Inteligjenca amerikane ka përgjuar biseda mes gjeneralëve rusë. Nuk përjashtohet që të jetë dezinformim për të ngatërruar kundërshtarët
Para së gjithash, provokimi, ndoshta një sulm i rremë ndaj prorusëve në Donbass, i ndërtuar mjeshtërisht nga shërbimet e Moskës për të pasur një pretekst. Më pas ofensiva për t’u përgjigjur, që do të nisë mes të mërkurës ose të enjtes, me dy direktiva të mundshme: një operacion shkatërrues, por i kufizuar në kohë, ose pushtimi afatgjatë i Kievit.
Këto janë planet e Kremlinit për të pushtuar Ukrainën, “arma shpërthyese” që inteligjenca perëndimore ka kapur. Presidenti i SHBA, Joe Biden ia ka thënë liderit të Kremlinit, Vladimir Putin në telefonatën e djeshme, duke shpresuar ta bindte të ndalonte, përndryshe aleatët janë të bashkuar në vendosmërinë e tyre për ta bërë Rusinë të pahuajë çmimin më të lartë që ka paguar deri më sot.Sipas burimeve autoritative të shërbimeve të fshehta aleate, përshkallëzimi ushtarak rus në ditët e fundit ka qenë shumë intensiv.
Përpara kufijve të Ukrainës, përgjatë gjithë vijës që rrethon vendin nga Bjellorusia në Krime, aktualisht janë vendosur 95 Grupe Batalionesh Beteje. 30 batalione janë të vendosur në mënyrë të përhershme në këto rajone dhe për këtë arsye ka pasur një rritje prej mbi dy të tretat. 17 të tjera pritet të mbërrijnë deri nesër, duke e çuar totalin në 120 batalione, që Putini e konsideron pragun kritik të nevojshëm për të nisur sulmin. Midis 100 dhe 110 mijë burra, gati për të pushtuar.
E gjithë kjo tashmë është provuar nga fotot satelitore, por arma që kanë shtënë në dorë shërbimet perëndimore është përgjimi i bisedave mes gjeneralëve rusë, ku vihen re detajet e planit. Media amerikane nuk e përjashton mundësinë që është një dezinformim i përhapur qëllimisht nga Kremlini për të ngatërruar kundërshtarët, por askush nuk dyshon se komunikimet kanë ndodhur dhe janë regjistruar. Urdhri për sulmin ende nuk është dhënë, por mund të vijë në këto orë, sepse priten drejtuesit ushtarakë.
Hapi i parë mendohet të jetë një operacion “fals”, që pritet të martën. Ndoshta një sulm i sajuar kundër filorusëve në Donbas, inskenuar dhe zbatuar nga shërbimet e fshehta të Moskës, për të ndërtuar pretekstin dhe më pas ndëshkimin. Jo rastësisht, në rajonin separatist ka patur një përqëndrim mjetesh të blinduara që nuk janë parë qysh prej pushtimit të Ukrainës në vitin 2014.
Me t’u sajuar justifikimi, sulmi do të nisë Të mërkurën ose të enjten, ndoshta nga veriu duke përfituar nga stërvitjet që po zhvillohen në Bjellorusi, me dy skenarë mbizotërues. I pari, ai që konsiderohet më i mundshmi, është “toka e djegur”. Një demonstrim i forcës dërrmuese ushtarake, i kryer në një format hibrid, i cili do të shkaktonte dëme shkatërruese deri në portat e Kievit, por më pas do të pasohej nga tërheqja e menjëhershme e trupave brenda kufijve rusë. Kjo do t’i mundësonte Putinit të tregonte se askush nuk mund të bëjë shaka me Moskën, duke eleminuar edhe akuzat se ka pushtuar vendin.
Kështu ai do t’i ndante perëndimorët mbi masën e përgjigjes së tyre ndaj një operacioni të kufizuar, duke shmangur rreziqet e pushtimit të zgjatur dhe të luftës guerile. Skenari i dytë, nga ana tjetër, do të ishte marshimi drejt Kievit, për të instaluar një qeveri kukull. Ekziston edhe një hipotezë e tretë, ajo e aksidentit në qiejt e Lituanisë, përkatësisht një shkelje e hapësirës ajrore ndaj së cilës NATO do të detyrohej t’i përgjigjej. Inteligjenca e konsideron atë si skenarin më të largët, sepse do të kishte pasoja katastrofike, të cilat mund të shkaktonin vërtet një luftë botërore.
Zyrtarisht Kievi fton të shmangen alarmet, por në realitet i frikësohet pushtimit dhe po shqyrton lëshimet për zbatimin e Marrëveshjeve të Minskut për ta shmangur atë. Megjithatë, nuk është e sigurt që i mjafton Putinit, sepse ai ka kërkuar që të rishikohet e gjithë arkitektura e sigurisë në Evropë. Sesioni i dytë i takimeve me formatin e Normandisë, i cili u zhvillua në Berlin më 10 shkurt, nuk dha rezultate dhe Moska kërkoi që diskutimi të rifillonte në Grupin e Kontaktit Trepalësh, i cili përfshin Rusinë, Ukrainën dhe OSBE-në.
Putini mund të tërhiqej vetëm nëse merr diçka shumë domethënëse nga negociatat, përndryshe do t’i duhet t’i japë shfryrje aparatit ushtarak, duke u paraqitur si i sulmuar dhe duke shmangur akuzën e ndryshimit të kufijve me dhunë. Ndërkohë, më 9 shkurt Këshilli Atlantik miratoi përgjigjet parandaluese, duke vendosur instalimin në Hungari të 4 batalioneve të Forcës së Reagimit të Shpejtë.
Telefonata e djeshme u kërkua nga Biden pikërisht për të ballafaquar Putinin me informacion mbi planet e tij. Kishte një karakter përfundimtar, për ta paralajmëruar se Perëndimi nuk bën bllof dhe për ta bindur të ndalojë, duke i ofruar një rrugëdalje diplomatike. Përndryshe, sanksione të projektuara për të gjunjëzuar Rusinë. / La Repubblica – Bota.al