Nga Roland Qafoku
Përse janë sulmuar, dhunuar dhe vrarë politikanët në Shqipëri? Një analizë për të gjitha rastet e dhunës fizike ndaj politikanëve që nga vitit 1990 e deri më sot dhe pasojat që kanë sjellë. Nga sulmet ndaj Berishës, Nanos, Metës e deri ndaj Edi Ramës.
Sali Berisha, Fatos Nano, Ilir Meta dhe Edi Rama janë politikanët që jo vetëm kanë dominuar politikën shqiptare në këto 32 vjet, porse jeta e tyre ka qenë e rrezikuar seriozisht nga sulmet dhe dhuna fizike, por edhe me armë në disa raste. Një dhunë që në politikën shqiptare është tradita më e turpshme dhe që nuk ka asnjë krahasim në botë. Përcaktimi armik për vdekje ndaj kundërshtarit politik ka qenë bashkëudhëtare përgjatë gjithë historisë 110-vjeçare të shtetit tonë që nisin me vrasje ndërkohë që në ditët tonë është përzjerë herë me vrasje dhe herë e zbutur me rrahje. Rasti i goditjes së ish-kryeministrit dhe ish-presidentit Sali Berisha më 6 dhjetor tregoi jo vetëm që dhuna është rikthyer, porse kjo është mënyra normale e funksionimit të politikës tonë. Mjafton të japim disa shifra të nxjerrë nga studimet që unë kam kryer dhe ky konkluzion besohet është i konfirmuar. Nga 33 kryeministra që ka në 110 vjet shtet shqiptar, 10 kryeministra janë vrarë në rrethana të ndryshme qoftë në detyrë dhe qoftë pas saj. Është një shifër e frikshme që të bënë të mendosh gjatë.
Edhe më e rëndë bëhet kjo nëse mendon se edhe ai që e themeloi këtë shtet dhe që ishte kryeministri i parë është vrarë. Ismail Qemal Vlorën e helmuan kundërshtarët politikë në atë janar të vitit 1919 pas një komploti. Vijojmë më tej. Kryeministri Mehmet Shehu u gjend i vrarë në dhomën e gjumit. Katër kryeministra janë vrarë në atentat: Esad Toptani, Qazim Koculi, Idhomen Kosturi dhe Hasan Prishtina. Katër kryeminitra janë vrarë në rrethana të dyshimta: Ismail Qemali është helmuar, Mustafa Kruja vdiq gjatë një operacioni kirurgjikal plot dyshime, Kostaq Kotta vdiq në tortura eksperiment në burgun e Burrelit, Adil Çarçani e la veten të vdiste me dëshirë. Një kryeministër, Maliq Bushati është pushkatuar me vendim gjykate si tradhëtar. Dhuna ndaj kryeministrave vijoi edhe pas vdekjes; 7 kryeministra ende e kanë varrin jashtë Shqipërisë dhe për më shumë se katër dekada trupi i tyre nuk lejohej të vinte në atdhe: Esad Toptani, Turhan Pashë Përmeti, Shefqet Vërlaci, Fan Noli, Mehdi Frashëri, Rexhep Mitrovica, Fiqiri Dine. Dhe turpi i turpeve për kombin tonë 6 kryeministtra nuk kanë fare varr: Iljaz Vrioni, Idhomen Kosturi, Xhaferr Ypi, Kostaq Kotta, Eqrem Libohova dhe Maliq Bushati.
Lista me dhunë që u ka marrë jetën mund ta vijojmë me ministrat e Brendshëm: Nga 64 ministra të brendshëm që ka shteti shqiptar, 8 prej tyre janë vrarë në rrethana të ndryshme qoftë në detyrë qoftë pas saj. Tetë të tjerë janë pushkatuar si armiq politikë, pesë janë dënuar me vdekje dhe 3 janë dënuar për genocid, ndërkohë që 20 ministra të brendshëm janë arrestuar.
Kjo paradë e zezë dhune ndaj politikanëve që kanë mbajtur detyra të larta shtetërore na bënë me turp. Një turp që në fakt nukë shtë vetëm i politikës por e gjithë shoqërisë. Një shoqëri e dhunshme ka prodhuar politikanë të dhunshëm që vijën në pushtet me dhunë dhe që ikin nga pushteti dhe jeta po me dhunë. E cilësojnë kundërshtarin politik armik dhe synojnë ta eleminojnë. Çfarë prisnim ne me gjithë këtë dhunë që pas vitit 1990 të ishin qelibarë në këtë drejtim. Fakti është se politikanët tanë kanë qenë vërtëtë shënjestra të dhunës. Por po aq fakt është se janë po ata që kanë qenë inciatorë dhe diktues të dhunës.
DHUNA PAS RRËZIMIT TË KOMUNIZMIT
Pas rrëzimit të komunizmit dhuna i shfaq në pothuajse në ngjarjet mnë shënjestër të këtyre viteve. Sulmi ndaj politikanëve kishte bërë një si nxemje në disa kuvende dhe mbledhje të Partisë Demokratike kur disa politikanë të njohur të kësaj partie kishin marrë nga një grusht, pëllëmbë apo shkelm nga të fortët brenda partisë. Por ngjarjet e regjistrua publikisht nisën më 9 maj 1996 kur një i ri i qujtur Ilir Buzi kërcënoi se do tia hidhte grantën që mbante në dorë presidentit Sali Berisha dhe atij italian Oscar Luigi Scalfaro nëse nuk i jepnin kredi. Nuk ishte mësuar Shqipëria me të tilla skena dhe vetëm ndërhyrja e oficerit të policisë Vasillaq Sota shpëtoi dy presidentët.
Por ngjarja më e rëndë në fakt është dhunimi ndaj politikanëve të opozitës më 28 maj 1996. Servet Pëllumbi, Namik Dokle, Blendi Gonxhe e të tjerë u goditën, u tërheqën zvarrë dhe u dhunuan barbarisht nga policë me uniformë dhe civilë teksa ata protestonin në sheshin “Skënderbej”. Kjo ngjarje theu për herë të parë cakun e paprekshmërisë të një politikani. Dhuna kishte kapërcyer gjithçka aq sa më 22 janar 1997 persona të panjohur rrahën barbarisht Edi Ramën në afërsi të banesës në një ngjarje që jeta e tij shpëtoi falë vetëm fizikut. Më 20 shkurt në Fier u rrah dhe u qeth koka nga policia kryetarit të PS-së locale, Petro Koçit. Pak ditë më pas u mor peng dhe u godit zëvendëskryeministri Tritan Shehu në Lushnje një ngjarje që papriu në fakt të gjithë rënien e shtetit në mars 1997 pas rënies së skemave piramidale. Më 5 qershor 1997, ditën që mbushte 26 vjeç, Ilir Çeta hodhi një granatë në drejtim të presidentit Sali Berisha teksa po fliste në një miting në Rrashbull të Durrësit. Fati ishte me Berishën pse granata nuk shpërtheu por nëse ajo do funksiononte jo vetëm ai por edhe jeta e personave të tjerë ishte në rrezik. Sapo erdhën socialistët në pushtet dhuna rinsi sërish. E para ndodhi ndaj opozitës së PD. Më 18 shtator 1997 deputeti socialist Gafurr Mazreku qëlloi me pesë plumba deputetin e PD Azem Hajdari pasi ai më parë e kishte qëlluar me grusht. Për fat Hajdari shpëtoi, por ngjarja e tensionoi shumë situatën. Dhuna kaloi në kampin socialist. Këtë here ndaj qeveritarëve.
E para në këtë mori ngjarjesh ishte ministrja e Kulturës Arta Dade më 21 shtator 1997. Jeta e saj u rrezikua në ekstrem kur një nga makinat e eskortës së saj u hodh në erë teksa ishte parkuar në qendër të Shkodrës. Për fat ministrja në atë moment nuk ndodhej në makinë teksa merrte pjesë në një aktivitet. Nuk kaloi shumë dhe target i sulmeve u bë edhe vetë ministri i Brendshëm Neritan Ceka. Më 12 janar 1998 ai u sulmua nga një person që i preu rrugën me makinë teska po dilte nga godina e ministrisë dhe vetëm neutralizimi që i bën rojet eleminaun që rrezik për jetën. Por më 12 shtator 1998 në Shqipëri u shënua ngjarja më e rëndë jo vetëm pas rrëzimit të komunizmit por një nga ngjarjet më të rënda gjatë gjithë historisë së shtetit shqiptar. Disa persona i bënë pritë dhe ekzektuan Azem Hajdarin, deputetin e PD dhe kryetarin e parë të Partisë Demokratike. Kjo ngjarje ka ndikuar të gjitha zhvillimet politike më mëvonshme. Madje një ditë më pas u sulmua për të vrarë kryeministrin Fatos Nano i cili u largua për në Maqedoni dhe një ditë vonë edhe ministrin e Brendshëm Perikli Teta por që shpëtoi edhe ai mrekullisht. Më 13 prill 2001 objekt i sulmit u bë sërish Edi Rama, tani kryetar i bashkisë së Tiranës. Një person i paidentifikuar hodhi disa fishekë në dritaren e banesës së tij dhe kjo ishte një kërcënim i hapur për jetën e kryebashkiakut që i quajti “karamelet e doktorit” që nënkuptonte që ishte nxitur nga Berisha.
Më pak se një vit më pas sulmet ndaj politikanëve u transferuan jashtë Shqipërisë kur më 23 janar 2002 ministri i Jashtëm Paskal Milo u dhunua në hyrjen e një hoteli në Bruksel. Vrasja e Azem Hajdarit kishte lënë shumë gjurmë dhe çdo kërcënim jete vlerësohej seriozisht. Kështu ndodhi edhe me Ilir Metën i cili sapo kishte lënë postin e kryeministrit më 19 gusht 2011 kur mori një kërcënim për jetën në celularin e tij. Të tilla kërcënime mund të ketë patur jo pak gjatë kësaj periudhe dhe në krahasim me vrasjet dhe plagosjet duken qesharake, por në fakt dhuna si koncept nuk është largaur asnjëherë. Ajo u duk edhe më 6 dhjetor kur Gerti Shehu qëlloi me grusht ish-presidentin dhe ish-kryeministrin Sali Berisha. Një dhunë që u rikthyer në një formë shumë herë më të vogël se çfarë ka ndodhur në këto 32 vjet por që është po aq e frikshme sat ë gjitha ngjarjet që kemi renditur. Duket sikur ky kthim dhune në politikë është kthim të një mungese stabiliteti. Sigurisht që nuk e duam. Por është e frikshme dhe e vërtetë.
SULMET NDAJ POLITIKANËVE PAS VITIT 1990
9 MAJ 1996
Një i ri me emrin Ilir Buzi mbante një granatë në dorë teksa qendronte përpara Pallatit të Kongreseve kërcënoi presidentin Sali Berisha që ishte duke kaluar aty me presidentin e Italisë Oscar Luigi Scalfaro gjatë një vizitë në Tiranë. Buzi kërcënonte se do shpërthente granatën nëse nuk i jepnin një kredi dhe jeta e dy presidentëve ishte realisht në rrezik nëse nuk do ta çarmatoste oficeri i policisë Vasillaq Sota.
28 MAJ 1996
Vetëm dy ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare rrihen barbarisht në sheshin “Skënderbej” në Tiranë nga policë me dhe pa uniformë politikanët e PS Servet Pëllumbi, Arben Imami, Blendi Gonxhe, Erion Braçe, Neritan Ceka, Ndre Legisi, Namik Dokle, Ermelinda Meksi, Arta Dade, dhe të tjerë përfaqësues të opozitës që kishin dalë për të protestuar ndaj vjedhjes së zgjedhjeve.
22 JANAR 1997
Rrihet barbarisht me shufra hekuri pranë shtëpisë së tij në afërsi të kryqëzimit të ish- “21 dhjetorit” Edi Rama. Rama në atë kohë ishte pedagog në Akademinë e Arteve të Bukura dhe njëkohësisht analist në gazetën “Koha Jonë” që me shkrimet e tij ishte tejet kritik ndaj pushtetit të PD veçanërisht ndaj presidentit Sali Berisha. Pamjet me fytyrën e gjakosur dhe duart mbushur me gjak e sjellin ende të freskët sot atë ngjarje për të cilën ai e cilësoi si tentativë vrasje dhe prej asaj ditë ai u largua nga Shqipëria.
25 JANAR 1997
Merret peng dhe rrihet në Lushnje zëvendëskryeministri dhe kryetari i Partisë Demokratike Tritan Shehu. Ai shkoi atje për të qetësuar protestat që po mbaheshin për rënien e skemave piramdiale kur një grup personash e morën dhe e futën në ambjentet e stadiumit të qytetit. Pas disa orësh ai u lirua nga forcat speciale të policisë.
20 SHKURT 1997
Qëllohet, arrestohet dhe i qethet koka krytarit të PS së Fierit Petro Koçi nga policia lokale. Arsyeja ishte se kishte drejtuar një protestë kundër qeverisë së asaj kohe.
5 QERSHOR 1997
Ditën që mbushte 26 vjeç Ilir Çeta hodhi një granatë ndaj presidentit Sali Berisha në Rrashbull të Durrësit gjatë kohës që ai po fliste në mitingun që organizonte për fushatën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 29 qershorit të atij viti. Për fat granata nuk shpërtheu. Çeta u kap dhe u rrah egërsisht. Ai u dënua me disa vjet burg duke i lirua pas 10 vjetësh.
18 SHTATOR 1997
Deputeti i PS Gafurr Mazreku qëllon me pesë plumba në ambjentet kuvendit deputetin e PD Azem Hajdari pasi ai e kishte qëlluar me parë me grusht. Hajdari mbeti i plagosur. Kjo ishte ngjarja më e rëndë e kohës pas ardhjes së socialistëve në pushtet.
21 SHTATOR 1997
Shpërthen ne Shkodër një sasi e madhe tritoli në një makinë që ishte pjesë e eskortës së ministres se Kulturës Arta Dade që do merrte pjesë në një simpozium. Makina e parkuar u shkatërrua plotesisht.
12 JANAR 1998
Ministri i Brendshëm Neritan Ceka u bë objekt i një sulmi nga një person. Ai i preu rrugën sapo ai doli nga godina e Ministrisë së Brendshme, por truprojat e Cekës arritën ta neutralizonin atentatorin duke e arrestuar në pak sekonda.
12 SHTATOR 1998
Ekzekutohet në Tiranë Azem Hajdari, kryetari i parë i Partisë Demokratike dhe lider i lëvizjes së Dhjetorit 1990. Ai u qëllua me disa armë zjarri teska doli nga selia e PD në rrugën “Abdi Toptani” nga një skuadrilje e armatosur që dolën nga një furgon duke e lënë të vdekur atë dhe truprojen Besim Çerja dhe të plagosur truprojen Zenel Neza.
14 SHTATOR 1998
Sulmohet me armë, granata, tank e antitank godina e Kryeministrisë për të vrarë kryeministrin Fatos Nano. Ngjarja qe ndodhi pas vrasjes se deputetit Azem Hajdari u cilësua si kryengritje e armatosur u shoqërua me shkatërrimin e zyrës së tij dhe të gjithë ambjenteve të brendshme te Kryeministrisë. Kryeministri Nano u largua për në Maqedoni.
15 SHTATOR 1998
Sulmohet me armë eskorta e ministrit të Brendshëm Perikli Teta sapo doli nga godina e Ministrisë pak pas mesnate Truprojat iu kundërpergjigjën me breshëri zjarri dhe autori i sulmit mbeti i vdekur.
13 PRILL 2001
Një person i panjohur hedh disa fishekë në dritaren e banesës së kryetarit të Bashkisë së Tiranës Edi Rama në afërsi të 21 dhjetorit, ngjarje për të cilën policia deklaroi se ishte kërcënim ndaj jetës së Ramës. Vetë Rama deklaroi se fishekët ishin karamelet e doktor Berishës.
23 JANAR 2002
Qëllohet me grusht në hollin e një hotel në Bruksel ministri i jashtëm Paskal Milo duke i shkaktuar plagë në fytyrë. Ministri ishte në Belgjikë për një aktivitet politik teksa u qëllua nga disa persona që sipas vetë atij drejtoheshin nga Sali Lusha.
19 GUSHT 2011
Kryetari i LSI Ilir Meta bëri publike dy sms të ardhura në celularin e tij ku ishte kërcënuar me jetë nga një numër jashtë Shqipërisë. Policia mori në mbrojtje Metën dhe familjen e tij
6 DHJETOR 2022
Ish-kryeministri dhe ish-presidenti Sali Berisha qëllohet me grusht në fytyrë nga 31-vjeçari Gerti Shehu teksa ishte duke ecur nga selia e PD drejt një foltoreje në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të zhvilluar një protestë ditën që mbahej Samiti i BE-së në Tiranë. Goditja i shkaktoi Berishës plagë në fytyrë dhe rrjedhje gjaku, ndërkohë Shehun e rrahën barbarisht disa protestues. Ai u arrestua më pas si autor i kësaj ngjarje, ndërkohë që familjarët e tij pretendojnë se është i sëmurë mendor.