Një investigim i publikuar sot për nënkryetarin e Bashkisë së Tiranës, Blendi Sulaj, e akuzon këtë të fundit se ka ndërtuar përtej lejes ndërtimore në zonën e Mjull Bathores.
Dokumentet e publikuara flasin për devijime të njëpasnjëshme, përfshirë ndërtim jashtë kufijve të pronës së regjistruar, pishinë, mur rrethues dhe ndryshime në fasadë, materiale që shkojnë përtej asaj që parashikon leja ndërtimore, etj.
Vetë Sulaj i ka mohuar këto pretendime, por ky rast nuk mund të kufizohet te një objekt privat. Kjo histori është më shumë se një çështje urbanistike dhe lidhet me fytyrën morale të administratës që predikon ligj dhe barazi, por që në praktikë i përkul rregullat për të vetët.
Së pari publiku duhet të mësojë kush është nënkryetari i ri i Bashkisë së Tiranës. Këtu ironia është therrëse: Blendi Sulaj është aktivist i njohur i PD, pjesë e asaj opozite – që pak muaj më parë – hidhte molotovë mbi Bashkinë e Tiranës në demonstratat kundër Erion Veliajt.
Sot ai është emëruar nënkryetar në të njëjtën bashki, pas “spastrimit” të fundit që solli në drejtim njerëzit e besuar të Belinda Ballukut, Ogerta Manastirliut dhe grupit që ka marrë kontrollin e pushtetit lokal në Tiranë.
Veçmas kësaj, sot pyetja është: Çfarë vlere ka një fushatë prishjesh dhe legaliteti në Tiranë, nëse një zyrtar shumë i lartë i Bashkisë dyshohet vetë për ndërtim jashtë normës?
Në një periudhë kur fadromat po shembin nga tendat e lokaleve deri te vila të tëra në Farkë dhe shteti po ndëshkon qytetarët për çdo tejkalim leje, ky rast – nëse verifikohet – është krejtësisht pamoral. Ai e shemb besimin te ligji dhe ekspozon edhe njëherë tjetër hipokrizinë e pushtetit
Në Tiranë këto ditë çdo gur, çdo mur dhe çdo pishinë po matet me metër e me drone. Si mund të ketë “gabime teknike” për ata që drejtojnë vetë procesin?! Nëse një nënkryetar bashkie nuk i përmbahet lejes, si mund të kërkohet rregull nga qytetari i zakonshëm?
Tirana dhe gjithë Shqipëria sot nuk vuajnë nga mungesa e rregullave, por nga mungesa e shembujve. A ka shembull më të keq se kur ata që dje protestonin për moralin publik, rezulton që sot e shkelin vetë me ruspën e pushtetit?



