6.5 C
Tirana
E martë, 24 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Nga implikimi në videoskandalin e Metës deri tek pushimi i dosjes së Bashës për lobimin rus, vettingu shkarkon përfundimisht gjyqtaren Shpresa Beçaj

    Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA njoftoi të enjten më 1 dhjetor 2022 vendimin për lënien në fuqi të shkarkimit nga detyra të ish-kryetares së Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj. Vendimi për rëzimin e ankimit të Beçajt ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK është marrë në mënyrë unanime në dhomë këshillimi nga trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Rezarta Schuetz, me relatore Mimoza Tasin dhe anëtarë Albana Shtyllën, Ina Ramën dhe Sokol Çomon, duke e larguar përfundimisht këtë subjekt rivlerësimi nga sistemi i drejtësisë.

    Beçaj u shkarkua nga Komisioni më 3 korrik të vitit 2020, pasi u çmua se ajo kishte pasur detyrimin për të dorëzuar deklaratat për pasurisë, figurën dhe profesionalizimit brenda afatit të përcaktuar në ligj. Pretendimet e Beçajt se nuk ishte “gjyqtare në detyrë” në kohën e hyrjes në fuqi të legjislacionit të vetingut dhe se statusi i saj ishte i paqartë, u vlerësuan nga KPK si të pabazuara në ligj e të paprovuara.

    Paqartësitë e pretenduara prej Beçajt lidhur me statusin e saj të magjistratit pas mbarimit të mandatit në Gjykatën e Lartë dhe vonesën e riemërimit në Gjykatën e Apelit u cilësuan si të padrejta nga Komisioni. Sipas KPK, Beçaj kishte fituar të drejtën e riemërimit në Gjykatën e Apelit Tiranë, si dhe shpërblimin e pagave të prapambetura falë statusit të magjistratit që gëzonte.

    Në vendim konstatohet se Beçaj, falë eksperiencës dhe statusit që gëzonte, mund të kishte vlerësuar në mënyrë të saktë detyrimet që mbartte në funksion të procesit të rivlerësimit.

    Shpresa Beçaj ka përfunduar studimet në drejtësi në vitin 1983 dhe e ka filluar karrierën si gjyqtare nga Gjykata e Gramshit. Ajo u emërua gjyqtare në Tiranë në vitin 1990 ndërsa në vitin 1994 u promovua si gjyqtare e Apelit të Tiranës. Në vitin 2004, Beçaj u dekretua gjyqtare në Gjykatën e Lartë ndërsa 4 vjet më pas u emërua kryetare e kësaj gjykate. Me përfundimin e mandatit në vitin 2013, Beçaj udhëhoqi një betejë ligjore kundër Këshillit të Lartë të Drejtësi për t’u rikthyer në Gjykatën e Apelit të Tiranës dhe e fitoi atë. Megjithatë, vendimi për emërimin e saj në Gjykatën e Apelit u shty deri në vitin 2018.

    Emri i gjyqtares Shpresa Beçaj lidhet me disa çështje të rëndësishme, si  nga implikimi në videoskandalin e Metës deri tek pushimi i dosjes së Bashës për lobimin rus.

    Po kush është Shpresa Beçaj, çështjet për të cilat është përfolur, karriera dhe vendimet më të bujshme?
    Zonja Beçaj ka lindur në Kukës dhe është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë, në vitin 1983. Me mbarimin e fakultetit është emëruar fillimisht kryesekretare në Gjykatën e Gramshit dhe më pas këshilltare në këtë gjykatë. Në 1987 është emëruar gjyqtare në Gramsh dhe më vitin 1990 gjyqtare në Tiranë. Në vitin 1994 është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Apelit Tiranë, ndërsa 10 vite më vonë, në 2004, është emëruar me dekret të Bamir Topit kryetare e Gjykatës së Lartë.

    Ndërkaq, emri i Shpesa Beçajt u përmend në një kontekst komprometues nga Ilir Meta në videoskandalin në zyrën e Dritan Priftit, publikuar në vitin 2011, duke tronditur opinionin publik dhe bërë bujë edhe në arenën ndërkombëtare. Në atë kohë Meta ishte ministër i Jashtëm në qeverinë e Sali Berishës, ndërsa Prifti ministër Ekonomie, i propozuar nga Meta. Duke folur për pazare koncesionesh, emërimesh dhe interesash të ndryshëm, Meta i thotë Priftit se i ka punën mirë me Shpresa Beçajn, pasi i ka emëruar vajzën si diplomate në Austri.

    “Absolutisht po, apeli është i formës së prerë, t’i mund ta zbatosh, do ta çojnë më tej. Ata le ta çojnë, por prapë mbyllet, do të flas unë me Shpresën, i kam marrëdhëniet shumë mirë, i çova vajzën në ambasadë”, thotë Meta, duke i kërkuar Priftit të vepronte për një koncesion, në videon e njohur si  “blloku i zi” apo “7 përqindëshi”. Dhe e vërteta ishte se vajza e zonjës Beçaj ishte emëruar diplomate në Austri. Ajo u zëvendësua në këtë post një vit më vonë, pra në 2012.

    Në zgjedhjet e 2017, vajza e Shpresa Beçajt, Selvi Beçaj, u kandidua nga LSI, me në krye Metën, në Kukës për deputete, por nuk rezultoi fituese.

    Gjatë vitit 2012, Gjykata e Lartë shpalli Metën të pafajshëm, duke rrëzuar akuzat e prokurorisë, e cila kërkoi dy vite burg për Metën, për korrupsion aktiv. Beçaj nuk ishte pjesë e trupit gjykues, por kryetare e gjykatës. Kundër pafajësisë së Metës votoi vetëm Ardian Dvorani, i vetmi që i shpëtoi Vetingut, dhe që është vënë në shënjestër të sulmeve nga Meta dhe Berisha.

    Zonjës Beçaj i mbaroi mandati në vitin 2013, por KLD me në krye Bujar Nishanin refuzoi ta kthente në drejtësi, si gjyqtare e Apelit, siç e parashikonte ligji. Beçaj fitoi përballjet gjyqësore me KLD. Në maji të vitit 2018, KLD, tashmë me në krye Ilir Metën, e ktheu zonjën Beçaj gjyqtare e Apelit në Tiranë.

    Disa ditë më parë, Shpresa Beçaj ishte pjesë një turpe gjykuese në Apel, e cila la në fuqi vendimin e gjyqtarit Lazër Sallaku, për mbylljen e dosjes së Lulzim Bashës për lobimin rus. Dy anëtarët e tjerë ishin Alaudin Malaj dhe Shkëlqim Mustafa. Treshja ‘vulosi’ dosjen e lobimit, duke pushuar akuzën ndaj Lulzim Bashës, lidhur me pretendimet e prokurorisë për falsifikimin e dokumenteve në rastin e mosdeklarimit të 675 mijë dollarëve që kompania amerikane Muzin Capitol Partners kishte pohuar se kishte marrë për aktivitetet në favor të Partisë Demokratike. Pyetja se ku i ka marrë PD 675 mijë dollarë dhe pse nuk i ka deklaruar në KQZ sipas ligjit, ka mbetur pa përgjigje nga drejtësia.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit