Strukturat shtetërore dështuan për të parandaluar masakrën e fundit të Dan Hutrës, një personazh me potencial të theksuar kriminal, përsëritës në krime dhe i pa rehabilituar pas vuajtjes së dënimeve. Pas daljes nga burgu për vrasjen e ish bashkëshortes 22-vjeçare Dafina Havalja, Dan Hutra është kapur në Durrës duke vjedhur pula, mesnatën e datës 31 janar 2022. Sipas dosjes që ka siguruar Shqiptarja.com, pas mesnatës së 31 janarit 2022, Orjol Shuli, banues në Durrës, ka konstatuar se një person kishte hyrë në kotecin e pulave. Kur Orjol Shuli ka shkuar drejt kotecit, personi ka dalë nga koteci i pulave, duke u larguar me vrap. Ishe ora rreth 2 e mëngjesit kur Orjol Shuli ka njoftuar policinë, duke përshkuar edhe karakteristikat e hajdutit.
Policia ka konstatuar një makinë Benz para banesës së Orjol Shuli, në lagjen nr. 15 në Durrës. Në makinë ishte çelësi në kuadër dhe një telefon në sendilje. Rreth 500 m larg vendit të ngjarjes, patrulla e policisë ka konstatuar një person, i identifikuar si Dan Hutra, i cili ka pranuar para oficerëve të patrullës se mjeti i parkuar ishte i tij. Pas hetimit të kryer është konstatuar se brenda kotecit të pulave ndodheshin disa fije spango ngjyrë blu dhe të bardhë me gjatësi rreth 2 m, të ngjashëm me ato që janë gjetur edhe në automjetin e Dan Hutrës. Në deklarimet e dëshmitarit Orjol Shuli, rezulton se autori në kotec kishte lidhur një pulë me disa fije plastike të cilat i ka lënë në kotec kur është larguar me vrap.
Dan Hutra ka mohuar se ishte ai autori i vjedhjes së pulave, por provat e mbledhura kanë bindur policinë dhe më pas Prokurorinë se Hutra ishte pikërisht autori. Meqenëse vepra penale konsiderohet e lehtë (vjedhje pulash), Dan Hutra është gjykuar në gjendje të lirë. Në 22 prill 2022, prokurorja Flora Reka ka dërguar për gjykim dosjen e Dan Hutrës, i akuzuar për veprën penale të vjedhjes së mbetur në tentativë. Gjykata e Durrësit ka pranuar kërkesën e Prokurores, duke e vlerësuar akuzën të mbështetur në prova, ndërsa ka kaluar dosjen për gjykim. Dosja është ende në gjykim në Durrës.
Para se të vriste gruan në 11 dhjetor 2007, krim për të cilin u dënua me 16 vite burg për shkak të gjykimit të shkurtuar, Dan Hutra ishte dënuar me 3 vite burg për një tjetër krim. Në vitin 2003, Hutra ishte arrestuar për mbajtjen peng të nënës së kunatës si dhe përdhunimin e kunatës. Ndërkaq, pas kapjes së flagrancë në 31 janar 2022 duke vjedhur pula, Dan Hutra do të arrestohej sërish për dhunë ndaj bashkëjetueses Elena Hysa. Hutra u arrestua në 16 qershor 2022, u dënuar me 1.6 vite burg, por doli nga burgu në 16 shkurt 2023 për shkak të paraburgimit.
Me gjithë këtë aktivitet kriminal, Dan Hutra bëri planin për kryerjen e një prej masakrave më tronditëse gjatë dekadës së fundit. Pesë ditë më parë, Hutra vrau me paramendim dhe për shkak të marrëdhënieve të cilësuara Etleva Kurtin, Mevlute Hysën dhe Hasime Dafkun, ndërsa plagosi Elena Hysën, Kujtime Hysën dhe Marjana Gurakuqin.