16.5 C
Tirana
E premte, 1 Nëntor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Një amerikan, dy tropojanë dhe një… pelivan! E kaluara dhe e sotmja e tre shqiptarëve që shfaqen në dosjen amerikane për zyrtarin e FBI

    Ish zyrtari i lartë i kundërzbulimit të FBI-së, Charles McGonigal u arrestua të shtunën nga autoritetet amerikane. Ndaj tij janë ngritur dy akuza, ajo e thyerjes së sanksioneve ndaj oligarkëve rusë dhe ajo e marrjes së ryshfetit.

    Gjykata vendosi që ta lërë të lirë kundrejt pagesës, gjatë kohës që do të zhvillohet procesi gjyqësor.

    Të hënën, ai nuk i pranoi akuzat e  ngritura ndaj tij në Nju Jork, se ka shkelur sanksionet amerikane ndaj Rusisë duke punuar për oligarkun rus Oleg Deripaska.

    Të mërkurën pritet të dalë para gjykatës në Uashington për t’u shprehur nëse i pranon apo jo akuzat se ka marrë pará nga një ish punonjës i shërbimeve inteligjente shqiptare dhe për lidhjet e tij me zyrtarë të tjerë në Shqipëri.

    Charles McGonigal ka punuar për sektorin e kundërzbulimit të FBI-së, derisa u largua nga FBI-ja në shtator të vitit 2018. Ndër të tjera mbulonte edhe Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën.

    – Si nisi historia

    McGonigal ka hyrë nën vëzhgim nga ish kolegët sepse ka propozuar vajzën e një përkthyesi rus, për të bërë një intership në Policinë e Nju Jorkut, në departamentin e kundërzbulimit. McGonigal ka folur me kolegët e NYPD për këtë mundësi. Kolegët e kanë raportuar tek zyra e FBI dhe ka nisur survejimi.

    Në fokus të FBI ka qenë shërbimi i tij për të parë cilët oligarkë rusë do të ishin nën sanksione të Thesarit dhe të lajmëronte. Ai ka dhënë këto info, sipas aktakuzës.

    Por gjatë mbajtjes nën vëzhgim janë parë shumë shkelje të kodit të sjelljes së FBI dhe aty ka dalë edhe “aneksi shqiptar” i hetimit.

    Në dosje thuhet se ka marrë 225 mijë dollarë nga një ish-punonës i shërbimeve sekrete të Shqipërisë dhe ka zhvilluar një sërë takimesh me biznesmenë dhe politikanë në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnje, por pa i raportuar ato sipas rregullave.

    Sipas aktapadisë, lidhjet e tij kryesore me Shqipërinë janë mbajtur përmes ish zyrtarit shqiptar të shërbimeve sekrete, që në akt-akuzë identifikohet si Personi A. Ky person ka paguar edhe për shpenzimet e tij të udhëtimit në Shqipëri.

    – Kush është Personi A?

    Bëhet fjalë për shtetasin shqiptaro-amerikan Agron Neza. Sipas Sali Berishës, që ka dalë orët e fundit vullnetar i zjarrtë të ndihmojë Amerikën, Neza është një “ish-oficer i policisë sekret hoxhiste”.

    Sigurisht që Prof.Dr.SB-ja nuk i thotë të gjitha. Ai e njeh shumë mirë Agron Nezën pavarësisht se bëri sikur i ngatërroi mbiemrin në deklaratën publike.

    Neza (në rreth) dhe ish-zyrtari i FBI, gjatë një dekorimi

    Neza është nga Buçaj, Tropojë. Datëlindja 1964. Ka qenë vërtet student i shkollës së Sigurimit në fund të viteve tetëdhjetë, por në vitin 1990 u bë badigard vullnetar i Azemit dhe Berishës. Një ish-këshilltar i Berishës, shkruan:

    “E njoh personalisht mes të tjerash se është vëllai i Agim Nezës, ish- kolegut tonë të ndjerë gazetar që nuk jeton më.  Agroni sot është biznesmen në SHBA. Ai u ofrua vullnetarisht për të siguruar Berishën dhe Azemin më 1991. Duke parë rreziqet që shoqëronin Azemin, sidomos pas vrasjes në tragetin e Tropojës të dikujt me pardesynë e tij, ai i dha Azemit pistoletën e punës ta kishte për siguri.

    Berisha nuk e harroi këtë detaj. Sapo erdhi në pushtet më 1992 dhe filloi sherret me Azemin, urdhëroi prokurorinë të gjente pistoletën e Azemit dhe e shpalli Agronin në kërkim, se nuk kishte dorëzuar pistoletën. Kështu, nga njeri që i kishte shpëtuar kokën më 1991, e detyroi të arratisej në SHBA.

    – Kush është “avokati”

    Personazhi tjetër në “aneksin” shqiptar të hetimit për ish-zyrtarin e FBI quhet Shefqet Dizdari.

    “Shefqet Dizdari është një avokat nga Tropoja, mik i Berishës dhe PD, pronar i një kompanie shfrytëzimi nafte, licensuar nga Berisha në kohën e fundit kur ishte në pushtet’, – shkruan për të një media afër qeverisë.

    Por burri i gjatë nga Tropoja që lyen flokët dhe që shihet shpesh i vetëm në rrugët e Bllokut ose në ekranet e Kosovës duke dhënë ‘intervista patriotike’, nuk është vetëm “mik i Berishës dhe PD”.

    Në 2017, shteti shqiptar anuloi tenderin me tre vendburime nafte sepse kompania që fitoi u akuzua për lidhje me rusët. Por kompania që fitoi tenderin në 2018 rezultoi gjithashtu e lidhur me rusët. Kjo kompani ka administrator Dizdarin.

    Më poshtë është një email që kompania Transoil Group shkëmben me Gasprom. Është një notë verbale, e shkruar pikërisht nga Dizdari, administrator i Transoil Group, si dhe pronar i disa pikave exchange në Tiranë.

    Dizdari dhe emaili i tij për rusët

    Letra i është dërguar Zv. Drejtorit Ekzekutiv të Gazpromit rus, Vladislav Baryshnikov. Mes rreshtave të kësaj letre shkruhet se Administratori i Transoil Group ishte i kënaqur nga takimi që kishte zhvilluar në Shën Petersburg me Zv. Drejtorin e Gazpromit, ndërsa kishin biseduar për bashkëpunimin mes njëri-tjetrit.

    “TransoilGroup nuk e ka fshehur kurrë interesin dhe qëllimin për të krijuar një marrëdhënie biznesi të hapur, të qëndrueshme dhe transperente me Gasprom ose bashkëpunëtorët tuaj si “Naftna Idustrija Srbje” në Novi Sad, me të cilën ne kemi nënshkruar një marrëveshje”, shkruhet në mail.

    Dizdari “miku i Berishës”, gjithashtu është protagonist i një ngjarje në një lokal në Bllok, ku kërcënoi dhe tentoi të godiste një drejtues të gazetës Shekulli të Koco Kokëdhimës, pasi ishte botuar një foto kompromentuese e Edi Ramës, ku Rama shfaqej me një person të përfolur në oborrin e pasëm të PS.

    – Doriani, “shejtani”

    Personi i tretë, të cilit i del emri në dosjen amerikane ku shënohet si Personi B quhet Dorian Ducka.

    Doriani ka histori të larmishme me pushtetin. Ai u përmend orët e fundit si “këshilltari i Ramës”, po jo vetëm Rama është dashuruar me të. Berisha që tani e quan “supermafioz” e ka patur në qeverinë e përbashkët me Metën, madje Doriani njihej asokohe si mik i ngushtë i Damir Fazllic me të cilin shihej në lokalet e natës në Tiranë.

    Duçka

    Jo më kot një gazetar që fillimisht e hetonte, por më pas u bë miku i tij, e quante mes kolegësh “Doriani shejtani”.

    Ja si e përshkruante Dorianin në 2019 portali i gazetarit Alfred Lela, që sot është zëdhënës i Berishës, në një shkrim me titull: “Kryeministri Rama shpërblen gruan e njeriut të Metës që i organizoi ‘darkën e gabuar’ në Berlin”

    “Kryeministri Rama ka firmosur emërimin e Xhoana Lilajt, me profesion juriste, si anëtare të Këshillit Drejtues të AKEP-it. Caktimi i saj në këtë pozitë, duket më shume si një shpërblim për kontributin qe bashkëshorti i saj, Dorian Duçka, pati në organizimin e ‘darkës së gabuar’ të kryeministrit me disa deputetë gjermanë në Berlin. Duçka, njihet po ashtu edhe për raportet e ngushta me presidentin Meta, teksa ka shërbyer edhe si ish-zv/ministër i Industrisë dhe Energjisë”

    Pra Doriani dikur “njeri i Metës’ e sot “supermafioz”, nuk ka punuar foet vetëm për Ramën. Sot disa e njohin si miku i ngushtë i Taulant Ballës, dje të njëjtët e njihnin si miku i ngushtë i Fazllicit. Politikisht një pelivan tipik, sic e quante gazetari që shoqërohej me të.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit