Nga Denis Dyrnjaja
Debati publik mbi dasmën e djalit të Jozefina Topallit ka devijuar drejt një drejtimi të gabuar, kush e pagoi, sa kushtoi, dhe nëse ka të ardhura të justifikueshme për një festë të tillë. Ky është një shteg i gabuar diskutimi, ku shumica kanë rënë në kurthin e debatit, ka apo nuk mundësi financiare familja Topalli të mbulojë shpenzimet e kësaj dasme vanitoze. Sepse çështja nuk është fare tek fatura në fakt.
Problemi i vërtetë është simbolika. Dhe në politikë, simbolika është gjithçka. Znj. Topalli nuk është një qytetare e zakonshme që marton djalin. Është një ish-kryetare Kuvendi, një figurë qendrore e së djathtës shqiptare dhe së fundmi, një nga rikthimet më të bujshme në radhët e opozitës. Ajo mbart një peshë morale dhe politike për mijëra demokratë të zhgënjyer, që shpresojnë ende në rikthimin e një opozite të pastër, të sinqertë dhe të ndershme në pushtet.
Kur një figurë e tillë zgjedh të shfaqet me një festë të tejdukshme luksi, në një kohë kur narrativa opozitare është ndërtuar mbi kritikën ndaj arrogancës së pushtetit dhe largimit nga realiteti i shqiptarëve, krijohet një çarje e thellë mes fjalës dhe veprimit. Nuk është thjesht vanitet personal, por një mesazh i dëmshëm politik i cili relativizon perceptimin se edhe ne jemi njësoj si ata.
Pra problemi nuk është luksi, por kur luksi shfaqet pa vetëdije politike. Në këtë mes, elektorati opozitar ndihet i braktisur për të mos thënë i tradhtuar në ideale, jo sepse një nënë festoi dasmën e të birit, por sepse një personazh i rëndësishëm në historinë e opozitës, nuk u kujdes të mendonte për çfarë po luftohet. Për të tjerat djali i znj. Topalli të trashëgohet e pastë vetëm mirësi e gëzime në jetën dhe familjen e tij!