Puthja e fëmijëve tuaj në buzë është një temë e nxehtë prej dekadash, por është theksuar gjithnjë e më shumë vitet e fundit kur personazhe si Victoria, David Beckham apo Hillary Duff, kanë postuar foto duke puthur fëmijët në buzë. Përpara pak vitesh, Miriam Cani iu përgjigj kritikave në rrjet pas një fotoje ku puthte të bijën. Gjatë Big Brother VIP, edhe takimi i Ilir Shaqirit u kritikua, pikërisht për të njëjtën gjë.
E gjithë bota duket se ka një mendim për këtë temë (nëse janë prindër apo jo) dhe këto mendime ndryshojnë shumë. Madje, edhe “ekspertët”, shpesh kanë qasje të ndryshme.
Dr. Charlotte Reznick, autore e “The Power Of Your Child’s Imagination: How To Transform Stress And Anxiety Into Joy and Success” tha për The Stir në 2010 se puthja në buzë është “shumë seksuale” për fëmijët e vegjël dhe se mund të jetë “stimuluese.”
“Është shumë konfuzuese,” tha ajo, duke zemëruar prindërit në mbarë botën.
Shumë mjekë dhe psikologë të tjerë nuk janë pajtuar me të me të gjatë viteve dhe thonë se është krejtësisht normale të puthësh fëmijët në buzë. Ata thonë se të besosh se një puthje është konfuzuese, do të ishte e ngjashme me idenë se edhe ushqyerja me gji është po njësoj.
Është kulturore dhe e bazuar në familje
Në vitin 2016, eksperti i prindërve dhe themeluesi i Tools of Growth, Roma Khetarpal tha për Global News se polemika rreth puthjes në buzë është shumë kulturore dhe ka të bëjë me mënyrën se si jeni rritur.
“Është e përhapur në disa kultura dhe jo në të tjera,” tha ajo. “Kjo varet nga dinamika e familjes suaj – ashtu si çdo zakon tjetër kulturor.”
Khetarpal shtoi se nëse do të rriteshit duke puthur prindërit në buzë, kjo do të ishte shumë normale për ju, por nëse nuk e bëni, atëherë mund të duket e pazakontë. Për shembull, është shumë normale që të rriturit dhe fëmijët të puthen në buzë dhe/ose faqe në vendet evropiane.
“Shumë familje kanë zakone kulturore kur bëhet fjalë për puthjen dhe për disa, edhe faqja mund të jetë fyese,” tha ajo.
Kur duhet të ndaloni së puthuri fëmijët tuaj në buzë?
Megjithatë, Khetarpal theksoi se ka gjëra që prindërit duhet të kenë parasysh kur puthin fëmijët e tyre në buzë.
– A është e përshtatshme për moshën?
– A e duan fëmijët tuaj këtë gjë?
Ka një moment kur ju ndaloni së bërë gjëra për fëmijët tuaj – fshirja e të pasmeve të tyre, larja dhe veshja e tyre. Khetarpal tha se puthja në buzë duhet të jetë e ngjashme me këtë.
“Vajza ime tani i ka vendosur vetes kufijtë rreth puthjes në buzë, ashtu si kohët e fundit ka kërkuar privatësi në banjë dhe (më në fund) ka filluar të mbyllë derën kur shkon”, thotë një prind për Everyday Mom Life.
Ajo shton:
“Nuk mund të mohohet që ajo është duke u rritur, dhe sado e trishtuar që jam se po iu them lamtumirën disa prej këtyre momenteve, jam e lumtur që ajo mund të vendosë dhe të shprehë kufijtë për veten dhe trupin e saj.
Edhe pse nuk do të ketë më puthje në buzë, asaj i pëlqen një puthje në faqe, kokë dhe të gjitha përqafimet e mia.”