5.5 C
Tirana
E premte, 27 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Një shqiptar që strehon në Romë 30 familje ukrainase

    Të premten e shkuar një mesazh në telefon do ta njoftonte për një mision në ndihmë të familjeve ukrainase që po largohen si pasojë e agresionit rus.

    Kjo nuk ishte hera e parë që Amarildo Rodi, 35-vjeçari nga Vlora, pjesë e grupit të UNITALSI, pjesë e shërbimit kombëtar të mbrojtjes civile italiane, merrte pjesë në misione humanitare.

    Por këtë radhë thirrja ishte emergjente. Duhet të niseshin menjëherë ditën e nesërme (26 shkurt) drejt Sllovenisë për të pritur autobusat që vinin nga Polonia me refugjatë nga Ukraina.

    Në një intervistë , Amarildo thotë se së bashku me 50 vullnetarët e tjerë, të gjithë djem, u nisën me një autobus nga Roma drejt Valichit, kufirit slloven me Italinë.

    “Rreth orës 18:00 të ditës së shtunë mbërritëm në kufi dhe menjëherë nisëm punën në koordinim me misionet e tjera italiane humanitare.

    Në kufi kishte radhë të gjata me autobusë që sillnin pareshtur refugjatë dhe detyra jonë ishte ti orientonim, së pari duke u matur temperaturën, duke kontrolluar green-pass dhe më pas duke i drejtuar tek informacioni ku jepnin të dhënat se ku dëshironin të vazhdonin, drejt Italisë apo Gjermanisë”, tregon Amarildo.

    Tre ditë me radhë, në pikën kufitare të Valichit në Slloveni, Amarildo dhe të tjerë vullnetarë pritën qindra refugjatë ukrainas, por djaloshi vlonjat thotë se nuk do të harrojë kurrë sytë e trembur të tyre.

    “Më shumë ishin gra, fëmijë dhe të moshuar. Ishin të trembur, nuk dinin në fillim se ku të orientoheshin por pjesa më e madhe kërkonin të shkonin në Itali, kishin të afërm të tyre dhe njihnin mirë gjuhën italiane.

    Kam parë nga afër se si një grua e re rrezikoi jetën pasi priste fëmijë dhe ka lindur në ambientet e ngritura në kufi për dhënien e ndihmës shëndetësore. Ishte një situatë që nuk e kisha hasur në 10 vitet e mia të punës si vullnetar”, thotë 35-vjeçari.

    Më pas, grupi i UNITALSI iu drejtua Polonisë, pikës kufitare Medyka, kufi me Ukrainën.
    Amarildo tregon se në kufi kishte organizata humanitare nga e gjithë bota. Të gjithë kishin ditë që punonin pa orar në kushtet ekstreme të motit, me temperature të ulëta, duke iu shërbyer refugjatëve.

    Por i riu shqiptar nuk u mjaftua vetëm duke dhënë ndihmën e tij në bashkëpunim me UNITALSI.

    Amarildo thotë se në morinë e refugjatëve ukrainas kërkoi të jepte mbështetje me strehim në Itali për nënat që rrisnin fëmijët vetëm.

    Po pse kjo qasje ndaj kësaj kategorie?

    Amarildo thotë se ai është një fëmi që e ka provuar në kurriz jetesën pa një prind. E ëma ka rritur 3 fëmijë e vetme si emigrante në Itali ndaj ai e kuptonte më së miri peshën e një nëne të vetme në situatë lufte.

    “Në zyrën e informacionit pasi u tregova kush jam dhe nga vij, u thashë se mund të strehoj në Romë tek miqtë e mi italianë që janë në gjendje të mirë ekonomike, 30 familje ukrainase, nëna me fëmijë, të divorcuara. Gjeta mes tyre familje që ndodheshin në kufi pa ditur se ku të shkonin, nuk kishin asnjë adresë, asnjë ide se ku do të përfundonin pas daljes nga kufiri ukrainas. Iu dhashë suportin tim, duke u garantuar mbështetje me të gjitha mundësitë e mia. Dhe them se bëra shumë mirë”, thotë Amarildo.

    I riu shqiptar thotë se ka mbërritur nga Ukraina këtë të premte në mbrëmje, I lodhur por i gëzuar se 30 nëna me fëmijët e tyre kanë sot një strehë ku mund të qëndrojnë deri sa të gjejnë një mundësi tjetër.

    “Të gjithë refugjatët ukrainas me daljen nga kufiri pajisen me një letër përmes së cilës marrin lejet e qëndrimit në vendet pritëse. Nëse dikush prej tyre nuk dëshiron të qëndrojë në familjet italiane mund të kërkojë të largohet por unë dhe miqtë e mi e dimë se do tu japim atyre suportin maksimal. Italia na ka ndihmuar ne shqiptarët në kohët e vështira të emigrimit, ndaj unë kam besim se dhe me ukrainasit kështu do të veprojnë”, thotë Amarildo.

    E teksa flet, djali të tregon se ai fëmijë i dy prindërve emigrantë që lëvizën nga Shqipëria drejt Italisë në vitet e para të demokracisë. Ndaj ai ka ndjeshmërinë për të ndihmuar me çfarë të ketë mundësi.

    “Unë jam rritur larg Shqipërisë, kam qenë 7 vjeç kur u nisëm nga Vlora dhe pothuajse jeta ime ka kaluar në emigrim. Megjithëse kam përfunduar studimet për Dizajn, iu riktheva punës si vullnetar në misionet humanitare sepse besoj e kërkoj të kontribuoj sadopak për zbutjen e problemeve sociale që shkaktojnë ngjarje të tilla si krizat, konfliktet apo lufta”, thotë Amarildo.

    I riu ka dëshirë që punën e tij ta shtrijë dhe në vendlindje, në atdhe. Ka shumë plane, shumë ëndërra por është modest dhe nuk flet shumë për planet e së ardhmes. Sa për vete, ai thotë se do të vijojë të punojë vullnetar, të ndihmojë njerëzit në nevojë, të kontribuojë për ti dhënë sadopak buzëqeshje, fytyrave të ngrira të njerëzve të pafajshëm, siç janë sot ukrainasit, të dënuar të lënë pragun për ti shpëtuar vdekjes.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit