Partia Socialiste dhe Partia Demokratike bashkuan votat mesnatën e kaluar për të votuar ndryshimet në ligjin “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-sigurimit të shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, nismë e grupit parlamentar të PS, duke i hapur kështu rrugë verifikimit të të gjithë të dyshuarve si ish bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit.
Me 96 vota pro dhe 2 abstenim u shfuqizuan vendimet ekskluzive të komisioneve “Bezhani” e “Mezini”, duke i dhënë të drejtë Autoritetit të Dosjeve të rivlerësojë figurën e zyrtarëve të pajisur me certifikatë pastërtie.
Ajo që vihet re në dokumentet e votimit është fakti se askush nga Komisioni i Rithemelimit të Sali Berishës nuk ka marrë pjesë në votim, madje as Oerd Bylykbashi i cili ishte i pranishëm në sallë.
Votat e deputetëve të PD-së zyrtarë kanë votuar thuajse të gjithë pro, ndërkohë që është vënë re se 2 deputetë socialistë kanë votuar abstenim, Damian Gjiknuri dhe Nasip Naço.
Ish-kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Sapahiu ka komentuar shkurt miratimin nga Kuvendi për hapjen e dosjeve të sigurimit. Sipas tij, ky hap çon në përjashtimin e spiunit I.M nga politika.
“Dje Kuvendi votoi hapjen e dosjeve. Spiuni I.M ligjërisht largohet nga politika”, shkruan Spahiu në rrjete sociale.
Por për kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta apo ‘spiuni’ I.M kjo është një nismë për të shmangur vëmendjen nga kriza.
“Për ligjin që kanë bërë këta mbrëmë, ajo dihet, u mbars mali dhe polli një mi, thotë populli. U mbars mali me një e-mail me anonim dhe polli një mi në mes të natës, më kanë thënë, se unë kam qenë në një festë familjare”, tha Meta.
Kujtojmë se Projektligji erdhi pas kërkesës së autoritetit pasi doli një dosje me një spiun të sigurimit me iniciale I.M që dyshohet se është ish-Presidenti Ilir Meta.
Gjithashtu u miratuan edhe amendamentet e propozuara bashkërisht nga PD dhe PS që çdo kush mund të kërkojë dosjen e tij, por duhet ta argumentoj pse e kërkon dhe nëse të dhënat do të dalin në publik e të keqpërdoren, do të mbajë përgjegjësi.