Ish-kryebashkiaku i Vorës Agim Kajmaku, është arrestuar nga policia italiane me 20 kg drogë.
Ai është kapur pasi është vëzhguar për disa orë nga një njësi e specializuar e policisë italiane në luftën ndaj narkotikëve.
Burimet bëjnë me dije se për rreh 60 ditë Kajmaku dhe grupi të cilit i shërbente ishte nën vënzhgim të rreptë 24 orë.
Për të ndjekur hap pas hapi çdo lëvizje të tij, policia italiane kishte montuar kamera në disa akse banesa dhe lagje ku kryheshin bisedat dhe takimet që kishin tematikë aktivitetin e paligjshëm të lëndëve narkotike në shtetin fqinj dhe Europë.
Një burim pranë policisë shqiptare tha se Kajmaku është arrestuar që në 27 maj me drogë me vete.
Autoritetet italiane kanë kërkuar informacione te autoritetet shqiptare në lidhje me këtë shtetas i cili ka qenë ndër personat më të rinj që i është bashkuar grupit. Për më shumë se 8 muaj policia italiane kishte rënë në gjurmët e tij, ndërsa nisi ta mbante në vëzhgim derisa u arrestua me 20 kilogramë kokainë.
E shkuara e Kajmakut
Kajmaku u zgjodh në krye të Bashkisë Vorë në zgjedhjet e 30 qershorit 2019, por u denoncua nga PD se kishte fshehur dënimin në Greqi për falsifikim parash dhe se kjo nuk ishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit.
Fillimisht kjo u mohua prej tij, por më pas u vërtetua nga prokuroria e Tiranës përmes një letërporosie dërguar autoriteteve greke se ai ishte në kërkim në 2003 për falsifikim të kartëmonedhave dhe nuk ishte arrestuar pasi kishte ikur në Shqipëri.
Nga përgjigjja që Interpol Greqia dhe Interpol Tirana i kanë dërguar Prokurorisë së Përgjithshme, është vërtetuar se gjurmët e gishtërinjve të Agim Kajmakut janë të njëjta me Jorgo Toton, i cili është arrestuar në Greqi dhe këtë arrestim nuk e ka deklaruar kur ai kandidoi për zgjedhjet e 30 qershorit nën siglën e PS-së. Pasi u provuan akuzat, KQZ i hoqi mandatin Kajmakut.
Agim Kajmaku u arrestua në korrik 2020, disa muaj pasi ishte shpallur në kërkim, në një spital privat në Tiranë ku po trajtohej për probleme shëndetësore.
Por dy ditë pas ndalimit, Kajmaku u la i lirë më 8 korrik 2020, kur Gjykata e Apelit ndryshoi masën e shkallës së parë nga ‘arrest me burg’ në ‘detyrim paraqitje’.
Tashmë ai arrestohet serish ne Itali.