6.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Nga Bledi Mane: Një provincial i kërkon falje Tiranës

    Nga Bledi Mane

    1.

    Në mesprillin e vitit të largët 1983, një grup i vogël fëmijësh përmetarë zbritën nga autobuzi që i solli në Ballsh dhe nxituan plot zhurmë të hipnin në trenin që do i çonte drejt Tiranës. Ishin ftuar të merrnin pjesë në konkursin “Të njohim vendlindjen” që organizonte Televizioni Shqiptar me prezantuese teta Marjeta Ljarjan. Vocërakët provincialë pasi zunë vende në vagonin e rradhës, nuk i lanë pasagjerët e tjerë të gjenin qetësi por gjithësesi këta të fundit qeshnin me kureshtjen e tyre tek vareshin nëpër dritare dhe kundronin pamjet…

    Puset e naftës, era e rëndë, Fieri, fushat e Myzeqesë, Lushnja, Rrogozhina, Kavaja, pishat e panumërta të Golemit, deti Adriatik, Durrësi, Vora dhe më në fund Tirana. Stacioni i madh i trenit, qindra njerëz, zëri i bukur i tetës që fliste nga altoporlantët, mbrëmja e ngrohtë kryeqytetase e pranverës, drita pa fund dhe urdhëri i prerë i mësuesve tanë që të kapeshim të gjithe prej dore se do ecnim përmes bulevardit për të shkuar te Hotel Valbona.

    I vetmi që nuk zbatova këshillën, isha unë. Pavarësisht se ishte hera e parë që po shkelja në Tiranë, nuk kisha frikë se do humbisja mes gjithë asaj “rrëmuje të organizuar” sepse e ndjeva që mes meje dhe kryeqytetit kishte alkimi. Unë rashë në dashuri me shikim të parë…

    2.

    E dini si më shëmbëllen Tirana?

    Si një femër që qendron pezull, as rinohet e as plaket. Si një vajzë pa moshë që e kane dermuar hallet e brengat e kurrë nuk ankohet. Një vajzë e bukur e dobët, me kokalla të dala, me fustanet e grisuar, me flokët e shkulura, me shenjat e dhunës në fytyrë e trup por që nuk e shëmtojnë, thjesht i shtojnë fisnikërinë.

    Iu dyndën Tiranës së gjorë Toptanët e Krujës, Zogollët e Matit, Hoxhajt e Gjirokastrës, Aliajt e Shkodrës, Berishajt e Viçidolit, Kolekat e Bregut, Metat e Skraparit dhe i mirëpriti. Për çudi ua hapi dyert dhe gjeti vend për të gjithë. U dha ujë, u dha për të ngrënë, u bëri konak për të fjetur por halabakët u çuan natën fshehurazi dhe ia vodhën tokat, djepin, jorganët, bukën e si gjithmonë Tirana i fali.

    Oh sa shpirtgjerë ky qytet edhe kur e menderosën osmanët, edhe kur e ndërtuan italianët, edhe kur e dogjën gjermanët, edhe kur e gjakosën komunistët, edhe kur e iluminuan ballistët, edhe kur e zaptuan nordikët, edhe kur e sëmurën anemikët, edhe kur e zhvatën skraparllinjtë, edhe kur e damkosën farinjtë, edhe kur e vranë demokratët, edhe kur e sunduan satrapët, edhe kur e vodhën socialistët, edhe kur e zgjuan mjaftistët.

    3.

    Në pranverën e dytë të vitit të largët 1983, 10 fëmijë përmetarë, zbritën zhurmshëm në stacionin e trenit në Tiranë dhe qysh atëhere 8 prej tyre vendosën të jetojnë këtu. Simbolika është e qartë sepse nga trojet e gjithë Shqipërisë, jo vetëm 8 por 800 mijë prej tyre këtu po jetojnë. Është turp ta thuash se jo të gjithë ne jabanxhinjtë e duam Tiranën ngaqë e vjedhim, e ndotim, e plagosim, e gjakosim, e poshtërojmë pa fund por Tirana vazhdon të na dojë çdo minutë.

    Ndaj është e bukur Tirana sepse nuk hakmerret kurrë.

    Faleminderit ju banorët autoktonë për mikpritjen, faleminderit Tiranë, më i bukuri kryeqyteti shqiptar në botë!

    🙆‍♂️❤🇦🇱🙏🙋‍♂️

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit