8.5 C
Tirana
E mërkurë, 10 Dhjetor, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    “Nga 6 mijë banorët e ishullit, vetëm 90 nuk ishin shqiptarë” – Grekët dhe shqiptarët, sipas një profesori britanik

    James Pettifer, ekspert për Ballkanin Jugor, profesor në Universitetin e Oksfordit ka shkruar librin “Grekët”.

    Ndryshe nga retorika e zakonshme politike që priret të jetë shumë hipokrite, profesor Petifer është realist: Ai thotë se në fakt historia tregon se grekët dhe shqiptarët nuk janë dy popuj miq.

    Pettifer është autor i një numri të madh librash të njohura për lexuesin shqiptar si “Çështja shqiptare – riformësimi i Ballkanit’, “Shqipëria nga anarkia tek një identitet ballkanik” (bashkë me Miranda Vickers), etj

    Nga libri ‘Grekët’, kemi shkëputur fragmentin e mëposhtëm:

    “…Në dhjetor 1990 një valë refugjatësh të varfër shqiptarë shkuan në Greqi. Në fillim ata u mirëpritën nga grekët vendorë, të cilët siguruan ushqim për gojët e uritura dhe këpucë për të zbathurit. Por, ndërkohë që valët shtoheshin përgjatë muajve vijues, bujaria dhe toleranca filluan të shteronin. Veprimtaria policore greke u bë e vendosur, për të mos thënë brutale në disa raste, me vdekje të shumta refugjatësh shqiptarë dhe dhunime të të drejtave të njeriut.

    Por emigrantët e viteve ’90 nuk janë të vetmit shqiptarë në Greqinë e sotme.

    Mjafton të udhëtosh vetëm  16 km jashtë Athinës në Atikën rurale për të gjetur fshatra si Aspro-pirgosi apo Fili, ku shumica e banorëve janë me prejardhje shqiptare dhe ku shumë nga brezi i vjetër parapëlqejnë të flasin gjuhën e tyre. 

    Disa nga këta shqiptarë ishin refugjatë nga persekutimet fetare nën sundimin osman, besimtarë të krishterë. Zgjatja e qëndrimit të tyre nuk u pëlqye gjerësisht, por ata mbetën.

    Enciklopedia britanike e 1906-ës thotë se popullsia e ishullit Salamis, mu në prag të Athinës, ishte rreth 6 mijë njerëz, nga të cilët, të gjithë ishin shqiptarë.

    Vetëm 90 prej tyre ishin grekë.

    Ata nuk ishin refugjatë, por pjesë e garnizonit të madh osman dhe aparatit administrativ me bazë në Greqi gjatë Perandorisë Osmane.

    Në këtë Perandori shqiptarët mbajtën shumë pozita drejtuese përgjatë shekullit të nëntëmbëdhjetë në Greqi.

    Kjo është arsyeja pse ende sot nga shumica e grekëve, shqiptarët shihen me të njëjtin su që ata shohin turqit.

    Një a dy breza më mbrapa, marrëdhëniet shqiptaro-greke u bënë prapë shumë të këqija – por për arsye të tjera. Nisën shenjat e para të lëvizjeve për revoltë nga nacionalistë grekë kundër turqve. Pasi këto dështuan, grupe shqiptarësh u dërguan nga Porta e Lartë për t’i shtypur, sidomos në Peloponez, që ishte vatra e lëvizjes greke për pavarësi. 

    Por historia më e vonë, ajo e pas Luftës ka qenë më e vështira. Shqipëria u bë komuniste dhe u përpoq të ndihmonte ushtrinë komuniste greke përgjatë Luftës Civile, si duke dhënë furnizime, ashtu dhe duke shërbyer si një bazë rigrupimi për grekët.

    Mundja e të majtës në luftën civile greke bëri që Shqipëria të mbahej në izolim gati hermetik nga Greqia.  Incidentet me të shtëna armësh në kufi ishin diçka e rregullt për shumë vite. 

    Si rezultat, dy vendet ishin teknikisht në luftë për shumë vjet dhe marrëdhëniet diplomatike nuk u rivendosën deri në vitet ’70.

    Në themel të shumë problemeve është fakti se Greqia historikisht ka pretenduar zona të gjera të territorit shqiptar, duke vajtur larg, deri në luginën e Shkumbinit në Shqipërinë qendrore.

    Ajo që sot është Shqipëria jugore quhet Vorio Epir (Epiri Verior) nga shumë grekë.

    Ky territor iu dha Greqisë në 1914-ën, kur Fuqitë e Mëdha po përpiqeshin të vinin rregull pas Luftës së Dytë Ballkanike.

     Por vendimi i 1914-ës u revokua nga Konferenca e Ambasadorëve në Paris në vitin 1921, kur Fuqitë e ndjenë që e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund anarkisë në Shqipëri ishte të vendosnin një shtet të qendërsuar me bazë në Tiranë. 

    Megjithatë, shumë grekë, jo të gjithë të së djathtës ekstreme, digjen për kthimin e këtij vendimi mbrapsht dhe përfshirjen e këtyre territoreve në Greqi.

    Por çështja e numrave dhe origjinës së grekëve në Shqipëri është shumë e diskutueshme.

    Shqiptarët thonë se grekët janë sjellë si punëtorë me kontrata nga bejlerët turq në kohët e sundimit osman.

    Grekët thonë se ka patur koloni greke në rajon, që nga lëvizjet fillestare të tribuve parahistorike.

    Profesor Sederholm-i nga Finlanda, që ishte në krye të hetimit të Ligës së Kombeve mbi problemin shqiptaro-greknë vitet 1921-23, përllogariti një numër total greqisht folësish që ishte vetëm 35 deri në 40 mijë vetë.

    Në kohën e pushtimit të Shqipërisë nga Italia në prill të vitit 1939, shqiptarët njihnin një minoritet grekësh prej vetëm rreth 20 mijë vetësh…”

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit