Egla Ceno, fituesja e “Big Brother VIP Albania 3”, ka reaguar prerë dhe plot ironi pas deklaratave të ish-banores Ledjona Xheladinaj, e cila së fundmi tha se brenda shtëpisë ka pasur periudha të vështira për ushqim dhe menaxhimin e sponsorëve.
Në një postim të gjatë në Instagram, Egla e hodhi kategorikisht poshtë idenë se banorët kanë vuajtur për ushqim.
“Po lexoj për ‘sakrificat’ dhe urinë e madhe që paska ndodhur brenda BBV3. Flas për vete që isha pjesë: nuk na ka lënë njeri pa bukë o njerëz. Kishte aq shumë sa mua mu pre oreksi. Mua më ha syri, jo barku”, shkroi ajo, duke ironizuar pretendimet e Ledjonës.
Egla mohoi edhe deklaratat se banorët janë ndjerë të detyruar të lavdërojnë sponsorët:
“Ky miti që paskemi qenë të detyruar të themi ‘o sa e mirë, sa e mirë’? Jo, jo. Sikur të më detyronte dikush të isha e ëmbël, unë do isha përjashtuar që ditën e parë.”
Aktorja shtoi se “BBV3 ishte një skenë e madhe”, ku secili luante rolin që donte:
“Kush donte të bënte dramë, bënte dramë. Kush donte të bënte viktimën e luante si profesionist. Kush donte të fitonte, fitoi. Vetëm një idiot luan ndershmërisht në një lojë ku të tjerët mashtrojnë.”
Reagimi i saj vjen pasi Ledjona Xheladinaj deklaroi se brenda shtëpisë ka pasur një periudhë dyjavore ku banorët “nuk kishin çfarë të hanin, përveç një lloj ushqimi” dhe se shpesh janë ndier të detyruar të lavdërojnë produkte për hir të sponsorëve.




