Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja përmes një postimi në rrjetet sociale ka replikuar me drejtuesin e qarkut politik të PD-së në Lezhë Agron Gjekmarkaj.
Manja shkruan se Gjekmarkaj duhet të bëj vetë politikë dhe jo sipas kryedemokratit Sali Berisha.
Ministri i Drejtësisë shprehet gjithashtu se At Gjergj Fishta dhe At Zef Pllumi (ai e shkruan Pëllumbi) nuk duhet të përdoren për politikë.
“Më thanë që më paske kthyer përgjigje, o profesor!
E si paske thënë sonte aty te salla e vogël në Lezhë, nga ku prezantove dy miqtë e tu, që po të digjet zemra t’i shohësh në parlament, o profesor? Që ke At shpirtëror At Zef Pëllumbin? Dhe që duhet të skuqemi kur ja zëmë emrin me gojë Fishtës?! Që e duam Fishtën patronazhist?!
Eh, mor profesor, kanë filluar të të përzihen mendimet keq, kanë filluar të të bëhen kaçurrel. Që At Gjergj Fishta dhe At Zef Pëllumbi janë ashta e kombit, do ta thotë historia jetë e mot, sa të ekzistojë kombi shqiptar; dhe që dikush duhet të skuqet pse i përdor këto dy fibra kombëtare se ja do puna për fushatë, këtu ke të drejtë, o profesor Agroni! Këtu ke plotësisht të drejtë!
Unë të thashë që bëj politikë me mendjen e profesorit dhe jo të doktorit tënd plak, se me mend e tij vetëm “dokrra hinit” nxjerr prej goje. Por po shoh që janë duke të bërë lëmsh mendimet, e të tjera“dokrra hinit” do t’u thuash lezhjanëve.
Por ndaje mendjen, profesor: ke At shpirtëror, At Gjergj Fishtën dhe At Zef Pëllumbin, apo At Sali Komunistin? Mos u përgjigj vërtik, bluaje pak kandarin, kthema përgjigjen me mendjen e profesorit, se me një valle tropoje ja fute Gjinit dhe e nxore në listë të hapur – aty po u tregove profesor”, shkruan Manja, që megjithatë, edhe pse e përmend, nuk ia di mbiemrin Zef Pllumit, pasi ia shkruan atij Pëllumbi.
E ka At Zef Pllumi, Ulsi!