Mes vapës së rëndë të gushtit, vetëm pak javë pas arrestimit të bujshëm të ish-shefit të Forcës së Posaçme Operacionale Oltion Bistri në operacionin “Metamorfoza”, familjarët e tij dhe përfaqësues të kompanisë “Arlis-Ndërtim” u ulën në një zyrë noteriale në Tiranë për të firmosur një seri aktesh që zgjidhnin kontratat e sipërmarrjes për pesë apartamente dhe njësi tregtare në një kompleks luksoz.
Asokohe, lëvizja dukej thjesht si një manovër procedurale; por një vit më vonë, kur këto pasuri u sekuestruan si pjesë e hetimeve për korrupsion, lidhje me grup të strukturuar kriminal dhe pastrim parash, revokimet rezultuan vendimtare.
Me dokumentet në dorë, kompania i kërkoi Gjykatës së Posaçme zëvendësimin e sekuestrimit me bllokimin e një shume prej rreth 1 milion eurosh – shumë disa herë më të ulët se vlera e tregut të apartamenteve. Më 9 tetor 2024, me dakordësinë e prokurorit të çështjes, gjyqtarja Irena Gjoka miratoi kërkesën e “Arlis-Ndërtim”, duke i kthyer kompanisë pasuritë e paluajtshme dhe duke vendosur në sekuestro vetëm vlerën historike të kontratave.
Vendimi, i mbajtur fillimisht i fshehtë dhe bërë publik vetëm pas dy kërkesave për informacion të BIRN, ka ngjallur shqetësimin e ekspertëve ligjorë, të cilët thonë se legjitimimi i kësaj manovre bie ndesh me frymën e ligjit Antimafia dhe rrezikon të krijojë një precedent të rrezikshëm për shmangien e sekuestrimeve.
Sipas tyre, transaksionet e kryera menjëherë pas arrestimit duhej të ngjallnin dyshime të forta për fiktivitet dhe të hetoheshin si pastrim parash.
“Veprimet e të afërmve të Bistrit dhe të kompanisë do të duhej të ishin marrë nën hetim,” tha një prokuror në kushtet e anonimatit. “Nëse do të isha unë, do të kisha nisur hetimet për pastrim parash.”
Edhe avokatja dhe pedagogia Lirime Çukaj e sheh këtë lëvizje si të papajtueshme me ligjin.
“Revokimi i kontratave menjëherë pasi merret dijeni për arrestin është një veprim në kundërshtim me ligjin antimafia dhe nuk gëzon mbrojtje ligjore,” tha ajo, duke theksuar se gjykata duhej të kishte vlerësuar rrezikun e shmangies së pasurive nga sekuestroja.
Prokurori i çështjes, Arben Kraja, dhe kompania “Arlis-Ndërtim” nuk iu përgjigjën pyetjeve të BIRN për këtë vendimmarrje.
Arrestimi dhe procedimi pasuror
Ish-shefi i Forcës Operacionale, Oltion Bistri, u arrestua së bashku me biznesmenin Pëllumb Gjoka, ish-zyrtarin tjetër të policisë Ardit Hasanbega dhe prokurorin e Kukësit, Xhevahir Lita, në korrik 2023, në një operacion ndërkombëtar bazuar në dekriptimin së bisedave në rrjetin e njohur si Sky ECC. Në të njëjtin operacion, i cili u zbatua me bashkëpunim nga Europol, Eurojust, Autoritetet Gjyqësore Franceze dhe agjencitë ligjzbatuese belge, holandeze dhe franceze, u arrestuan edhe 13 persona të tjerë si pjesë e një organizate kriminale me anëtarë pjesëtarë të familjes Bajri nga Shkodra.
Anëtarët e grupit akuzohen për 12 vepra penale, mes të cilave vrasje, heqje e paligjshme e lirisë, trafikim narkotikësh, pastrim parash, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Ndërsa zyrtarët e arrestuar u akuzuan për korrupsion, shpërdorim detyre, nxjerrje të sekretit, ekspertime të rreme dhe pastrim parash.
Por akuzat më të rënda për Bistrin ranë pas përfundimit të procesit në shkallën e parë. Në nëntor 2025, Gjykata e Posaçme e shpalli atë të pafajshëm për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave. Megjithatë Bistri u gjet fajtor dhe u dënua me 2 vjet burg për nxjerrje të sekretit hetimor, dënim që u konsiderua i shlyer me kohën e paraburgimit. Një burim pranë Prokurorisë së Posaçme tha se çështja do të apelohej.
Nga ana tjetër, procedimi pasuror ndaj Oltian Bistrit dhe të afërmve të tij, i cili u regjistrua zyrtarisht në prill 2024 bazuar në ligjin antimafia, vijon të jetë në gjykim.
Pronat e Bistrit dhe të afërmve të tij, të dyshuara si të fituara nga veprimtaria e paligjshme, u sekuestruan më 3 maj 2024 me vendim të GJKKO. Në total, Bistrit dhe të afërmve iu sekuestruan 4752 metra katrorë ndërtim, apartamente e njësi tregtare dhe 572 metra truall; mes këtyre pasurive ishin edhe pesë pasuritë e paluajtshme të përfituara me kontratat e sipërmarrjes me “Arlis-Ndërtim”, rreth 1120 metra katrorë apartamente dhe njësi tregtare.
Vendimi për pesë pasuritë
Por në momentin kur gjykata vendosi masën e sekuestros, realiteti juridik i pesë pasurive kishte ndryshuar. Menjëherë pas arrestimit të Oltion Bistrit, të afërmit e tij i kërkuan kompanisë së ndërtimit të revokonte kontratat e shit-blerjes – një kërkesë që, sipas vendimit gjyqësor, u pranua pa kundërshtime. Dosja nuk tregon se revokuesit kishin nevojë të menjëhershme për para të gatshme; përkundrazi, “Arlis-Ndërtim” mori afat deri në dhjetor 2024 për të kthyer shumat e paguara ndër vite.
Sipas vendimit të GJKKO-së të nëntorit 2024, aktet e revokimit të kontratave të sipërmarrjes, të nënshkruara më 18 dhe 21 gusht 2023, paraprinë masën e sekuestros dhe ndryshuan statusin juridik të apartamenteve. Me këto akte, familjarët e Bistrit hoqën dorë nga të drejtat e tyre si porositës, pranuan zgjidhjen e kontratave dhe ranë dakord që pronësia e plotë t’i rikthehej kompanisë, duke u pozicionuar vetë si kreditorë për shumën e paguar.
Këto veprime i hapën rrugë kompanisë që t’i kërkonte gjykatës heqjen e sekuestros mbi pasuritë fizike, duke ofruar në këmbim depozitimin e 1 milion e 30 mijë eurove në llogaritë e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK). Kjo shumë përfaqësonte vlerën e përcaktuar në kontratat e revokimit – ndjeshëm më të ulët se vlera e tregut. Megjithëse revokimet ishin kryer menjëherë pas arrestimit të Bistrit, prokuroria nuk ngriti dyshime dhe mbështeti kërkesën e kompanisë.
Në vendimin e saj, gjyqtarja Irena Gjoka argumentoi se aktet e revokimit nuk ishin fiktive dhe se ishin kryer “konform parashikimeve ligjore, bazuar në vullnetin e lirë të palëve”. Sipas gjykatës, në momentin e sekuestrimit, familja Bistri nuk kishte më të drejtë pasurore mbi apartamentet – një interpretim që i hapi rrugë aplikimit të nenit 12/b të ligjit Antimafia, që lejon zëvendësimin e pasurisë së sekuestruar me “pasuri të barazvlershme”, kur palët bien dakord dhe gjykata e konsideron të arsyeshme.
Në praktikë, kompania depozitoi shumën që i detyrohej familjes Bistri, ndërsa pesë pasuritë fizike iu kthyen asaj. Formalisht, shteti ka në dispozicion një shumë të ngrirë, e cila mund të konfiskohet nëse procedimi përfundon me fajësi. Por, ekspertë të së drejtës i thanë BIRN se kjo skemë krijon precedent të rrezikshëm, pasi shteti humbet vlerën reale të pasurive të sekuestruara, ndërsa hapen rrugë të qarta për shmangien e goditjes së ligjit Antimafia.
Në keqbesim
Pasuritë e Oltin Bistrit nuk janë rasti i parë ku investimet në sektorin e ndërtimit në Shqipëi përdoren për pastrim parash.
Përgjime të dala nga hetimet e antimafias së Catanzaros dhe të bëra publike në vitin 2021, treguan një interes të veçantë të organizatave të njohura kriminale ndërkombëtare si Ndrangheta për sektorin e ndërtimit në Shqipëri. Të përgjuarit e shihnin investimin në ndërtim në kryeqytet si mundësi të artë.
Raportet vjetore të SPAK në vitin 2023 dhe 2024, që përkojnë me kohën e arrestimit dhe gjykimit të Bistrit, vënë në dukje se ndërtimi mbetet një nga sektorët e preferuar për pastrimin e parave. Kjo për shkak të qarkullimit të lartë të parasë cash dhe mundësisë për të manipuluar vlerën e transaksioneve.
Raporti vjetor i Departamentit të Shtetit për Pastrimin e Parave vë në dukje se në Shqipëri ndërtimi mbetet një prej sektorëve të preferuar.
“Kriminelët i riciklojnë të ardhurat e tyre kryesisht përmes blerjeve të pasurive të paluajtshme, projekteve të ndërtimit, aseteve virtuale dhe zhvillimit të bizneseve, duke i integruar gradualisht paratë e pista në ekonominë formale”, thuhet në raport.
Kostot e ndërtimit në kryeqytet luhaten mes 500-600 eurove për metër katror, por çmimet e shitjes, pavarësisht të ardhurave modeste të qytetarëve, janë shumë herë më të larta.
Marzhi i lartë i fitimit në ndërtim krijon një mundësi të artë për pastrim parash, siç del e provuar thuajse pas çdo operacioni të SPAK kundër krimit të organizuar, që sekuestron qindra e shpesh mijëra metra katrorë ndërtimesh.
Pikërisht ky marzh fitimi dhe koha e kryerjes së veprimeve ngre, sipas ekspertëve, pikëpyetje mbi vendimin e GJKKO për të hequr sekuestron mbi 5 pasuritë e lidhura me Bistrin.
Dokumentet e gjykatës tregojnë, për shembull, se dy apartamente me sipërfaqe rreth 400 m² secili, të porositura nga E.B. dhe D.B., kishin një vlerë kontraktuale prej vetëm 200 000 eurosh për secilin. Kjo përkthehet në rreth 500 euro/m² për ndërtim – në një nga zonat e Tiranës me çmime në treg mes 1 500 dhe 2 500 eurosh për metër katror.
Çukaj i tha BIRN se qëllimi i këtyre veprimeve bëhet pikërisht që të shpëtohej vlera e shtuar e pasurisë.
“Qëllimi i këtyre veprimeve është të shpëtohet pasuria e cila tashmë ka një vlerë më të lartë se momenti kur është bërë transaksioni më parë”, tha Çukaj.
Sipas saj, veprimet e kryera menjëherë pas arrestimit janë të dyshuara dhe janë veprime në keqbesim.
“Personat në keqbesim nuk gëzojnë mbrojtje, prokuroria duhet të sekuestrojë pasurinë, jo kundërvleftën e tyre, pasi konfiskimi drejtohet ndaj pasurisë, kudo që ajo gjendet”, tha ajo.
Por diferenca mes çmimit të kontratave dhe vlerës së tregut nuk është vetëm statistikë, ligji Antimafia e parashikon qartë si fiktive kategorinë e transaksioneve “dukshëm nën vlerën e tregut” dhe në një periudhë që shkon pas në kohë deri në dy vjet nga kërkesa për sekuestrim në gjykatë.
Neni 22, pika 5/b i ligjit parashikon se gjykata konstaton pavlefshmërinë e veprimeve juridike kur vërtetohet se pasuritë janë transferuar apo regjistruar në emër të të tretëve “me titull falas apo dukshëm nën vlerën e tregut, të kryera brenda dy viteve përpara paraqitjes së kërkesës për marrjen e masës parandaluese”.
Por në vendimin që liroi pasuritë citohet vetëm pika 5/a e kësaj pjese të ligjit dhe referenca ligjore ndërpritet aty.
Moscitimi i plotë i dispozitës ngre pikëpyetje për ekspertët.
“Është e çuditshme që në vendim gjykata ka referuar vetëm pjesërisht nenin 22 të ligjit, duke lënë jashtë germën b të pikës 5,” i tha BIRN njëri prej tyre. (BIRN)



