Aktorja e njohur amerikane Heather Graham në një intervistë për prestigjiozen “The Guardian”, ka folur së fundmi mbi vendimin për të mos pasur fëmijë, duke theksuar se ndihet e qetë dhe e lumtur me zgjedhjen e bërë.
Graham tha se shumicën e kohës e vlerëson lirinë që i ka dhënë kjo rrugë jetese.
“Kishte momente kur pyesja veten se si do të ishte nëse do të kisha lindur fëmijë. Mund të them se 80 për qind të kohës jam e lumtur që nuk kam fëmijë – ndihem e lirë dhe mirë për këtë – dhe 20 për qind të kohës pyes veten se si do të ishte. Duhet ta vlerësosh jetën që ke”, tha ajo.
Aktorja shtoi se është inkurajuese të shohësh gjithnjë e më shumë gra që po zgjedhin të mos kenë fëmijë:
“Shoqëria thotë se duhet të kesh fëmijë, por pse? Nëse nuk je një person që i kënaq të tjerët, çfarë dëshiron në të vërtetë?”
Deklaratat e saj janë përshëndetur gjerësisht në rrjetet sociale, si një zë i rëndësishëm për gratë që zgjedhin një rrugë alternative ndaj normave tradicionale.