Nga Entela Resuli
Jetoj te “Komuna e Parisit”. Për shkak të vajzave të vogla, në punë shkoj me orar të kufizuar. Terreni është dëshira ime më e madhe.
Vetëm brenda këtij muaji nuk e kam pasur fare të nevojshme, sepse ngjarjet më kanë ardhur në lagje.
Nga ballkoni i shtëpisë kam filmuar disa raste: sherre, konflikte mes njerëzve, përplasje me policinë, deri edhe vrasje.
24 shtator — dy djem u përleshën mes tyre, skena të llahtarshme që shkaktuan panik mes banorëve, në mes të ditës, në mes të rrugës!
28 tetor — picieri ther kamerierin me thikë; njëri vdiq, tjetri përfundoi në burg.
12 nëntor — një i ri nuk i bindet policisë; këta të fundit e marrin zvarrë dhe e fusin në furgon, ndërsa dhjetëra burra të tjerë i shkojnë nga pas për ta “shpëtuar”!
Një lagje, kaq shumë ngjarje — të gjitha me tension, dhunë dhe humbje jete.
Një vend me më pak se 2 milionë banorë të mbetur, që çdo ditë prodhon vrasje, aksidente, sherre…
Boh! A ka diçka që nuk shkon këtu? Apo jetojmë brenda një fluske tensioni që vetëm fryhet dhe nuk dihet se kur — e nëse — do të plas ndonjëherë!
A ka një stres të vazhdueshëm, konstant, që po zgjat në kohë, duke i bërë njerëzit më agresivë, më të lodhur, më të demoralizuar?
A po thellohen çdo ditë e më shumë shtresat ekonomike — disa shumë të pasur që e ekspozojnë luksin e tyre, dhe të tjerë që me vështirësi kalojnë muajin?
A shoqërohet kjo me një krizë identiteti, ku krahasimi është i pashmangshëm?
Apo ndoshta duhet që të gjithë bashkë të futemi në ato kurset e motivimit, që çfarëdo të ndodhë rreth nesh ta shohim “me ngjyra”?



