“Përmbytja është akuza më kuptimplotë për faktin se asnjë nga këto premtime nuk është mbajtur dhe se kjo që ndodh, nuk ndodh për shkak të Zotit, nuk ndodh për shkak të harbimit dhe çmendimit të lumenjve. Shqipëria nuk qeveriset, sepse nuk ka në këtë vend një qeveri të shqiptarëve. Ka vetëm një çetë të kusarëve” – thotë Rama në një video të vitit 2012 pak para se të vinte në pushtet.
Kjo video që mund të shihet në Dita online, është thelbësisht komprometuese në planin politik, sepse Rama i vitit 2012 i rrëzon me dorën e vet justifikimet e Ramës së sotëm.
Atëherë, përmbytja nuk ishte “fatkeqësi natyrore”, as “harbim lumenjsh”, as “vullnet i Zotit”. Ishte provë e mosqeverisjes, pasojë e premtimeve të pambajtura dhe akuzë direkte ndaj pushtetit.
Madje gjuha ishte brutalisht e qartë: “jo qeveri, por çetë kusarësh”.
Sot, pas më shumë se një dekade në pushtet, kur përmbytjet përsëriten dhe fondet janë shumëfishuar, narrativa ka ndryshuar: tani faji shpërndahet te moti, te klima, te rajoni, te mbeturinat plastike. Gjithçka përveç qeverisjes.
Ky nuk është evolucion politik, kjo është amnezi selektive.
Problemi nuk është se Rama i 2012-ës ishte opozitar dhe i ashpër. Problemi është se argumenti i tij ishte i saktë. Nëse përmbytja ishte provë e dështimit të qeverisë dje, atëherë logjikisht është e njëjta provë edhe sot.
Përndryshe, ai duhet të pranojë se ose ka gënjyer atëherë, ose po shmang përgjegjësinë tani.



