Nga Dr. Loina Prifti
Në ditët e fundit, dy përmbajtje që qarkulluan në media më kanë nxitur në një reflektim të thellë. Njëra është një opinion i gazetares së njohur Sonila Meço, publikuar në gazetën Tema, mbi transformimin demografik dhe kulturor të Tiranës, ku shtjellon shqetësimet për humbjen e identitetit dhe boshatisjen e vendit nga të rinjtë shqiptarë.
Tjetra, një video ku një eksperte e ftuar në Opinion në TV Klan, analizon “inteligjencën e popujve” në mënyrë që ngre pyetje serioze mbi përhapjen e gjeneralizimeve në emër të shkencës.
E kam ndjekur gjithmonë me vlerësim punën e Sonila Meços për mënyrën si ka trajtuar tema të vështira me guxim dhe integritet. Qëllimi i saj nuk është paragjykimi, por nxitja e debatit për sfidat që po përballon vendi. E megjithatë, edhe kur diskutojmë tema të vërteta dhe të dhimbshme, gjuha që përdorim, përqendrimi i vëmendjes dhe narrativat që ndërtojmë kanë rëndësi thelbësore.
Shqipëria po ndryshon. Ky është realiteti. Dhe ashtu si çdo vend që përjeton ndryshime të mëdha demografike, përmes emigracionit apo imigracionit, ndjen tension, pasiguri dhe nganjëherë konfuzion identitar. Kjo është njerëzore. Por mënyra si përballemi me këtë tension do të përcaktojë nëse do të ndërtojmë një shoqëri më të fortë, apo një shoqëri më të mbyllur e më të frikësuar.
Në shkrimin e Meços shqetësimi për zëvendësimin e shqiptarëve nga punëtorë të huaj, të ardhur kryesisht nga Azia Jugore, ngre një pyetje reale për qasjen shtetërore ndaj migracionit, mungesën e strategjive për integrim dhe qasjen mbi zhvillimin e qëndrueshëm urban. Por, ajo që më shqetëson është rreziku i përgjithësimeve që ndërtojnë ndarje midis “nesh” dhe “atyre”.
Rreziku që përfaqësues të tëra komuniteteve të identifikohen me etiketa si “jo të integrueshëm”, “kërcënim për rendin”, apo thjesht si “të tepërt”.
Këto janë të njëjtat narrativa që shohim në vendet e tjera ndaj emigrantëve shqiptarë, në Itali, Greqi, apo më gjerë. Edhe atje, shumë herë jemi përballur me etiketime kolektive, me përjashtim, me frikë. Ndaj është paradoksale që ne, një popull me kaq shumë përvojë emigrimi, po rrëshqasim sot në një diskurs përjashtues ndaj atyre që vijnë për të punuar e jetuar në vendin tonë.
Unë vetë kam jetuar jashtë për shumë vite. Dhe pavarësisht sfidave, kam pasur fatin dhe
jam ndjerë e respektuar për atë që sjell si profesioniste dhe si njeri. Asnjëherë nuk jam paragjykuar për pasaportën apo ngjyrën e lëkurës. Kjo nuk ka ndodhur rastësisht, ka qenë rezultat i një kulture që i jep rëndësi vlerave, jo prejardhjes. Dhe pikërisht këtu është thelbi i çështjes: çfarë vlerash duam të ndërtojmë në Shqipëri?
Në këtë sfond, edhe videoja e përmendur, që klasifikon popuj sipas inteligjencës së tyre, është shembull i një tjetër forme përjashtimi të maskuar si shkencë. Edhe nëse ka studime statistikore që evidentojnë dallime mesatare në performancën shkollore në vende të ndryshme, është e rrezikshme të shndërrosh këto dallime në etiketime kombëtare mbi “inteligjencën”.
Kultura, arsimi, varfëria, gjuha, historia koloniale – të gjitha ndikojnë në atë që masim si “inteligjencë”. Dhe çdo gjeneralizim mbi baza etnike është, në fund të fundit, një lloj paragjykimi.
Prandaj ka ardhur koha të dalim nga ky cikël gjykimi. Të ndërtojmë një diskurs të ri, ku të huajt nuk shihen si kërcënim, por si pjesë e një realiteti të ri shoqëror që ka nevojë për menaxhim, jo frikë. Nuk mund të kërkojmë respekt jashtë, nëse nuk jemi të gatshëm ta ofrojmë atë brenda.
Media dhe figurat publike kanë një rol kyç në këtë rrugëtim. Fjalët e tyre formësojnë perceptime, ndikojnë narrativat kombëtare, dhe shpesh shërbejnë si busull morale për shoqërinë. Prandaj, ndërsa debati mbi identitetin, zhvillimin urban dhe migracionin është i nevojshëm, ai duhet të bëhet me ndjeshmëri, me maturi, dhe mbi të gjitha me respekt për njeriun, përtej kombësisë apo origjinës së tij.
Në fund të ditës, çfarë Shqipërie duam të ndërtojmë? Një vend që mbrohet duke mbyllur dyert? Apo një vend që e forcon veten duke hapur mendjen, duke rregulluar institucionet dhe duke ushqyer një shoqëri ku dinjiteti i çdo njeriu respektohet? Unë besoj në të dytën.