Një shtetas nga Venezuela është vënë në prangat e policisë, pas goditjes së rrjetit të trafikut të prostitucionit në Tiranë.
Shtetasi nga Venezuela ishte edhe organizatorii këtij grupi të prostitucionit.
Në pranga ka rënë edhe një shtetas tjetër dhe gjithashtu ka nisur procedimi për një 19-vjeçar.
Djemtë linin takime online, për të cilat paguheshin nga 150 deri në 300 euro.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “ET-1”, për goditjen e një rrjeti prostitucioni.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 3.
Vihet në pranga 1 shtetas nga Venezuela, organizator i rrjetit të prostitucionit, në Tiranë.
Vihet në pranga 1 shtetas tjetër i huaj dhe procedohet penalisht një 19-vjeçar, që kishin ardhur në Shqipëri, për të ushtruar prostitucion.
DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 3, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “ET-1”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi i shtetasve G. J., 29 vjeç, dhe D. C., 31 vjeç, dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi A. S., 19 vjeç, të tre banues provizorë në Tiranë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi G. J. shfrytëzonte për prostitucion, dy shtetasit e tjerë, të cilët kishin ardhur nga vende të ndryshme, në Shqipëri, ishin akomoduar në një banesë me qira, në rrugën “Kongresi i Tiranës”, dhe nëpërmjet një faqeje në internet, krijonin kontakte me njerëz të ndryshëm, për të ushtruar prostitucionin, kundrejt pagesave 150-300 euro.
Vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë.



