Juristi Ledio Braho foli për kushtet e sigurisë për gjyqtarët apo prokurorët në vendin tonë.
“Në gjykatën civile ka detektor metalesh që ndoshta nuk është funksional përderisa një person me armë ka hyrë brenda me armë. Në Gjykatën e Apelit hyjnë e dalin qindra njerëz çdo ditë, duhen shumë oficerë policie për të bërë kontrollet ose duhet të ketë sisteme teknologjike. Kjo është çështje teknike që ka nevojë të rishihet”, tha Braho për A2.
Sipas juristit, “gjyqtarët dhe prokurorët, përveç atyre që janë pjesë e SPAK-ut, nuk ruhen nga Garda”.
“Në dijeninë time, gjyqtari i ndjerë lëvizte me biçikletë nëpër Tiranë. Imagjinoni pra se si janë kushtet e sigurisë për gjyqtarët apo prokurorët”, theksoi Ledio Braho.
Në Gjykatën e Apelit, drekën e ditës së hënë ndodhej edhe avokati Idajet Beqiri, një nga miqtë e gjyqtarit të ndjerë.
Avokati tha për emisionin “3D” në RTSH 1 se rastësisht ata kishin shkëmbyer disa fjalë një orë para se babai i dy fëmijëve do të ndahej nga jeta me plagët fatale në gjoks, si pasojë e plumbave të lëshuar nga arma e njërit prej palëve që ai po gjykonte.
“Zakonisht këta, krimi, edhe në bashkëpunim me avokatët e tyre, punojnë dhe testojnë Gjykatën e Apelit. Testojnë dhe bëjnë presion. Atë presion që ka bërë në Shkallën e Parë, kur fitoi gjyqin, ka menduar që mund ta kalojë edhe këtu në Apel. Në Apel, ‘ndalu beg, se ka hendek’. Qëlloi një gjyqtar…
Kam kaq vjet që e njoh, qysh në fillim të karrierës së tij. Sot(dje) u takova në orën 12:45 dhe pastaj mbrapa ndodhi ngjarja. Isha në gjyq atje te salla 4 dhe ai gjykonte në sallën 5. Në korridor u takuam. Shkëmbyem edhe bisedë me të. Kemi të bëjmë me një gjyqtar i cili ka integritet të lartë profesional dhe moral. Nga ana tjetër, një gjyqtar, i cili me shumë bonsens…
Nuk është si ata gjyqtarët që bam çekanin, me egërsi etj. Por të pranonte të flisje edhe dokrra. Nuk është ky gjyqtar i natyrës që të pësonte këtë që pësoi. Prandaj them që kjo është goditje e rëndë që i jepet pozitivitetit të reformës në drejtësi, atyre elementëve që me të vërtetë duan të japin drejtësi. Ky u godit se jepte drejtësi” u shpreh Beqiri.