Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë sulmuar Iranin, duke rritur ndjeshëm tensionet në Lindjen e Mesme dhe duke shtuar frikën për një konflikt më të gjerë rajonal. Sipas autoriteteve izraelite, operacioni kishte për qëllim eliminimin e kërcënimeve të lidhura me programin bërthamor dhe raketor të Teheranit. Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi se sulmi ishte planifikuar prej muajsh në koordinim me Shtetet e Bashkuara.
Raportime nga media ndërkombëtare dhe Reuters konfirmuan shpërthime në kryeqytetin iranian, ndërsa udhëheqësi suprem Ali Khamenei u zhvendos në një vend të sigurt. Paralelisht, sirena alarmi u dëgjuan në Izrael, ndërsa autoritetet mbyllën hapësirën ajrore dhe pezulluan aktivitetet jo thelbësore, duke u përgatitur për kundërpërgjigje të mundshme.
Shtetet e Bashkuara thuhet se kanë ndërmarrë gjithashtu goditje ndaj objektivave iraniane, duke rritur përfshirjen direkte në konflikt. Irani paralajmëroi se do të mbrojë territorin e tij dhe kërcënoi me sulme ndaj bazave amerikane në rajon.
Ky zhvillim vjen pas dështimit të përpjekjeve diplomatike për të kufizuar programin bërthamor iranian. Analistët paralajmërojnë se përshkallëzimi mund të destabilizojë më tej rajonin dhe të ketë pasoja globale politike, ekonomike dhe të sigurisë. Ndërkombëtarët po bëjnë thirrje për përmbajtje dhe rikthim urgjent në negociata për të shmangur luftë të plotë rajonale tani.
Reagon Trump
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, konfirmoi përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale se ka nisur një fushatë ushtarake kundër Iranit, duke e cilësuar operacionin si “masiv dhe në vijim”.
“Në objektivin tonë është mbrojtja e popullit amerikan duke eliminuar kërcënimet e menjëhershme nga regjimi iranian”, tha Trump në mesazhin tetëminutësh. Ai e përshkroi regjimin në Teheran si një “diktaturë radikale” që, sipas tij, rrezikon drejtpërdrejt SHBA-në, trupat dhe bazat amerikane jashtë vendit, si dhe aleatët në mbarë botën, shkruan A2 CNN.
Presidenti paralajmëroi se operacioni synon shkatërrimin e kapaciteteve raketore të Iranit dhe goditjen e industrisë së tij të raketave. Ai pretendoi gjithashtu se Teherani po përpiqej të rindërtonte programin bërthamor pas një bombardimi amerikan në muajin qershor ndaj objekteve të tij bërthamore.
Trump pranoi se operacioni mund të ketë pasoja, duke theksuar se “jeta e ushtarëve amerikanë mund të jetë në rrezik” dhe se mund të ketë viktima, por shtoi se misioni është i nevojshëm për sigurinë afatgjatë të SHBA-së. Sipas tij, janë marrë të gjitha masat për të minimizuar rrezikun për personelin amerikan në rajon.
Në një pjesë të mesazhit, presidenti u bëri thirrje qytetarëve iranianë që, pas përfundimit të operacionit, “të marrin në dorë qeverinë e tyre”, duke e cilësuar këtë si një mundësi historike për ndryshim.
Ndërkohë, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë bëri të ditur se Trump po i monitoron zhvillimet nga rezidenca e tij në Mar-a-Lago, në Florida, ndërsa forcat amerikane dhe ato të Izraeli vijojnë sulmet ndaj objektivave iraniane. Situata ka rritur ndjeshëm tensionet në Lindjen e Mesme dhe frikën për një përshkallëzim të mëtejshëm rajonal.
Reagon Ministria e Jashtme shqiptare
Ministria e Punëve të Jashtme ka lëshuar një njoftim zyrtar në lidhje me situatën e fundit që po zhvillohet midis Izraelit dhe Iranit.
Në njoftim, ministria u bën thirrje qytetarëve shqiptarë të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ndjekin me vëmendje njoftimet zyrtare.
Njoftimi i plotë:
Njoftim për qytetarët shqiptarë në Izrael
Në vijim të situatës së jashtëzakonshme, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që ndodhen në Izrael të tregojnë kujdes të shtuar, të ndjekin me vëmendje njoftimet zyrtare dhe të respektojnë udhëzimet e sigurisë së autoriteteve vendore.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ambasada Shqiptare në Tel Aviv po ndjekin nga afër zhvillimet. Njoftojmë se Ambasada Shqiptare në Tel Aviv është në dispozicion të plotë të qytetarëve tanë të ndodhur në Izrael dhe është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet vendase.
Për çdo nevojë emergjente, qytetarët shqiptarë që gjenden në Izrael janë të lutur të kontaktojnë në numrat:
+972549042813
+972544806601
Lutemi që kontaktet e emergjencës të përdoren vetëm nga qytetarët e ndodhur në Izrael. Këto kontakte nuk do të mund të japin informacione për median.
MEPJ do të vijojë të informojë në mënyrë të rregullt për çdo zhvillim të mëtejshëm.



