10.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Një dosje e re për Zen Boronicën dhe Liri ‘filantropen’

    Nga Adriatik Doçi

    Në qytetet, fshatrat dhe lagjet e shoqërisë komuniste, ata që bënin emër, për ndonjë trimëri ose çmenduri që nuk e lejonte sistemi, krijonin “status” duke marrë si mbiemër – emrin e mamasë, më rrallë të babait. Gangsterët e zonës duhet të njiheshin në këtë mënyrë nëse donin tê ishin të tillë; Rimi Xhumes, Toni Qefseres, Mandi Ervehesë etj.., më rrallë bënin emër vajzat e baballarëve për bëmat e tyre si Moza (Kombinatit) Ilmiut apo Bona Safetit. Gjithçka bënin lidhej me familjen nga vinin. Morali komunist “fëmija pasqyrë e prindit” damkoste në këtë mënyrë “famën” e çdo individi antisistem.

    Saliu i kaloi kufijtë e lagjes së vet, dhe fama ia zëvendësoi ‘mbiemrin’ me Partinë Demokratike. Disa brenda saj mendojnë se ai ka nënë Shqipërinë. Duke punuar për familjen e tij, po aq sa për Shqipërinë dhe Partinë, u bë edhe nënë edhe babë për Shkëlzenin, ndaj ky mori famë si Zeni i Salës.

    Argita Berisha nuk u shqua për asgjë 20 vitet e fundit, por me zgjuarsi si ajo e Mosad bëri 20 milion euro pa u ndjerë dhe pa e thirrur askush, as Gita Lirisë, e as e Saliut.

    Mos guxojë njeri të thotë i bëri Abi. Jamambra, mund të përkëdhelet shkurt Ami.

    Pasuri Ok, po përse pangopësi?!

    Një hadith profetik thotë: “Biri i Ademit asnjëherë nuk ngopet me pasuri, nëse ai ka një luginë me flori do të kërkojë dy lugina”.

    Bijtë e Saliut 1 dhe 2 nuk janë ngopur me një Shqipëri, ndaj duan dy, tre të tjera (Saliu 3, Sala 4).

    Komentohet në të njëjtën frekuencë reagimi: po përse me Saliun që ka ikur ka 12 vjet?

    Përse jo Ramën, Veliajn dhe hajdutët e PS-së që janë në pushtet?!

    Sepse kurrë nuk u gjykua moralisht “i ndershmi” i kombit tonë, ai që e filloi jetën në një shtëpi me gur dhe frëngji, e vazhdoi me autorizimin komunist në një apartament 2 + 1, dhe i dha vetes pasuri “gadaf-iane” në demokraci.

    Ka 30 vjet që na shet dëngla e moral me dy gishta lart, sa nga penxherja e PD-së, sa nga dritarja e një apartamenti gjysëm milion euro, me verandë të shtuar e t’legalizuar, tek pallati në zemër të Tiranës ku gjysmën e ka pronë të bijve të tij.

    Ashtu si 50 pronat që ka numëruar SPAK, e që nuk i ka numëruar akoma të gjitha, bëjnë 20 milion euro pa futur miliona që nuk dimë.

    Po ç’dreqin i duan të gjitha këto prona? Hungari, Belgjikë, Gjermani, Shqipëri, por thuhet që kanë edhe në Stokholm – Suedi, në Luksemburg e gjetkë, apo jo Zen?

    I duan se nuk ngopen me jetë, pushtet e pasuri, as babai “demokrat” me nënën “filantrope”, as dy fëmijët gjeni të konsultave tregtare & juridike.

    Hajduti me çizme i Shqipërisë

    Në historinë e Shqipërisë përveç Mbretit Zog që i ra shkurt, mori thesarin e shtetit dhe iku me pushime të gjata, Sali presidenti është kryetari i shtetit që nuk gjen shok për “hajdutëri”.

    Nuk ka patur Shqipëria as Haxhi Lleshin, as Ramiz Alinë, as Rexhep Mejdanin, as Alfred Moisiun, as Bamir Topin, as Bujar Nishanin (e lëmë për në fund Ilir Metën), as fëmijët e tyre me damkën 50 prona +, në 5 vende të Europës +, me letra të nxjerra nga Drejtësia.

    Sali kryeministri, nuk ka shok për “kleptokraci”.  Nuk ka patur Shqipëria as Enver Hoxhën, as Mehmet Shehun, as Adil Çarçanin, as Fatos Nanon, as Ylli Bufin, as Vilson Ahmetin, as Aleksandër Meksin, as Bashkim Finon, as Pandeli Majkon (Ramën dhe Metën në fund), as fëmijët e tyre me damkën “nongrata” nga SHBA dhe UK dhe me pasuri e katandi për të jetuar 4-5 breza rehat pa punuar në 4-5 shtete të Europës.

    Për çfarë pasurish janë akuzuar apo përfolur fëmijët e diktatorit Hoxha, Mehmet Shehut dhe pasuesit Ramiz Alia? Për asgjë.

    Madje nipi i diktatorit Ermali shiti “mall” për të bërë ndonjë lek, ndërkohë që Zeni i Saliut shiste boronica dhe u bë miliarder. Po fëmijët e Meidanit, Moisiut, Nishanit kanë pasuri e prona sa Zeni dhe Gita? Bamir tironsi ka një shtëpi me rrethim të madh. Thuhet që është pronar i saj.

    A kanë vila dhe apartamente në Europë vajzat e tij?

    “Hajduti” Fatos Nano u arrestua në 1993 nga një prokuror që sot është avokat i Sali Berishës, pak vite më parë ishte edhe avokati i Lulzim Bashës. Kur arrestoi Nanon që doli më vonë i pafajshëm, nuk e kishte kokën me dhjamë.

    Sa pasuri kanë djali dhe vajza e Nanos, ka njeri ta thotë? Po gruaja, ish gruaja dhe ai vetë sa shtëpi dhe prona kanë, ku? Thuhet për një shtëpi në Austri, por a është e vërtetë?

    Rama ka bërē një betim dikur “Nuk ka bir k.rve të më gjejë lekë në xhep”. Nuk ishte koha e kriptove atëherë.

    A qëndron ky betim edhe për kriptot?

    Këtë do ta tregojë SPAK dhe koha herët a vonë, por deri atëherë do kemi ministra të tjerë të arrestuar. Mbase njëri prej tyre do tregojë sa “kripto” i ka futur në xhep shefit të Ahmetajt.

    Po djali, vëllai, gruaja, ish gruaja, thjeshtra sa pasuri kanë? 50 prona, 100, 200? Sa? Dikush të hapë letrat.

    Për Abi Bank nuk besohet më asgjë për sa kohë e reklamoi vetë Saliu në Syri.net.

    Ilir Floriri, sa prona ka? A ka apo ia ka vjedhur të gjitha Mona? Po sikur të ketë 300 milion $ në offshore? Presim këto ditë SPAK të na e tregojë…

    Një gjë duhet ta pranojmë, i biri nuk është akuzuar për asgjë. Prindërit po, që të dy. As nuk është personazh i ndonjë filmi hollivudian.  As vjelës frutash pylli, si Shkëlzen Berisha.

    Zen Boronica

    Çfarë pune ka bërë yt bir, o Sali, di gjë ti? Çfarë shkolle? Ka mbaruar shkollën e Gitës dhe nuk i ka thënë asnjë ditë punës “mirëmëngjes” – “O tungjatjeta!” do thoshte Strazimiri po të ishte në vendin tim.

    Hapi zyrë “konsulence juridike” në 2007 dhe u bë milioner kur ti ishe kryeministër. E mbylli në 2013 kur ike ti. Sa biznesmenë konsultoi për 6 vjet? Sa euro fitoi, 5, 10, apo 15 milionë?

    A e din që në prill 2010 hapi një zyrë imobiliare por e mbylli pas një muaji?

    “Albanian Real Estate Services” quhej. Pse e hapi – mbylli ?

    Çfarë pazari pronash do bënte Zeni për një muaj, Sali?

    Po për fabrikën e boronicave që u ble për 1.8 milionë euro në Gërdec, me Logal Shpk, e që brenda saj kishte Agromel Shpk me xhiro 5 milionë euro, çdo na justifikoi motra avokate e Zenit? Sa pare futi në xhep?

    Po për kompaninë “Albania Legal Company,” me të cilën Zeni fitoi 500 milionë lekë me konsulenca, a dini gjë?

    Po për apartamentin 200 m² te ETC në mes të Tiranës, që Zeni ia shiti për 500 mijë euro Myftar Lumeshit, ç’mendon, o tungjatjeta lider i opozitës?!

    Po për vilën ku jeton yt bir si Boss me “qira” në kompleksin “Long Hill” çdo na thuash?

    Në pazare miliona eurosh u fut Zeni, derisa u bë personazh filmi.

    Syri i qenit që ha peshq nuk është prekur akoma nga SPAK.

    Ky shkrim do të jetë preludi i një akt kallëzimi që do të krijojë një akt akuze tjetër 500 faqesh nga SPAK.

    Më pas le të shkojë të përgatisë juristja e UMNIK-ut 1500 faqe mbrojtje për veten, për babain dhe 1500 të tjera për vëllain e saj.

    Çfarë mendoj?

    Që na mbytën hajdutët! Që milionerët e Shqipërisë nuk mund të jenë opozitarët e një pushteti që duhet të largohet që sot, pa pritur 2025.

    Nuk jam dakord as me Alfred Cakon, i cili kërkon të mos preken presidentët apo kryeministrat e Shqipërisë edhe po të kenë “ngjyer” pak dorën me vjedhje, vetëm se janë shqiptarë e jo serbë.

    Më mirë të ishin serbë, sepse po të ishin, të gjithë do ishin ngritur dhe nuk do duronin asnjë ditë e jo më 30 vjet me çfarë kanë bërë dhe ç’i kanë bërë këtij vendi!

    Më mirë një serb në qeveri sesa një shqiptar hajdut që me lekët tona blen prona në Serbi!

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit