14.8 C
Tirana
E enjte, 15 Maj, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Nuk fitohen zgjedhjet, vetëm se dole tek Fevziu…

    Nga Bledi Lumani

    “Kapja e mediave” – Është kjo një nga alibitë që po përdoret këto ditë jo vetëm nga opozita, por edhe gazetarë pranë saj apo media të “pavarura”, për fitoren e Partisë Socialiste.

    “Kontrolli mbi mediat shtroi rrugën për mandatin e katërt të Partisë Socialiste”, është një prej titujve të BIRN këtë të enjte, që i mëshon fort pikërisht kësaj gjëje, se një prej arsyeve pse fituan socialistët, ishte pikërisht ndikimi i tyre mbi mediat kryesore.

    Dhe sjellin si argument, se Rama ka dalë më shumë tek Top Channel, Klan apo Vizion Plus.

    A thua se po dole në television, automatikisht bëhesh më i dashur dhe më ndikues tek njerëzit!

    Askush në fakt, deri më sot, nuk ka bërë ndonjë studim në Shqipëri se çfarë ndikimi ka dalja e shpeshtë në television, sepse jo domosdoshmërisht po dole në ekran, rrit pëlqyeshmërinë.

    Përkundrazi, në Shqipëri, perceptimi është se sa më shumë të dalësh në TV, aq më i padëshiruar bëhesh.

    Por le ta marrim të mirëqenë, se ndikon pozitivisht dhe Edi Rama dhe Partia Socialiste kanë përfituar nga koha televizive.

    A çon automatikisht kjo në fitore?

    Ka qenë një periudhë, kur në fakt, Edi Rama i ka pasur pothuajse të gjitha mediat kundër, dhe jo vetëm arriti të mbijetojë dhe pa mbështetjen e tyre, por sot e kemi për të katërtin mandat radhazi kryeministër.

    Dhe ishte periudhë kur mbështetja e mediave tradicionale ishte shumë më e rëndësishme se sot, pasi atëhere nuk ekzistonin rrjetet sociale.

    Bëhet fjalë për momentin kur ai humbi, apo ja vodhën, kjo është tjetër temë, Bashkinë e Tiranës.

    Në ato momente atij iu kundërvu edhe mbështetësi i tij më i madh mediatik, Koço Kokëdhima, që kishte gazetën kryesore në vend, “Shekullin”, pasi e kishte këshilluar që të bënte koalicion me Ilir Metën, por Rama nuk e kishte dëgjuar, dhe kjo, sipas Kokëdhimës, ishte arsyeja pse ai humbi Bashkinë e Tiranës. Në atë kohë, edhe TCH, një media që e ka mbështetur tradicionalisht, pati një distancim nga Rama, çka e bënte këtë të fundit aso kohe, të pafuqishëm mediatikisht, pasi Klan atëhere ishte i verbër me Sali Berishën.

    Por le të marrim një shembull tjetër të freskët, edhe pse larg nesh: Donald Trump.

    I kishte kundër jo vetëm gjithë mediat amerikane, por dhe ato botërore, dhe ja ku është sot.

    E vërteta është se dalja apo mos dalja në mediat tradicionale, në një epokë kur pesha dhe rëndësia e tyre ka rënë ndjeshëm, për shkak të rrjeteve sociale, është një alibi e gatshme për humbësin, dhe në rastin konkret, Sali Berishën.

    Se po u ankua dhe ky i fundit pastaj, për praninë në median shqiptare, kur e ke nga mëngjesi në darkë live, madje edhe kur ishte në arrest shtëpie, dhe ka edhe television e portal familjar, për të mos folur pastaj për një ushtri gazetarësh e analistësh që e kanë emrin në borderonë e të birit, atëhere është e kotë të flasim.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit