1.5 C
Tirana
E premte, 27 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Në Shqipëri lulëzon ndërtimi, hotelet, bizneset e shëndetit dhe IT, falimentojnë lokalet e tregtia me pakicë

    Viti 2021 ka qenë i mbarë për pak aktivitete ekonomike, ndërsa ka rezultuar i vështrë për shumë të tjerë.

    Sipas të dhënave të regjistrit të bizneseve të INSTAT, të përpunuara nga “Monitor”, tre ishin aktivitetet ekonomike që panë një rritje të ndjeshme, teknologjia e informacionit, bizneset e shëndetit dhe ndërtimi e aktivitetet e lidhura me të, si dhe hoteleria.

    -Numri i bizneseve të reja (shtesa neto) në aktivitetin e “shërbimeve të teknologjisë së informacionit” ishte 625, duke shënuar hapjet më të larta nga të gjitha aktivitetet e tjera ekonomike në vend. Në raport me vitin e mëparshëm rritja ishte 39%. Ne vetëm pak vite, numri i kompanive në këtë fushë është dyfishuar, duke i kaluar 2 mijë.

    Në shumë shtete të botës, po konstatohet lulëzimi i përdorimit të teknologjive të reja informatike, si për aplikacionet e shitblerjeve online, të kontrollit shëndetësor në mënyrë informatike dhe të aplikacioneve për lojëra virtuale, etj.

    Tendenca ka rritur ndjeshëm kërkesën për developer (zhvillues) në mbarë botën. Prania e dixhitalizimit në çdo fushë të jetës, zgjerimi i tregtisë online, konferencat virtuale që duket se do të vazhdojnë edhe pas pandemisë, nevoja për integrimin e të dhënave dhe analizën e tyre në kohë reale, po kërkon gjithnjë e më shumë profesionistë në fushën e Teknologjisë së Informacionit.

    Edhe për Shqipërinë, interesi është i lartë për ta shfrytëzuar si një treg të shërbimeve nga të tretët, siç po raportohet nga shumë biznese të fushës.

    Sipërmarrjet, si gjithnjë, janë të parat që nxitojnë të kapin trendin dhe të mos e lënë këtë mundësi t’u ikë nga duart, si dhe të përshtaten me realitetin e ri, ndonëse dhe ky segment po haset me mungesën e fuqisë punëtore, për shkak të niveleve të larta të emigrimit të të rinjve.

    Edhe aktiviteti i “Riparimit të kompjuterëve” dhe artikujve personale dhe familjarë shënoi rritje të numrit të bizneseve me 13.7%, duke i kaluar 3 mijë.

    -Pandemia krijoi probleme të mëdha në vend, si në drejtim të shëndetit të popullatës, ashtu dhe të tendencës së konsumit e punësimit. Por, për bizneset e lidhura me aktivitetin e shëndetit 2020-a dhe 2021-shi kanë qenë vite të arta.

    Kryerja e analizës dhe kërkesat për testet përpara udhëtimeve nxitën hapjen e shumë pikave të laboratorëve në vend. Në vitin 2021 u shtuan neto 301 subjekte të aktivitetit të shëndetit, me një rritje prej 8.3%, në raport me vitin e mëparshëm.. ndërsa në dy vitet e pandemisë u hapën gjithsej 440 subjekte të reja në këtë fushë. Numri i bizneseve të këtij aktiviteti po i afrohet 4 mijëve.

    -Teksa Shqipëria po bëhet një destinacion i preferuar turistik dhe kufizimet u lehtësua, aktiviteti i akomodimit shënoi një rritje të shpejtë. Në vitin 2021 u shtuan 262 njësi të reja akomoduese, duke arritur në total në 1633.

    -Ndërtimi dhe aktivitetet e lidhura me të vijuan ecurinë pozitive edhe në vitin 2021, pasi ishin nga të paktat që shënuan rritje në vitin pandemik 2020. Aktivitetet e “Punime të specializuara ndërtimi” dhe “Ndërtimi i ndërtesave” shtuan përkatësisht 262 dhe 185 biznese të reja.

    Të “falimentuarit”
    Biznesi i tregtisë me pakicë po vuan si tkurrjen e konsumit ashtu dhe konkurrencën nga rrjetet e organizuara të pakicës. Në vitin 2021 u mbyllën 1000 subjekte në këtë aktivitet, me rënie 3.1%. megjithatë, ky aktivitet vijon të mbizotërojë në vend, me 31 mijë subjekte, ose 26% të totalit.

    Baret dhe restorantet vijuan të kenë një vit negativ në 2021, ndonëse kufizimet u lehtësuan dhe aktiviteti ekonomik u gjallërua. Në vitin 2021 u mbyllën 854 aktivitete të shërbimeve të ushqimeve e pijeve, me rënie 5.2%.

    Në vend kanë gjithsej 15.5 mijë bare, nga 22 mijë në vitin 2015, duke qenë aktiviteti i dytë më i preferuar në vend, pas biznesit të pakicës (shih grafikun: Numri total i subjekteve, sipas aktivitetit ekonomik, 2021).

    Numri i bizneseve në vend u rrit vetëm me 1.1%

    Në total, në vend u shtuan rreth 1300 subjekte të reja në vitin 2021, sipas të dhënave të INSTAT, me një rritje vjetore prej 1.1%, ndonëse u hapën 15 mijë biznese të reja, por mbi 13.5 mijë të tjera u mbyllën ndërkohë.

    Ekonomia shqiptare, sipas INSTAT është e fokusuar kryesisht në aktivitetin tregtar dhe shërbime të tjera. Ndërmarrjet me aktivitet tregtar numërojnë 29,9% ndaj totalit të ndërmarrjeve të regjistruara gjatë vitit 2021. Aktiviteti tregtar realizon edhe xhiron vjetore më të madhe në ekonomi, me 39,6%.

    Rreth 85,6% e ndërmarrjeve janë ndërmarrje të vogla me 1-4 të punësuar dhe kontributi i tyre llogaritet në 21,7% në punësim dhe 17,8% në realizimin e xhiros vjetore.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit