Duket se fjala “kurrë” ka një jetëgjatësi shumë të shkurtër, sidomos kur bëhet fjalë për formatin më të ndjekur televiziv në vend. Po ju prezantojmë një listë personazhesh publikë që u betuan se nuk do të shkelin kurrë në shtëpinë e famshme të “Big Brother”. Spoiler: të gjithë hynë aty brenda.
Xuxi
“Asnjëherë nuk do të jem pjesë e një formati të tillë!” – tha Xuxi dikur plot vetëbesim. Shumë mirë, Xux, sepse as ne nuk e prisnim, derisa… surprizë! Ti je aty, duke bërë monologje për lojën dhe strategjitë.
Stresi
Arkimed Lushaj, ose Stresi, u betua se nuk do ta shihnim kurrë në Big Brother. “Është e vetmja gjë që Arkimed Lushaj nuk e bën dot!” – deklaronte me bindje. Jo vetëm që hyri, po mbushi me lot gjysmën e shtëpisë së Big Brother VIP Kosova.
Kiara Tito
“Unë në Big Brother? Jo, sepse nuk më pëlqen të jetoj brenda katër mureve pa dalë fare nga shtëpia,” tha dikur Kiara me bindje të plotë. Jo vetëm që e bëri këtë, por u martua edhe brenda attyre katër mureve. Dashuria ka fuqinë të rrëzojë çdo barrierë, përfshirë edhe muret e shtëpisë më të famshme në Shqipëri.
Romeo Veshaj
Romeo i dha audiencës një batutë të paharrueshme kur u fut në shtëpi:
“Ashtu si Ledioni tha që s’do e prezantonte kurrë Big Brother, si Arbri që tha s’do ishte opinionist dhe Ori që çdo vit thotë që do largohet nga televizioni, edhe unë thashë njëherë që s’do futesha.”
Ironia? 100%. Vendosmëria? E debatueshme.
Xumi
Kur Olti Curri publikoi mesazhet e Xumit, të gjithë qeshëm. “Është një format i pisët,” kishte thënë Xumi dikur. “S’jam unë për lojëra.” Ndoshta ka hyrë për të pastruar formatin?
Julian Deda
Në vitin 2015, Juli deklaronte se “Big Brother” ishte një tmerr televiziv, i dëmshëm për shoqërinë. “Jo vetëm që nuk mëson asgjë të mirë, por të shkatërron parimet që prindërit përpiqen të t’i ngulisin në zemër.” Juli i përfundoi brenda shtëpisë kontribuoi me sukses në “tmerrin” që dikur e kritikonte, shkoi edhe në finale.
Valbona Mhilli
E pyetur dikur nëse e shihte veten si banore e “Big Brother”, Valbona tha:
“Jo, nuk e bëj dot, sepse jam shumë e lidhur me familjen.”
Duket se edhe lidhjet më të forta mund të sfidohen përballë një audience të madhe dhe disa kamerave 24/7.
Këtu qëndron edhe bukuria e Big Brother: njerëzit futen, betohen, “tradhtojnë” veten dhe, në fund të fundit, të gjithë argëtohen! Pra, miq, kjo listë na mëson një gjë të rëndësishme: në Big Brother hyn vetëm kur e thua me zë të lartë që s’do futesh kurrë. Ndaj, po bëj dhe unë betimin tim solemn: “Unë kurrë, po kurrë nuk do të jem pjesë e Big Brother-it!”