6.5 C
Tirana
E premte, 27 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Ne, kriminelin e duam, martohemi e shtrihemi me të deri në… shtrat të vdekjes!

    Nga Romelda Bozhani

    Një natë dimri, tërë feksje dritash, në qytezën tonë italiane prej tetë mijë banorësh, u gjend një maçok i vrarë. I kishin vënë flakën me fishekzjarret e mbetura të Vitit të Ri dhe maçoku, që rastësisht qëlloi të ishte edhe jetim, edhe qorr, edhe plak, edhe i vetmuar, edhe grindavec, sipas atyre që e njihnin, ishte përpëlitur disa minuta mes flakësh e ngordhi.

    Nuk dua ta mendoj dhembjen e kafshës së gjorë, ato çastet e tmerrshme, që ndajnë jetën dhe vdjekjen e një maceje, si të ishte jeta dhe vdekja e një njeriu, por dua të ndalem te jehona që pati ky rast në jetën tonë, në qetësinë e kësaj qyteze, që i ngjet çdo lloj province tjetër, pa bujë e bëma të mëdha.

    Bubëlloi çdo gjë atë ditë. U ngritën të gjithë në këmbë për të gjetur fajtorin. Domethënë, në tetë mijë banorë: italianë, shqiptarë, rumunë, indianë, afrikanë, gra, burra, shoferë, pjatalarës, kuzhinierë, shitës, shtëpiake, sehirxhinj etj, duhet të gjendeshin ata dy, ose tre, ose një adoleshent bjerrakohës, që kriminel e bëri vrasja e një kafshe e jo e një njeriu.

    Erdhi ekipi i një televizioni kombëtar për të bërë lajm. Foli kryetari i bashkisë, kryetarja e shoqatës në mbrojtje të kafshëve, policia po e po, qytetarë të rastësishëm, njerëz të ngeshëm jo të rastësishëm. Doli në televizor, me shapkë në kokë, regjisori ynë i vetëm, që në kohë të lirë bëhet edhe i vetmi biletashitës, në të vetmin teatër të qytezës. Citoi ca vargje të Dantes e fët e fët donte t’i jepte zgjidhje çështjes. “Është çështje qytetarie”, tha. “Ka vdekur çdo ndjenjë, çdo gjë e bukur që na nderonte më parë”, shtoi me nxitim.

    U panë e u studiuan videot e zonës, u bë thirrje për rigjetje të atij njerëzillëku të dikurshëm, që, sipas brezit të vjetër, asnjëherë nuk i përmbush ca standarte në ditët e sotme. U premtua që fajtori do të gjendej, shoqëria do të aktivizohej më shumë për të ndërtuar modele për të qenë e jo gjysma gjel e gjysma kapua, si ky brezi i fundëm, etj, etj.

    E treguar kështu, duket sikur bëhet fjalë për ca ngjarje, që s’i përkasin botës sonë prej homo balcanicus. Ne s’kemi kohë e mendje të merremi me vrasjen e një maceje. Ne, vdekjen e kemi ende prej mishi e gjaku njeriu. Por, ja, që këtu, në një provincë të qetë italiane, që shërben si konvikt periferik i një qyteti të madh, ka ndërgjegje të mendohet se ç’do të bëhet me këta kriminelë të vegjël të së sotmes. Sepse kriminelë i quajtën.

    Në të tilla raste, një pyetje me zarar, fshihet atje poshtë, thellë, tek secili prej nesh. A mund të bëhen kriminelët e mëdhenj të së ardhmes, këta fëmijë që sot s’patën mëshirë të vrisnin një maçok endacak?! Po pse jo?! Edhe pse, jo domosdoshmërisht, them unë. Por nuk jam e sigurtë. Dhe nuk besoj se ndokush tjetër do vinte dorën në zjarr. Psikologjia, aq më pak.

    Me siguri, di vetëm një gjë, që për çdo krim, apo përdhunim, për çdo ngritje zëri, apo mbledhje grushti, për çdo kanosje vetullash, apo mospagim taksash, etj., këndej ane, kërkohet llogari e, në të njëjtën kohë, kërkohet edhe zgjidhja. Fajtorët e çdo thyerjeje rregulli, normeje, apo kriteri tjetër të një jete të shëndetshme, të vendosur nga një shoqëri e shëndetshme, edhe neve duhet të na bëjnë përshtypje, siç rëndom ndodh këtyre anëve.

    Është kohë e turbullt në Perëndim, por drejtësia funksionon ende dhe pse çeta e profetëve, domethënë turma, në rrjetet sociale, kërkon “gjak”, në mënyrë figurative dhe drejtësinë e pretendon si të vetmen zgjidhje.

    Në Ballkanin tonë, gjërat funsksionojnë pak (ose shumë!!!) më ndryshe. A i mbani mend, dikur?! Kazane të tëra plehrash që digjeshin për sport e për gajasje, lagje të pushtuara nga turma të dhunshme kokësopatash, pemë të masakruara, toka të marra me përdhunë, puseta uji të vjedhura, plehra të hedhura nga ballkonet, ballkone të dala arna-arna shtëpish të ndërtuara pa kritere e pa leje, mace të llahtarisura, që kërcenin pupthi bishtëprera, sy të qërruar, me flakë të vëna në putra, në qime, në mustaqe.

    Këta janë kriminelët tanë të vegjël, të së djeshmes, që s’na e kanë prishur ndonjëherë gjumin. Ndërsa sot, i ke aty, të gjithë në kompjuter, me emër e mbiemër, që shkruajnë e zezë mbi të bardhë, se si heronjtë e tyre të drogës, të vrasjeve, të dhunës, janë heronjtë e tyre të përditshëm e të përjetshëm. Kriminelët tanë të djeshëm, nuk i ka ngrënë meraku dje e nuk do t’i hajë meraku as mot.

    Janë shtrirë gjerë e gjatë e gju më gju me shoqërinë dhe me çetën virtuale, që i hanë duart gjithmonë. Komentojnë, u dalin përkrah vrazhdësisht dhe ashiqare bëmave të kriminelëve të të gjitha kohëve, të të gjitha racave. Ata përligjin krimin si burrëri. Skafistin e quajnë punëtor të guximshëm, që punon fort për të mbajtur familjen me bukë. Hajdutit i urojnë “me krahë të lehtë”, bosin e krimit dhe të drogës e quajnë vetëm bos dhe i heqin kapelen. Atij që i shet hashash fëmijëve tanë, fëmijëve të të tjerëve, nëpër sheshe, nëpër shkolla, nëpër rrugë, domethënë, gjithkund, nën hundën tonë, ia qajnë hallin se edhe ai ka familje. Kush përkrah e ushtron, domethënë, bën vajzat të ushtrojnë prostitucionin, është i zoti, që i ka hapur vend pune vetes në kohë krizash. E kush ushtron dhunë psikologjike, s’vihet re se ne njohim vetëm drurin dhe hurin.

    E ç’mund të thuhet për kriminelët?! Ne, kriminelin e duam, martohemi e shtrihemi me të deri në shtrat të vdekjes. Rasti i fundit i thirrjes së thanatosit, ndodhi vetëm pak ditë më parë, në Shkodër.

    Në buzë të Bunës shtrihet e pajetë një grua e re me fëmijët e saj. Ende. Përgjithmonë. Ky krim, duhet t’i rëndojë më shumë ndërgjegjes sonë, se sa dheut që e mbajti dhe s’tregon dot të vërtetën. Ajo bukuri e mjerë është viktima e sotme e një shoqërie të dobët, siç jemi ne, që nuk i denoncojmë e nuk i dënojmë kriminelët e vegjël të së djeshmes.

    Ata, të cilët, sot, dënimin me burg për lëndë narkotike, për vjedhje, për thyerje ligji, për përdhunime, apo krime të tjera “të vogla”, nuk e quajnë turp, po përvojë jetësore. Ata, që të keqen nuk e shohin si njollë të pakthim në jetën e një qytetari normal në një shoqëri normale, por e kanë qepur si lëkurë të dytë dhe i japin format e trupit të tyre.

    Në tokën tonë, bajlozët nuk dalin nga deti, por i kemi aty, mes nesh. I prekim çdo ditë, u japim kafe, u japim dorën e ata shtrihen ngado, si venduza, në çdo qelizë të shoqërisë e kërkojnë gjak, këlthasin hosana për antiheronjtë, na thonë mirëmëngjes në rrugë e na dërgojnë “zemra” në kompjuter.

    Janë ngjitur edhe deri lart, në foltoret e dijes, nga ku, për habinë time e të ca njerëzve të paktë, për të cilët drejtësia vazhdon të jetë peshorja e vetme e jetës dhe e vdekjes, e së mirës dhe së keqes, del një profesor i famshëm i çetave të profetëve, që, ex cathedra, në mënyrë krejt primitive, kërkon gjak të vërtetë, hakmarrje e vetëgjyqësi.

    Mos u ngutni ta quani “intelektual”, apo “profesor”. Edhe ai s’është gjë tjetër, veç një bajloz ballkanik.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit