Një tjetër rast flagrant i abuzimit me pushtetin dhe ligjin ka shpërthyer në zemër të Tiranës.
Një kullë 16-katëshe po përpiqet të ngrihet mes katër ndërtesave ekzistuese dhe pranë shkollës “Emin Duraku”, duke vënë në rrezik jetën e qindra qytetarëve dhe nxënësve, për hir të interesave klienteliste dhe korruptive të zyrtarëve të lartë të qeverisë shqiptare.
Zemërimi i banorëve dhe alarmimi i prindërve
Sot në mëngjes, firma e ndërtimit ka mbërritur për të nisur punimet në sheshin pranë shkollës “Emin Duraku”.
Kjo ka shkaktuar një protestë të menjëhershme nga banorët e tre pallateve përreth dhe prindërit e nxënësve.
Ata kanë lajmëruar Policinë dhe Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit (IKMT), të cilët kanë ndërhyrë në vendngjarje. Por ndërhyrja ka qenë më shumë simbolike se sa penguese për projektin.
Banorët kanë depozituar kërkesë në gjykatë për ndalimin e punimeve, dhe të hënën pritet ta çojnë në SPAK.
Nga ish-ministrja e Kulturës, te “Daja” dhe kulla
Pas kësaj ndërtese që synon të ngrihet në një nga zonat më të ndjeshme të kryeqytetit, qëndrojnë emra të njohur të politikës dhe biznesit.
Emri i ish-Ministres së Kulturës, Elva Margariti, përmendet krah atij të Agron Lufit profesor i arkitekturës dhe njëkohësisht daja i saj si bashkëpërfitues të këtij skandali ndërtimor.
Ndërkohë, në prapaskenë shfaqen edhe figura të diskutuara si Elvis Roshi dhe të tjerë me ndikim të madh në sektorin e ndërtimit dhe politikës.
Kulla do të ngrihet vetëm 7 metra larg pallateve ekzistuese dhe ngjitur me shkollën një vendim që sfidon jo vetëm logjikën urbanistike, por edhe çdo normë sigurie.
Sipas dokumenteve të siguruara, pronarët e firmës që do të ndërtojë kullën janë Gentian Paruca dhe Fation Alliu.
Siç duket, Agron Lufi dhe ish-ministrja Margariti kanë gjetur mënyrën për ta zhvilluar pronën e tyre përmes një rrjeti interesash dhe ndikimesh politike.
Historia e një lejeje të pamundur – deri tani
Përpjekjet për të marrë një leje ndërtimi për këtë truall janë bërë disa herë në 20 vitet e fundit, por janë refuzuar nga qeveritë dhe institucionet e mëparshme.
Arsyet ishin të qarta: pozicioni i truallit, afërsia me shkollën dhe karakteri i zonës nuk e lejonin një ndërtim të tillë.
Por me ardhjen në pushtet të Margaritit dhe ndihmën e dajës së saj, gjithçka duket se ka ndryshuar.
Ligji strategjik: Një Justifikim për Korrupsionin?
Një ekspert ligjor ka treguar se qeveria ka miratuar një ligj që i lejon vetes të injorojë distancat ligjore të ndërtimit për “arsye strategjike”.
Pyetja që ngrihet është: çfarë arsyeje strategjike përfaqëson kjo kullë 16-katëshe?
A është ish-Ministrja Margariti strategjia?
Apo janë kontaktet e saj familjare dhe politike me ndërtuesit e projektit?
Kjo është një situatë ku ligji përdoret si armë për të justifikuar përfitime personale dhe për të maskuar një akt të pastër korruptiv.
Rreziku real për jetën dhe trashëgiminë urbane
Pallatet pranë sheshit të ndërtimit, dy prej të cilëve të ndërtuar në vitin 1938, kanë një strukturë të brishtë dhe janë të papërshtatshme për të përballuar një ndërtim masiv kaq afër
Sipas inxhinierëve, çdo gërmim për themelet e kullës mund të shkaktojë çarje ose shembje të menjëhershme.
Rreziku shkon edhe më tej: një pjesë e konsiderueshme e shkollës “Emin Duraku” dhe fëmijët që mësojnë aty janë realisht në rrezik.
Manipulimi i projektit të shkollës për t’i hapur rrugë kullës
Për të kaluar lejen e ndërtimit, thuhet se projekti fillestar i shkollës “Emin Duraku” është ndryshuar me qëllim që të largohej paksa nga trualli në fjalë, duke krijuar një “hapësirë të lirë” artificiale.
Një manovër që nuk ka ndodhur pa dijeni dhe miratim nga zyrtarë të lartë dhe projektues me interesa të qarta.
Një mesazh i hidhur dhe një dhuratë ironike për qeveritarët
Banorët kanë një kërkesë të vetme për zyrtarët: të banojnë vetë në apartamentet pranë shkollës dhe të shijojnë përditë pamjen dhe zhurmën e një kulle 16-katëshe që u ngrihet disa metra larg ballkonit.
Ndërkohë, për profesor Agron Lufin, ata kërkojnë një leksion të posaçëm për studentët e arkitekturës, me temën: “Si të shkatërrosh një komunitet dhe një hapësirë urbane përmes korrupsionit dhe babëzisë.” (Voxnews.al)