Nga Bledi Mane
Janë dy monumente burrash të rëndë në dy kryeqytetet respektive shqiptare Tiranë e Prishtinë. I pari monument i kushtohet presidentit Wilson, i dyti monument i kushtohet presidentit Bill Clinton. Këta dy burra në dy shekuj të ndryshëm me kurajo e pa burokraci diplomatike vunë veton e tyre e i dhanë shqiptarisë andej e këtej kufirit vendin dhe respektin që meriton. Si rrallë herë tashmë kemi dy shtete shqiptare në mes të Ballkanit e mu në mes të Evropës dashakeqe vetëm falë Amerikës…
Nëse Wilson nuk do kishte njohur pavarësinë e Shqipërisë në vitin e largët 1919 sot asnjë prej kodoshëve të bulmetosur të televizionit të Astirit nuk do kishte mundësi që në liri të plotë të bërtiste e të firmoste peticione kundër ambasadores amerikane në Tiranë. Dhe më konkretisht gazetari nga Kruma e Hasit të Kukësit Qim Peka sot do ishte një serb i tjetërsuar e do punonte çirak në punishtet e suxhukut në Beograd. Ylli Manjani do paguhej si agjent i dyfishtë serbo-rus duke spiunuar shqiptarët intelektualë të Prizrenit e si shpërblim do i jepnin të drejtët për të vazhduar gjimnazin bujqësor në Nish të Serbisë. Atë mysybetin tjetër Andi Bejtja do e kishte arrestuar Policia Federative Jugosllave sepse do e kallëzonin penalisht kazinotë e Podgoricës për borxhet e shumta që do akumulonte në kumar dhe pasi ta dënonte gjykata do ishte duke bërë burgun në Novi Sad me Baton Haxhiun.
Por fatmirësisht dëshira, vullneti dhe “pacipësia” amerikane na njohën pavarësitë dhe sot na mbrojnë nga skuthëria e Evropës dhe e Rusisë. Nuk kishte më nerva Amerika të priste burokratët dhe diplomatët kodoshë të kontinentit të cilët ia coptuan shqiptarit emrin, ymrin, tokat…
“Pacipësia” e diplomacisë amerikane njëkohësisht nuk mund të priste 32 vite në hallakatjen e ngritjes së institucioneve publike shqiptare por përveshi mëngët dhe filloi me reformën në drejtësi dhe pastrimin e politikës nga arnautët e krimit. Ndaj kur shikoni tek mallkojnë e helmojnë Qimi, Ylli, Andi e të tjerë mysybetër një ambasadore të huaj në këtë vend mos u shqetësoni për humbje sovraniteti të Shqipërisë. Ky vend i vjedhur e i plagosur nga klasa politike e këtushme është me fat që ka një tutore si Amerika se përndryshe do kishim humbur e do ishim tretur.
Amerika po merret me punë të mëdha andej nga Ukraina ndaj rebelëve folklorikë të Tiranës u ka lenë një grua të fortë që ua “shtyp kokën” sa herë i bëjnë avokatinë djallit dhe djajve të majtë e të djathtë. Ndaj mos na lëntë Zoti pa mbështetjen amerikane se përndryshe do ishim asimiluar të gjithë si komb, nuk do kishte lindur atdheu një gazetar si Qim Peka, nuk do kishim as Syri Tv në Astir, nuk do firmosnim dot as peticionet e Ylli Manjanit kundër ambasadorëve!