3.5 C
Tirana
E mërkurë, 10 Dhjetor, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Një akuzë për Liri Berishën, blerja e heshtjes në media dhe për çfarë po hetohet aktualisht Bankers Petroleum Albania

    Nga Migena Aleksi

    Avokati Leonard Karaj, i ftuar në Quo Vadis të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus, ka “zbërthyer” skemën e Bankers Petroleum në Shqipëri, duke i shkaktuar miliona euro.

    Karaj tha se ajo që bie në sy është se Bankers gjatë gjithë kohës raporton humbje të mëdha, por nga ana tjetër figuron si një nga kompanitë që ka dhënë më shumë donacione për fondacionin e drejtuar nga Liri Berisha, bashkëshortja e Sali Berishës, gjatë kohës që ky i fundit ishte kryeministër.

    Sipas tij, një gjë tjetër është se nënkontraktorët raportonin fitime të mëdha, ndërsa vetë Bankers i raportonte këto si shpenzime.

    Pjesë nga biseda:

    Borakaj: Çfarë ka ndodhur me Bankers në këto 20 vite?

    Karaj: Bankers ka ardhur me bekimin e shtetit në 2004. Është një kompani që ekziston edhe sot në SHBA, Bankers e përhapur kudo, e cila është e lidhur me grupin e Sorosit. Në vitin 2004 një pjesë e këtij grupimi mori pjesën e naftës së zonës së Fierit. Pasi bënë kontratën me shtetin shqiptar dhe u përcaktuan pikat kryesore, Bankers Petroleum Albania u quajt në vitin 2008, ku ndodhi një konfuzion mes kompanive. Qeveria shqiptare në vitin 2008 hoqi dorë nga 20% e TVSH-së.

    Borakaj: Cili ishte justifikimi?

    Karaj: Që kjo kompani do të bënte investime, ndërkohë rezultonte se kjo kompani nxirrte naftë edhe në ato vite.

    Borakaj: Kujt viti i referohemi?

    Karaj: Fundit të 2007-ës. Kjo kompani gjatë gjithë kohës rezultonte me humbje pasi rritte shpenzimet, që të mos i jepte fitime shtetit shqiptar. Aty është nxjerrë naftë pa fund. Sipas auditit të shtetit shqiptar në vitin 2015 flitej për një xhiro diku 10 miliardë euro.

    Borakaj: Ky ishte auditi i fundit?

    Karaj: Jo, nuk ishte auditi i fundit, por atëherë filloi përplasja me qeverinë. Çudia më e madhe qëndron te fakti që kjo kompani nuk rezulton si fitimprurëse, por nga ana tjetër rezultonte si donatore e madhe në televizionet shqiptare apo edhe te fondacioni i zonjës Liri Berisha.

    Borakaj: Kur thua televizionet, jepte reklama?

    Karaj: Po, por jo gjëra të vogla.

    Borakaj: Blinte heshtjen?

    Karaj: Po, atë punë ka bërë. Por përtej kësaj, donatorët e asaj kohe… Bankers ishte donatori i tretë dhe kjo rezultonte me humbje. Kjo kompani në tërësinë e vet ka shkelur në mënyrë brutale ligjin shqiptar. Ne sot e kësaj dite nuk dimë kush është pronari. Ne që kemi biznese duhet të deklarojmë pronarin përfitues; kësaj kompanie nuk ia gjen dot fundin.

    Për çfarë po hetohet Bankers

    Dosja e “Bankers” është kaluar në SPAK nga prokuroria e rrethit të Fierit, pasi në hetime u dalluan impikime të zyrtarëve të lartë shtetërorë, që sipas ligjit mund të ndiqen vetëm nga SPAK.

    Hetimi përfshin dyshime për shmangie të detyrimeve fiskale dhe doganore nga “Bankers Petroleum”.

    Sipas akuzës për një periudhë prej rreth 20 vjetësh (2004–2024) kompania ka realizuar shitje dhe eksporte nafte me vlera të larta, por ka deklaruar humbje në bilanc për çdo vit, duke shmangur tatimin e korporatave dhe pretenduar rimbursime të dyshimta nga TVSH.

    Sipas prokurorisë, dëm total i shkaktuar për buxhetin e shtetit për pagesa të papaguara, tatime e detyrime, shkon në disa miliardë euro.

    Hetimi është zgjeruar edhe kundër institucioneve publike që merren me tatimet dhe doganat. SPAK po vlerëson nëse ka pasur miratim, lehtësim ose falje të detyrimeve/fiskale për “Bankers” përmes korrupsionit ose shpërdorimit detyre.

    Mes personave të hetuar janë drejtues aktual dhe ish-drejtues të “Bankers Petroleum” përfshirë CEO-n aktual, por edhe ish-administruesit.

    “Bankers Petroleum” ka qenë për dekada institucioni kryesor për përpunimin dhe eksploatimin e karburanteve në zonën e Patos-Marinzës përfshi një pjesë të madhe të rezervave të naftës të Shqipërisë.

    Ndaj akuzat për shmangie taksash e detyrimesh kanë impakt të madh mbi kërkesën për transparencë dhe drejtësi. Kjo e bën rastin si model për kontrollin e integritetit shtetëror dhe përgjegjshmërisë. Një vendim i drejtë dhe i vendosur mund të dërgojë mesazh serioz për të ardhmen, se edhe kompanitë e mëdha dhe lidhjet me shtetin nuk janë mbi ligjin.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit