11.5 C
Tirana
E diel, 4 Maj, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Një debat imagjinar mes Ramës dhe Berishës, para zgjedhjeve të 11 majit

    Nga Altin Ketro

    Prej disa javësh, Sali Berisha e ka kthyer në refren kërkesën që Edi Rama t’i dalë përballë në një debat televiziv. Ironikisht, të dy kanë qenë “bashkë” në debat për katër vjet rresht në të vetmen skenë që e njeh Kushtetuta: në Kuvendin e Shqipërisë. Atje kanë pasur gjithë kohën për të përplasur idetë (ose mungesën e tyre) dhe për t’i thënë njëri-tjetrit në sy gjithçka kishin për të thënë.

    Në një realitet më të shëndetshëm politik, ndoshta do kishim parë një opozitë që nuk e kthente Parlamentin në arenë piroteknike, me tymuese e flakadanë. Ndoshta do kishim parë më shumë përplasje idesh dhe më pak shfaqje fizike. Por realiteti është se për katër vjet, opozita ishte më e interesuar të digjte selinë e saj, sesa të ndërtonte alternativa. Ndaj edhe Rama, me stilin e tij të zakonshëm për t’u marrë vetëm me “të mëdhenjtë”, nisi të rrallonte daljet në Kuvend. Jo se kishim humbur ndonjë akademik retorike, por kur përballë ke tym e britma, tërheqja është ndonjëherë zgjidhja më e qytetëruar.

    Ironia është se edhe kur ishte në sallë, opozita kërkonte ta përjashtonte Ramën. Kur mungonte, e kërkonte me ngulm. Pra, ishte një raport që s’kishte të bënte me përballje idesh, por me nevojën për të pasur një “armik personal” përballë, që t’u japë kuptim akuzave. Me pak fjalë, prezenca e tij shërbente si justifikim për tension dhe si motivim për retorikë agresive.

    Dhe tani, Berisha do debat. Si të thuash, kërkon që përballja të kalojë nga Kuvendi – ku flasin të gjithë – në televizor, ku ka më shumë dramë e më pak fakte. Në dukje, një përpjekje për transparencë. Në thelb, një përpjekje për spektakël.

    Por me kë të bësh debat? Me një njeri që ka tre dekada që nuk skuqet kur gënjen? Me një kundërshtar që gjuan me gjysmë të vërteta e trillime të paverifikueshme? Kur përballë ke dikë që nuk ka asgjë për të humbur përveç humbjes së garantuar, e vetmja mënyrë për ta ndalur është të zhytesh në të njëjtin batak. Por nëse Rama e bën këtë, rrezikon të demotivojë ata që ende nuk e kanë vendosur kë do votojnë. Dhe ky është një luks që nuk e ka.

    Po të imagjinosh një debat Rama-Berisha mbi 21 Janarin, është lehtësisht e parashikueshme:

    Rama do thoshte: “Ju, zoti Berisha, në cilësinë e kryeministrit, jeni përgjegjës për vrasjen e katër qytetarëve të pafajshëm.”

    Berisha do përgjigjej: “Po të mos më sillje protestuesit poshtë dritares, s’do kishte asnjë incident. Të paralajmërova për katër snajperët. Madje unë isha i pesti.”

    Rama do vijonte: “Pra, po thoni që, po të isha në vendin tuaj, do të më justifikonit që të plagosja ose vrisja protestuesit e tuaj, kur u zhvilluan protestat e dhunshme të opozitës ndaj Kryeministrisë në 2019 ku u përdorën edhe bomba molotov?”

    Berisha do përgjigjej: “Ta provoje të plagosje qoftë edhe një prej protestuesve, ajo që i bëra Fatos Nanos më 14 shtator 1998 do të të dukej lule.”

    Nëse kjo nuk do ishte tragjike, do ishte thjesht groteske.

    Për fat të keq, kjo nuk është imagjinatë e imja. Janë fjalë që Berisha i ka thënë realisht, në intervista publike.

    Në fund të ditës, e vetmja përballje që ka rëndësi është ajo mes dy modeleve të qeverisjes: Berisha 2005-2013 dhe Rama 2013-2025. Çdo qytetar që do të votojë më 11 maj i njeh mirë të dy epokat. Nuk kanë nevojë për debat televiziv midis tyre për të zgjedhur. Mjafton kujtesa. Dhe kjo përballje e heshtur, por reale, është më e rëndësishme se çdo duel në ekran.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit