9.5 C
Tirana
E hënë, 21 Tetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Në Spanjë vidhte shtëpitë e të famshmëve, në Shqipëri… drejtor Ujësjellësi

    Alfred Prodani, drejtori i Ujësjellësit të Kurbinit, i cili e mbante këtë detyrë prej 9 vitesh, kërkohej në Spanjë për vjedhje.

    Ai është arrestuar këtë të shtunë për llogari të Interpolit, pasi dyshohet se ka marë pjesë në të paktën 40 episode të vjedhjes me dhunë të banesave në vendin iberik.

    Ai nuk ka bërë rezistencë dhe më pas është dërguar në ambientet e Komisariatit të Policisë së Kurbinit deri në pritje të daljes së tij para gjykatës.

    Policia thotë se 41-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e La Korunjës, në vitin 2013, kishte lëshuar një urdhër-arresti për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.

    Në vitin 2019, Prodani ishte denoncuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, se kishte marë pjesë në grabitjen e shtëpisë së yllit të Real Madridit, Karim Benzema.

    Po ashtu në këtë denoncim, veç drejtorit të Ujësjellës Kanalizimeve në Kurbin, Alfred Prodani, akuzohej edhe përgjegjësi i Pallatit të Kulturës.

    Në mesazhin që një qytetar nga Laçi i kishte dërguar Berishës, thuhej se Prodani nuk është në krye të detyrës, pasi ndodhet i arrestuar në Spanjë.

    Akuzat e Berishës, Prodani i quajti në një reagim si të stisura dhe të motivuara politikisht.

    Më 27 shkurt të 2019, gjatë kohës që po luhej derbi mes Real Madrid dhe Barcelonës, banesa e Benzemasë ra pre e një grabitjeje.

    Mediat spanjolle lidhur me ngjarjen nuk kanë publikuar detaje, por dyshohet se në këtë ngjarje janë të përfshirë shtetas nga Shqipëria.

    Prej 9 vitesh, Alfred Prodani mbante postin e Drejtorit të Ujësjellës-Kanalizime në Kurbin, si përfaqësues i Partisë Socialiste.

    Edhe pse ndaj tij janë ngritur akuza të mëparshme, ai i ka mohuar, ndërsa nuk ka pasur vendim nga strukturat e mazhorancës për ta larguar nga detyra që mban prej ndryshimit të pushtetit nga Partia Demokratike te socialistët.

    Ndërkohë, prej 3 ditësh, për llogari të Spanjës, janë arrestuar në Shqipëri 7 persona, të dyshuar për trafik droge dhe vjedhje falë dhe një marrëveshjeje ekstradimi mes dy vendeve që hyri në fuqi prej 16 marsit.

    Mes tyre spikat edhe biznesmeni i pllakave dhe hidrosanitareve Nikolin Janina, i akuzuar si kreu i një grupi kriminal që merrej me trafikun e drogave të forta prej vitit 2015.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit