14.5 C
Tirana
E shtunë, 16 Nëntor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Një licensë për jo best seller-at, ju lutem!

    Nga Romelda Bozhani

    Nisim me subjektin e një libri. Bëhet fjalë për një histori dashurie, nga ato të shumtat e kësaj bote, që koha i peshon e i ndan në fund. Dy heronjtë kryesorë, s’ka burrë nëne t’i shpëtojë,as luksi i shfrenuar, që lëvrin nga njëri rresht në tjetrin, as makinat e kuqe, as rrobat me iniciale e me emra të shndritshëm.

    Ky libër, para se të bënte namin në një panair të disa viteve më parë në Frankfurt, me ato qindra e mijëra kopjet e shitura në tridhjetë vende të botës e kaq e aq lekë të fituara, fillimisht, ka bërë namin andej nga tik-toku. Protagonistët vijnë nga rangu i lartë i shoqërisë londineze, ajo quhet Mangolia Parks, ai quhet Tradhtar me T të madhe dhe shkrimtarja quhet Jessa Hastings.

    Ai ia copëton zemrën asaj, ndërsa, Ajo, do të hakmerret dhe gjen rrugën më të thjeshtë, atë klasiken, domethënë, e tradhton, derisa lodhet e pastaj vdesin nga xhelozia e dashuria për njëri-tjetrin.

    Dalin, të dy, në përfundime të tipit: “Në jetë, a duhet të kërkosh një dashuri të njëmendtë, apo mendjelehtë?! Duhet të rrokësh mungesën e tjetrit, apo praninë e tij?!” etj. etj. Kaq ishte libri.Pasi e mbaron, duhet t’i lutesh zotit të të kapë një amnezi e përjetshme për të harruar klishe të tilla, që t’i servir çdo libër rozë, revistë bojëqielli, a re e bardhë. Është bërë zakon që këta libra t’i quajmë best sellerqë sipas fjalorëve, janë librat që shesin një numër rekord, në një kohë rekord. Për ta bërë këtë, duhen shfrytëzuar sa më mirë dhe sa më shumë, mjetet e komunikimit masiv (në këtë rast, tik-toku).

    Pas kësaj, vijnë bluzat me stema, stilolapsat me portretet e protagonistëve, realizimi i serive televizive, volume të tjera që e zgjasin dhe e stërgjasin historinë, derisa të mos njihet më, as brinja e dërrmuar e Adamit, as molla e kafshuar e Evës, që ishte te libri i parë.

    Të tjera xhingla-mingla, vijnë më pas e nuk kanë të bëjnë më me vlerat e librit, por me atë dukuri jashtëtekstore, që përfshin edhe aftësinë e disa njerëzve, të cilët qëndrojnë pas profesionit të bërjes së librit si mall. Ata, ndoshta, nuk marrin erë fare nga letërsia, por njohin mirë labirinthet e financës dhe kaq u mjaftuaka të shesësh, me sa duket.

    Të tillë libra, që lexohen me lehtësinë e çdo broshure reklame që të bie në dorë, quhen “të konsumit të përgjithshëm”, domethënë, libra krijuar ad hoc, për të arritur lehtësisht masat e njerëzve. Çdo element i tyre, duke filluar qysh nga paraqitja grafike e deri tek kopertina shokuese,tërë bojra e varak, studiohet pikërisht me tendencën për t’u rrokur sa më shpejt nga tregu.

    Ndërsa, “best seller-at, cilësorë” s’kanë lidhje fare me truke të vjetra, apo të reja. Koha ka qenë prova e jetëgjatësisë së tyre dhe janë kthyer tashmë në tulla themeli. Për shembull, Hemingway, Marquez, apo Remarque, (emra të shndritshëm, veçanërisht në Shqipëri), s’do të kenë nevojë për tamtame të kota e do të mbeten libra të përjetshëm, domethënë janë bërë long-seller-a. E meqë ra fjala, besoj se Remarque, ka qenë vërtetë një fenomen në realitetin letrar shqiptar të të gjitha kohëve.

    E kishim fjalën te libri dhe mania për të. Asnjë lidhje s’ka libri si brendi, me maninë e shitjes.

    Një tjetër shembull. Është një tjetër libër, që, me të gjitha gjasat, nuk do të bëhet ndonjëherë best seller, se ka lindur në vendin e gabuar. Nuk do të mbahet radhë për të, nuk do të shfletohet nën dritën e kandilit, nuk do të pasohet dorazi se pse s’ka të dytë si ai. E gjitha kjo, jo sepse libri (që, meqë ra fjala titullohet “Letërsia në psikanalizën e Freud-it dhe dilemat ekzistenciale”, me autore studiusen Iris Halili), nuk i përmbush të gjitha kriteret që mund të ketë një best seller prej tulle, përkundrazi, por,sepse, tregu ynë është i mbrapshtë: nuk i do tullat e librat shqiptarë.

    Ai është një libër me ese dhe studime letrare, të shkruara e të mbledhura përgjatë njëzet viteve, edhe atëherë, kur Halili ishte pedagoge e Letërsisë së huaj moderne, në Universitetin e Tiranës. Ndoshta, nga të paktët libra kritikë në Shqipëri, ai lidh pazgjidhshmërisht, letërsinë me psikanalizën. Atëherë, kur janë ideuar dhe shkruar, këto punime, Freud-i, ishte pak ose aspak injohur për ne, si një nga të vetmet vende në botë ku përqasja seksuale vazhdonte të mbetej tabu. Në kanapenë e babait të psikanalizës, Halili ul e zbërthen edhe personazhe letrare, të huaj e shqiptarë. Mitet, gratë, si krijesa mitologjike, “ndjesi të fshehta nën dritën e hënës”, (siç na vijnë nga Novelat e Zweig-ut, një tjetër fenomen letrar veçanërisht në Shqipëri), dashuri të marra e të zjarrta, në kohë të çuditshme kolere si ajo e Fermina Dasës dhe e Fiorentino Arisës, dashuri të marra e “të shthurura”, në kohë paqeje, si ato të Prufrock-ut, të Eliot-it, Otellon e Blushit,etj, etj, i bën pacientë e u hap kraharorin, me forcën e guximtarit.Me po aq mprehtësi, ajo bën prezantime të befasishme, të veprave e përfaqësuesve kryesorë të rrymave të caktuara në letërsi, siç është surrealizmi, realizmi magjik, apo ekzistencializmi, rryma, të cilat, sapo kishin mbërritur në periferinë e njohjeve tona, me copa të shqyera, si: Sartri, njeriu-sizif, Camus, Kafka, Pirandello, Trebeshina, Zhiti etj etj.  

    S’po rrokanisim kokën me statistika, por shohim që, edhe nëpër botë, kjo tema e qasjes së psikanalizës me letërsinë, nuk është e thjeshtë e jo të gjithë kanë guximin ta prekin, sepse duhet një njohje shumë e mirë e ty dyja disiplinave. Libri, botuar nga shtëpia “Univers”, duhet të jetë një manual i superkërkuar nga studiues, mësues e studentë letërsie. E marr si shembull, sepse është libri i ish-pedagoges sime, që ka drejtuar dhe mbrujtur breza të tëra studentësh. Sot, më erdhi ndër mend, pasi, është promovuar dy vjet më parë (2022), në ditët e Panairit të librit, në Tiranë, pak a shumë, në të njëjtën periudhë si tani, kur po zhvillohet Panairi i 27-të i Librit, “Tirana 2024”. Prej disa vitesh tashmë, ky panair, është kthyer në festë, (ndoshta e vetmja festë e librit, për turp!), por vetëm kaq. Ende s’ka arritur të kthehet në institucion edukues, imponues, ende është kafshë gllabëruese që ha lekë e nxjerr lekë. Ndërkohë, botohen, harrohen, ribotohen vepra, kryevepra letrare, libra: nate, dite, vere, dimri, rozënoirtë verdhëmauditfast book, domethënë, botohet çdo libër i vlefshëm, ose jo e, pastaj, librat dhe autorët, lihen të vetëm në fatin e tyre, që shpesh është dëshpërues. Kjo, sepse, mungon çdolloj imputi jetëdhënës.

    Sipas ATSH-së, këtë vit, janë 90 botues pjesëmarrës, një pjesë e tyre nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Janë planifikuar rreth 60 promovime librash dhe rreth 100 veprimtari që kanë të bëjnë direkt me librin, shkrimtarët, përkthyesit, poetët. Siç shihet, vetëm tokë djerrë s’mund ta quash këtë tonën.

    Po atëherë ku na çalon gomari?!

    Nëse hyjmë te mençuria selektive ose jo e tregut tonë, nuk arrijmë dot të vëmë në dukje vlerat reale të librit në përgjithësi.

    Mund të themi se mungojnë njerëzit e duhur, ata që quhen“profesionistë”, përfshi këtu kritikët e vërtetë, ata me zë të rëndë e kokëplotë, që të garantojnë për vlerat e vërteta.

    Unë mendoj se mungon edhe një hallkë tjetër shumë e rëndësishme, që në Shqipëri ende s’njihet: agjenti letrar. Nëpër botë, agjentët letrarë janë kulla të shenjta ku falen shkrimtarët, që, në fund të fundit, nuk kanë pse të jenë, edhe shkrimtarë të talentuar, edhe biznesmenë të sukseshëm. Ndërsa, ne jemi ende në fillesat e gjithçkaje: të letërsisë (së përbotshme), të ekonomisë (së përbotshme), të demokracisë (së përbotshme). Vuajnë shkrimtarët për të gjetur dorën e duhur për t’i redaktuar veprat e tyre, njeriun-botues të duhur, shpërndarësin çudibërës, që, në këtë rast, improvizohet si agjent, ende i pamësuar. Vuajnë shkrimtarët që jetojnë brenda Shqipërisë, sepse për arsye jashtëtekstore, librat e tyre shiten në mëmëdhe si zarzavate të kalbura. Vuajnë edhe ata shkrimtarë shqiptarë, që për arsye demografike e shoqërore, jetojnë jashtë vendit. Ka vetëm pak raste suksesi të shkrimtarëve jashtë kufirit, por, këto, janë histori fitoresh.

    Në më të shumtën e rasteve, hasesh me busulla të prishura krijuesish. Ata përpiqen të botojnë e të luftojnë edhe nga larg me mullinjtë e erës e falë kësaj distance, ose ndonjë kodi tashmë të prishur me “profetët” e vendlindjes, çdo gjë u bëhet më e zorshme, më e pamundur. Në këtë rast, ndërhyrja e bisturisë së një agjenti letrar, do të ishte i domosdoshëm, jetësor.

    Është rasti të përmendet një farë roli “mbrojtës”, që ka krijuar Bukinisti, një platformë e njohur virtuale e librit, e cila tenton të lidhë pikat nevralgjike të shpërndarjes së libri brenda dhe jashtë vendit.    

    Në fund të zinxhirit, mungojnë politikat afatgjata kulturore, të ndërmarra nga organet shtetërore përkatëse, për mbështetjen pa kushte të librit. Ato duhet t’i japin vlera e ta përkufizojnë librin si dritë kulture e një kombi, ta drejtojnë në kanale me ujëra të kthjellta e, në rastin më të mirë, t’i japin timonin drejtues të shoqërisë.

    Bëhuni të urtë e filloni nga jo best seller-at, zonja dhe zotërinj! I hapni vend e i jepni një licensë librit që s’duket, që s’shet, por që ka vlera. Se ai është për ne, të tjerët, që nuk rendim pas varakut e broshurave, por duam të ulemi, herë pas here, në kanape të rehatshme e të kalojmë net e net pa gjumë, duke lexuar libra të vërtetë, që t’i kthejmë në filozofi jete.

    Sepse, letërsia, këtë mision ka: ndih e ushqen gjithçka, edhe jetën, edhe ironinë, si në këtë rastin tonë. Shkruan, Gennaro Sero, një gazetar-shkrimtar italian: “Për të shkruar një best seller, është më mirë të shtiresh si i vdekur”. Dhe ja ku, nga letërsia, u ushqye edhe ironia.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit