13.5 C
Tirana
E premte, 15 Nëntor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Nisur nga Ori Nebijaj, si (nuk) duhet të duket Instagrami i një deputeteje?

    Kur Sanna Marin, kryeministrja finlandeze, u filmua duke kërcyer në një festë, njerëzit u tronditën. Pak minuta më vonë, mbase u kujtuan se kishin të bënin me një ~njeri~ si gjithë të tjerët, dhe një pjesë e mirë i doli në mbrojtje.

    Marin, e cila kur u bë kryeministre në moshën 34-vjeçare ishte liderja më e re e zgjedhur në botë, thotë se “përfaqëson një brez të ri”.

    “Mundohem të jetoj si mosha ime. Ndonjëherë mendoj se vetë ekzistenca ime është një provokim për disa.”

    Dalja e saj në rrjetet sociale, por edhe videot e publikuara si një përpjekje ndoshta edhe për ta dëmtuar – në fakt thjesht kanë sjellë një frymë të të nevojshme për partinë e saj dhe politikën në përgjithësi.

    Kjo frymë e re (ndoshta) po tenton të bëhet ndërkombëtare, (ndoshta) po vjen edhe në Shqipëri? 

    Së fundmi, Oriela Nebijaj ka pranuar mandatin e deputetes dhe në Instagramin e saj vihet re diçka: Nuk ka ndryshuar asgjë.

    Zakonisht deputetët shqiptarë dhe jo vetëm kanë një Instagram që bërtet: UNË PUNOJ 24/7 VETËM PËR JU, MË BESONI!

    Profili i Orit vazhdon të mbetet po njësoj, me shumë ngjyra, me veshje që nuk janë vetëm kostume serioze, me ambiente festive, me miq etj.

    Nuk e dimë nëse kjo do ndryshojë apo jo në të ardhmen, apo nëse Ori do mbajë një profil personal dhe një tjetër profesional, pa i përzierë dy llogaritë. Ajo që dihet është se ka një qasje, ndoshta edhe nga ndikimi i Sanna Marin apo thjesht zhvillimi i politikës ndër vite, që edhe politikanet të jenë më të “lira” në këtë aspekt.

    Në Shqipëri, sigurisht që gratë e kanë më të vështirë të “guxojnë” në politikë. Kujtojmë këtu si njerëzit vunë në qendër të kritikave Adriana Matoshin në kuvend, vetëm prej veshjes së saj atipike.

    Po ekspertët ç’mendim kanë për rrjetet sociale “të përziera”, jeta private + politika?

    Johana M. Caba, eksperte e marrëdhënieve me publikun i këshillon politikanëve të mos e përziejnë profilin personal nga ai punës.

    ” Shumë njerëz kanë dy profile të veçanta, një për familjen dhe miqtë, dhe një për publikun. Rekomandohet që figurat publike si politikanët t’i mbajnë miqtë dhe familjen e tyre në një profil privat. Jo të gjithë duan të shohin foto familjare intime dhe as nuk është e nevojshme të tërheqin vëmendjen. Megjithatë, mund të përdorni festat kombëtare dhe ato ndërkombëtare për të postuar foto me familjen edhe në profilin tuaj politik.”

    Nëse do na pyesnit ne, do t’ju thoshim se një Instagram si ky i Orit apo i Adranës, na duket 100 herë më origjinal se një Instagram që përpiqet vetëm të “shesë” politikën.

    Në fakt, ajo që ka rëndësi në fund të ditës, e veçanërisht në politikë mbetet vërtetësia. Një foto me miqtë apo një video nga një festë – nuk të bën më pak apo më shumë, në asnjë profesion.(Anabel)

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit