Nga Namir Lapardhaja
Në Shqipëri të vjedh shteti, të vjedh edhe privati.
Shteti të vjedh me arrogancën e ligjit, privati me arrogancën e procedurave.
Për shtetin nuk ke ku të ankohesh, sepse të qëndruarit gjatë në pushtet ka bërë që përfaqësuesit e tij të jenë të pandjeshëm dhe njerëzve t’u normalizohet e keqja, ndërsa me privatin është edhe më keq, sepse, duke pasur mbështetje si pasojë e korruptimit të institucioneve përgjegjëse, tregohen edhe më arrogantë dhe të akullt nga shqetësimet e njerëzve.
Ka me qindra dhe mijëra ankesa për kompaninë telefonike ONE.
Kam parë qytetarë të thjeshtë dhe deputetë që të ngrenë shqetësimet e tyre, por asnjë masë dhe reagim.
A ekziston AKEP-i në këtë vend?! A i marrin në konsideratë ankesat dhe shqetësimet e klientëve ndaj njërës prej kompanive më të mëdha telefonike në vend?!
Prej një javë po përpiqem të shkëpusë kontratën njëvjeçare me këtë kompani, mirëpo, edhe pse kam bërë të gjitha shlyerjet, procedurat dhe kam shkuar përditë pranë zyrave të tyre, sërish më zvarrisin, duke dashur të më mbajnë peng me patjetër, pavarësisht dëshirës sime.
Arroganca duket që te punonjësi më i thjeshtë i kompanisë e duke vijuar tek kujdesi i klientit me kontratë, të cilët, me sa kuptoj, janë instruktuar dhe udhëzuar për t’u sjell në mënyrë të poshtër dhe hileqare me klientët.
Përdorin një gjuhë të drunjtë, një arsyetim të mangët, një arrogancë në komunikim dhe sjellje saqë të lënë pa fjalë. Madje, të denatyrëzojnë.
Përgjigjet e tyre janë shpeshherë fyese për inteligjencën mesatare.
Vetëm në Shqipëri kompanitë telefonike të mbajnë peng, duke të zvarritur për të zgjidhur për një muaj atë që të kanë lidhur për një ditë.
Dhe kompania e telefonisë celulare ONE, me ç’duket, qenka kulmi i poshtërsisë, i arrogancës, i hilesë dhe i vjedhjes me procedurë.
Të vjen ndot nga vetja kur sheh se sa i pafuqishëm je për një gjë kaq banale dhe kur e kupton se nuk ke asnjë mundësi për ta ndryshuar këtë realitet.