Xheni Karaj i është përgjigjur Evi Kokalarit, pas kritikave të kësaj të fundit për protestën e mbajtur një ditë më parë në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, ku Karaj dhe disa të tjerë kërkuan lirinë e Palestinës.
“E dashur Evi,
Gratë si ti që janë mësuar të jetojnë me thërrimet që pushteti i burrave “konservatorë” dhe patriarkal ju hedh në tavolinë si lëmoshë, duke ju dhënë vetëm iluzionin se jeni të barabarta me ta nuk e tejkalojnë dot mediokritetin e qenies së tyre.
Kur bëhet fjalë për dhunimin dhe vdekjen e mijëra fëmijëve, grave e burrave të pafajshëm, ju heshtni, ose edhe më keq, lehni pas tastierës për të sharë e për të diskredituar ata që ngrihen për ti thënë jo vrasjes dhe vdekjes.
Ironia është se ti, e cila pretendon se po mbron “themelin e kombit” duke sulmuar një grua që mbron të drejtat e njeriut, në fakt po mbron vetëm privilegjet e atyre që historikisht na kanë mohuar historikisht ne grave çdo të drejtë, çdo vend, çdo zë.
Ti zgjedh të shpërfillësh faktin që unë dhe shumë të tjerë dalim në rrugë jo për t’u pasuruar nga “fondet e Davosit” apo “Soros”, por sepse besojmë se çdo jetë ka vlerë dhe se dhuna nuk justifikohet kurrë.
Kur përmend me lehtësi dhe ligësi të frikshme se do të më blesh një biletë për në Gaza, vetëm për të përmbushur fantazinë tënde perverse ku mua më hedhin nga tarraca e një pallati sepse jam lesbike, ti nuk po më ofendon mua.
Ti në fakt po zbulon më shumë skëterrën që ke brënda vetes tënde, të cilën e ke mësuar nga pushtetet e burrave që adhuron.
Mos u shqetëso për mua Evkë. Unë do të vazhdoj të jem këtu.
Do të vazhdoj të flas për të drejtat e grave, për të drejtat e fëmijëve, për të drejtat e njerëzve që shtypen nga të gjitha regjimet.
Do të vazhdoj të luftoj për një botë ku asnjë grua të mos dhunohet, heshtë e të përkulë kokën përballë urrejtjes.
E ti, e dashur Evi, nëse një ditë vendos të lësh mënjanë thërrimet dhe të ngresh kokën, ne do të jemi këtu.
Deri atëherë, vazhdo vill vrer e ushqehu me fantazi perverse sepse ne të tjerët do të vazhdojmë të bëjmë punën që duhet bërë për të krijuar një botë më të drejtë”, shkruan Karaj.