9.5 C
Tirana
E enjte, 16 Janar, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Një miliard e gjysmë euro investime në Shqipëri nga TAP, ku shkuan paratë?

    Nga Aranit Muraçi

    Muajt e fundit kanë qenë të vështira për mbarë kontinentin evropian dhe më gjerë. Ndërsa pasojat e konfliktit në Ukrainë thellohen çdo ditë e më shumë – në pjesën tjetër të kontinentit kryefjalë mbetet kriza energjetike. Nga shkalla e varësisë prej gazit rus, disa vende evropiane janë goditur më shumë se të tjerat. Por për Shqipërinë, kriza energjetike nuk është problemi kryesor; megjithatë, duke qenë se vendi ynë është i lidhur fort me zinxhirët e furnizimeve europiane, humbjen më të madhe e ka pasur si pasojë e ndikimit indirekt të shkaktuar nga kriza jashtë kufijve.

    Nevojat për energji të Shqipërisë sigurohen në një nivel 99% nga hidrocentralet. Vendi ynë përfiton nga pasuritë ujore jashtëzakonisht edhe në drejtim të dekarbonizimit, por gjithashtu e bën atë jashtëzakonisht të prekshëm ndaj kushteve të motit. Prodhimi vendor i energjisë mesatarisht vjetore është rreth 70%, ndërsa pjesa tjetër prej 30% importohet nga jashtë. Shqipëria ka hidrocentralet e saj të mëdha, publike, por është investuar dhe në më shumë se 200 hidrocentrale private (HEC) që janë dhënë me koncesion, të cilët prodhuan respektivisht në masën 61% dhe 39% për vitin e fundit. Kriza aktuale energjetike e prek më së shumti vendin tonë, kur i duhet të importojë energji elektrike nga jashtë (1/3 e kohës), dhe vitin e fundit dihet që çmimi nuk ka qenë i lirë.

    Në shtator 2022, kryeministri Edi Rama do të deklaronte gjatë një vizite në Nju Jork se Shqipëria nuk varet nga gazi rus, sepse vendi mbështetet plotësisht në energjinë e rinovueshme. Sigurisht që ka probleme – tha ai – sepse energjia bazohet në burimet hidrike dhe kur nuk ka reshje, qeveria duhet ta blejë atë jashtë. Realisht, Shqipëria është e pasur me burime ujore dhe paradoksalisht e shet lirë energjinë elektrike në rajon, kur nuk ka nevoja por e blen shtrenjtë kur vendi ka nevojë urgjente për energji elektrike. Energjia elektrike në vend prodhohet nga burimet hidro, në varësi të reshjeve, që bazohet në mungesën e vazhdimësisë së prodhimit.

    Ekspertët pohojnë se situata është keqmenaxhuar nga autoritetet dhe gjithashtu ngrenë shqetësime për nivelin e lartë të humbjeve të energjisë në rrjet, me një vlerësim mbi 20%. Ndonëse janë pakësuar vitet e fundit, ato ende konsiderohen të larta. Sipas autoriteteve, e gjithë energjia që prodhohet nga hidrocentralet e vogla shkon për të mbuluar këto humbje dhe sipas tyre, nevojat për investime në rrjet janë shumë herë më të larta se kapacitetet aktuale financiare. Megjithëse Shqipëria është e pasur me burime ujore, me disa nga hidrocentralet e saj të fuqishme në lumin Drin, nuk mund të plotësojnë të gjitha nevojat për energji elektrike. Menaxhimi i HEC-eve publike i takon tërësisht Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), ndërsa në dekadat e fundit, sektorit privat i është dhënë shumë më tepër hapësirë ​​për investime. Synimi për më shumë investime private kishte si qëllim për të bërë të mundur ndërtimin e hidrocentraleve të reja, në mënyrë që ato të rrisnin prodhimin e energjisë në vend. Megjithatë, këto projekte janë shoqëruar me debate për efikasitetin e kontratave të Partneritetit Publik-Privat (PPP) dhe mbrojtjen e disa zonave specifike në lumenjtë dhe luginat e vendit.

    Autoritetet, gjithsesi kanë qetësuar qytetarët se nuk ka asnjë plan për rritje të çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë dhe bizneset e vogla, madje nuk do të ketë as kufizime në furnizim; megjithatë, kjo do të varet nga niveli i reshjeve. Drejtori i KESH-it e përforcoi këtë premtim kur tha se Shqipëria nuk do të ketë kufizime në dimër pavarësisht krizave energjetike në rajon dhe në të gjithë Evropën. Për të, zgjidhja afatshkurtër për të përballuar situatën e vështirë janë dy anijet që prodhojnë energji, që janë vendosur në bregdetin e Vlorës.

    Në prill të vitit 2022, Shqipëria mori me qira dy anije për prodhimin e energjisë, dhe sipas ministrit të Energjisë, kjo u arrit me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara (SHBA), në bashkëpunim me kompaninë që po punon për termocentralin e Vlorës.

    Me funksionimin e këtyre anijeve, skenari më i mirë është që prodhimi i parë i energjisë prej tyre të jetë në nëntor të vitit 2022. Kjo vjen si vazhdimësi e marrëveshjes së bashkëpunimit që qeveria shqiptare nënshkroi në mars 2021, me kompaninë amerikane ExxonMobil, për të përdorur gazin e lëngshëm në prodhimin e energjisë elektrike. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, përveç termocentralit, Vlora synohet të bëhet një qendër rajonale e shpërndarjes së gazit të lëngshëm të importuar nga SHBA. Zgjidhja (në letër) është që kur situata bëhet kritike, këto anije të menaxhojnë rezervën e energjisë dhe sa herë që çmimi është shumë i lartë në bursë ato ndërhyjnë për të shmangur krizën.

    Megjithatë, shqiptarët janë mësuar me pritshmëri të mëdha nga kompanitë e huaja në sektorin e energjisë, të cilat në realitet sjellin pak përfitime për komunitetet lokale kur projekti përfundon. Shembull tipik, Gazsjellësi Trans-Adriatik (TAP), që kulmoi në vitin 2020 me vënien në punë të transportit të gazit nga Azerbajxhani, përmes Greqisë dhe Shqipërisë, dhe përmes detit Adriatik në Itali. A ka përfituar Shqipëria si vend tranzit për gazin Azerbajxhanas në rrugën e tij drejt Italisë? Një miliard e gjysmë euro do të investoheshin në Shqipëri, gjatë kohëzgjatjes së projektit. Që nga fundi i vitit 2020, kur gazi nga Azerbajxhan filloi të rrjedhë, rreth 10 miliardë metra kub kanë mbërritur në Itali. Por përfitimi për Shqipërinë është i dyshimtë, thonë ekspertët. Shqiptarët që jetonin përgjatë vijës së gazsjellësit morën një kompensim të vogël dhe rezistenca ndaj projektit ishte e papërfillshme. Aktualisht vendi po eksploron mënyra të tjera për të përdorur TAP-in dhe për të siguruar më shumë gaz, edhe pse Europa kërkon të përshpejtojë tranzicionin drejt burimeve të rinovueshme. Për më tepër, tani që projekti ka përfunduar, nuk ka përfitime reale financiare për Shqipërinë nga TAP-i, argumentoi një studiues i Universitetit të Kolumbias.

    Së fundmi, çmimet e larta në BE nënkuptojnë çmime automatikisht të larta edhe në Shqipëri. Kjo nxjerr në pah domosdoshmërinë e orientimit të ekonomisë sonë nga prodhimi. Sipas statistikave zyrtare, tregtia me vendet e BE-së, në tetë muajt e parë të vitit 2022 është 59,7 % e totalit. Në të njëjtën periudhë, pesha e eksporteve drejt vendeve të BE-së ishte 73,2 % e totalit të eksporteve, dhe pjesa e importeve nga vendet e BE-së ishte 52,4 % e importeve totale. Për shkak të varësisë nga importi, pavarësisht se ekonomia e vendit tonë nuk varet nga gazi rus, gati gjysmën e mallrave që tregtohen në Shqipëri kanë pësuar rritje të çmimit.

    Për të shmangur katastrofën e fuqisë blerëse nga kriza e çmimeve, vështirësitë ekonomike dhe nevoja për më shumë para, kanë bërë që vendi të ketë nevojë për remitancat. Edhe pse shumica e emigrantëve shqiptarë jetojnë në vendet e BE, me të gjitha vështirësitë që hasin, ata ende po kthejnë para në vendin e tyre. Të dhënat e fundit tregojnë rritjen e një vlere të tillë. Në gjysmën e parë të vitit 2021, shqiptarët sollën në shtëpi 340 milionë euro, ndërsa në vitin 2022, gjatë gjashtë muajve të parë 376 milionë euro. Frika për qytetarët është dimri dhe rritja e mundshme e çmimit ose kufizimeve të mundshme të energjisë elektrike.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit