hetimet ndaj tij, por që PS i le në mes. Më pas, kemi tentativën e Fatos Nanos në vitin 2001 për të hetuar ministrat e Ilir Metës. Ky i fundit bashkon menjëherë votat me Sali Berishën dhe shkarkoi Kryeprokurorin Arben Rakipi dhe emëron ish-këshilltarin e Berishës Theodhori Sollaku. Ky i fundit i squll dosjet ndaj Berishës, por kur ai vjen në pushtet e akuzon se ka fjetur mbi dosje. Nis një betejë ndaj tij për ta shkarkuar, nga frika se Sollaku ja di të fshehtat. Por Presidenti Alfred Moisiu nuk lejon shkarkimin e Kryeprokurorit të Republikës.

    Në këtë moment, Sollaku hap dosjen e Remzi Hoxhës, një nga krimet më të rënda të ndodhura në vend nga njerëz shumë të lartë me pushtet. Një prokuror korrekt si Xhevat Hana, plotëson dosjen dhe e çon në gjykatë. Kemi të bëjmë me një bombë: zyrtarë të lartë të shtetit, duke nisur nga krerë të Policisë dhe ministrisë së Drejtësisë cilësohen fajtorë për zhdukjen e njeriut që i fali jetën çështjes së Kosovës.

    Sali Berisha, nuk lejon që zyrtarët e tij të shkojnë në burg; i mban në detyrë me dhunë. Madje edhe kur ishin dënuar. Pas pak kohësh në rrethana krejt të dyshimta, humb jetën prokurori i çështjes Remzi Hoxha. Sali Berisha, edhe pse nuk ka shumicën për të zgjedhur Presidentin, arrin të marrë votat e disa deputetëve të PS-së e zgjedh nënkryetarin e PD-së Bamir Topi në atë post. i cili sapo vjen në detyrë largon Theodhori Sollakun e emëron Ina Ramën Kryeprokurore.

    E cila nuk se nisi bndonjë fushatë antikorrupsion, por kur shpërthen Gërdeci, apo kur publikohen aksandalet e Damir Fazlliçit me vajzën e Sali Berishës Argitës, apo edhe dosjes që dorëzon Arben Meçe për Rrugën e Kombit, nis hetimet. Aty Sali Berisha fillon luftën, ku me nismat false antigenocid arrin të largojë kreun e hetimit në Prokurorinë Përgjithshme Zamir Shtylla, duke frikësuar çdo prokuror që tenton të hetojë ndaj tij.

    Kur vjen Bujar Nishani në krye të Presidencës, nis operacionin”fshesa” në Prokurori ku largon çdo prokuror apo edhe OPGJ që ka hetuar për qeveritarët e PD-së. Tashmë dihen presionet e Berishës që Kryeprokurorja është “lavire bulevardi” e kush i shkon pas është i shantazhuar. U pengua çdo hetim. Madje kur Fazliç u kërkua të pyetet nga një prokuror, policia e ndaloi me dhunë, siç ndaloi edhe pyetjet për krerët e gardës pas vrasjes së 4 qytetarëve më 21 janar 2011.

    Kur Sali Berisha humb zgjedhjet e në krye vjen Edi Rama, nuk kalon shumë dhe një zyrtar i lartë i PS-së vihet nën hetim nga Prokuroria e Përgjithshme që drejtohej nga Adriatik Llalla. Bëhet fjalë për kryebashkiakun e Vlorës Shpëtim Gjika, i cili siç dihet e përballoi krej vetëm betejën. Rama doli hapur dhe tha që ne nuk kemi lidhje me çështjen ndaj kryebashkiakut, edhe pse e kishte anëtar të kryesisë së PS-së.

    Ky ishte standardi i parë, që më pas vijoi edhe me të tjerë, deri te rasti i Saimir Tahirit, më pas i Lefter Kokës apo i zyrtarëve të tjerë, mbi të cilët kanë nisur hetimet, apo edhe ka pasur vendime gjyqësori.

    Ndërkohë, nga ana tjetër kemi një dalldi të tmerrshme për sistemin gjyqësor, sepse të gjithë që flasin nuk duan të hetohen Sali Berisha Ilir Meta, apo shokët e tyre. Po pse çfarë të keqe ka të hetohen? Të hetohen njëherë…

     

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit