Një ngjarje e rëndë ka tronditur periferinë lindore të Napolit. Një vajzë 22-vjeçare, Ylenia Musella, u vra me thikë në shpinë nga vëllai pas një sulmi të dhunshëm që ndodhi në lagjen popullore Conocal, në zonën Ponticelli. Vajza kishte edhe shenja të dukshme dhune në fytyrë.
Autori i vrasjes, Giuseppe Musella, 28 vjeç, u vetëdorëzua pas disa orësh në arrati në Polici dhe pranoi krimin. Motivi i vrasjes, siç pranoi i riu, ishte një grindje për muzikën e lartë. I riu donte të flinte dhe, për këtë arsye, e goditi për vdekje motrën e tij. Prokuroria e Napolit urdhëroi arrestimin e tij me akuzën për vrasje me dashje.
Sipas hetuesve, ngjarja ka ndodhur pas një sherri të ashpër brenda familjes. Ylenia dhe Giuseppe jetonin në të njëjtin apartament në kompleksin e banesave sociale në parkun Conocal. Nëna dhe njerku i tyre ndodhen aktualisht në burg dhe, sipas hetimeve, marrëdhëniet mes vëllait dhe motrës ishin të tensionuara prej kohësh.
Pas sulmit, Ylenia u dërgua me makinë në spitalin ungjillor “Villa Betania”, ku mbërriti në gjendje kritike. Automjeti që e la para urgjencës u largua menjëherë dhe është identifikuar më pas përmes kamerave të sigurisë. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, e reja ndërroi jetë pak pas shtrimit për shkak të dëmtimeve të rënda të organeve jetësore.
Sulmi dyshohet se ka ndodhur në rrugë, mes britmash që alarmuan banorët e zonës. Thika e përdorur në krim ende nuk është gjetur.
Jashtë spitalit u mblodhën familjarë dhe miq të viktimës, të tronditur nga dhimbja.
“Ishte gjithmonë plot dritë dhe energji”, tregojnë miqtë, duke e kujtuar Ylenia-n për buzëqeshjen dhe gjallërinë e saj.
Kryetari i Bashkisë së Napolit, Gaetano Manfredi, shprehu ngushëllimet për familjen, ndërsa prefekti Michele di Bari theksoi se forcat e rendit dhe drejtësia po punojnë për të zbardhur plotësisht ngjarjen.



